Të dielën 334.539 mijë votues të pesë bashkive do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj, ndërsa KQZ ka nisur me shpërndarjen e materialeve zgjedhore në 5 bashkitë, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë.

Nesër është heshtje zgjedhore, ndërsa për mbarëvajtjen e procesit të votimit, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash. Në 5 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet, Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe ditën e shtunë do të marrë në ruajtje 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi.

Në total, janë 612 punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve. Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast që synon të tjetërsojë votën e tyre.

“Apelojmë për qytetarët që të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar apo që synon të tjetërsojë votën e tyre.Gjithashtu, apelojmë për të gjitha subjektet politike që të zbatojnë me korrektësi detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, për çdo rast të cenimit të ligjit”, njofton policia e shtetit.

Të shtunën është heshtje zgjedhore, por kjo shënohet si fushata më jo tipike, pasi asnjëra prej palëve nuk po zhurmon edhe pse jemi në ditën e fundit të saj. Kandidatët e kanë zhvilluar fushatën e tyre pa protagonizëm politik, dhe as liderët e partive të mëdha, Rama e Berisha, nuk janë shfaqur në asnjë miting apo takim elektoral. E vetmja dalje e Ramës krah kandidatëve socialistë ishte sot në podcastin Flasim

Në Vlorë, numri i qytetarëve me të drejtë vote është afro 172 mijë, në Berat mbi 82 mijë, në Cërrik afro 39 mijë, në Mat 29 mijë ndërsa në Tepelenë, 12 600.

Partia Demokratike dhe opozita zyrtarisht nuk kanë kandidatë të regjistruar në siglën e tyre, por kanë deklaruar mbështetjen për disa emra të cilët janë shpallur si të pavarur, të cilët do të jenë përballë 5 socialistëve por edhe disa emrave të tjera.

Në Vlorë, Brunilda Mersini e PS, e cila la mandatin e deputetes për kandidimin si kryebashkiake, do të garojë përballë dy demokratëve, kandidatit të mbështetur PD, Dionis Sota, teksa në garë do të jetë edhe Gjergj Nika, anëtari i Këshillit Bashkiak i zgjedhur nën siglën e Parisë Demokratike.

Në Berat, PS ka propozuar kandidatin Ervin Ceca, i cili do të jetë përballë Pavlo Shkarpës.

Një garë treshe do të ketë edhe në bashkinë e Matit. Altin Bojni do të jetë kandidati socialist, ndërsa një tjetër socialiste ka sfiduar propozimin e Ramës duke shpallur kandidaturën e pavarur, ish kryetarja e Gruas në PS-në lokale, Suzana Pasha.  Ndërkohë që PD dhe opozita mbështet kandidaturën e pavarur të Eduart Brahilikës.

Në Cërrik, Florenc Doka i PS do të kandidojë përballë kandidatit të pavarur Amarildo Hoxha, për të cilën ka deklaruar mbështetjen edhe PD e Berishës. Në këtë bashki do të ketë edhe një kandidat i tretë, nën logon e partisë ‘Lëvizja Shqipëria Bëhet’ është Eligert Hima.

Në Tepelenë, PS ka propozuar kandidatin Gramoz Sako, ndërsa opozita do të mbështesë të pavarurin Gabriel Guma.

Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të jetë vetëm një vit e gjysmë, derisa të mbahen zgjedhjet lokale në pranverën e vitit 2027.

VOTUES SIPAS BASHKIVE
Bashkia            Votues
Vlorë                171 895
Berat                 82 161
Cërrik               38 724
Mat                    29 092
Tepelenë          12 667
Gjithsej           334,539

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:36
Zgjedhjet e pjesshme lokale/ Policia e Shtetit harton planin e masave: 612 punonjës të angazhuar! Merren në ruajtje 473 qendrat e votimit

Në kuadër të procesit zgjedhor më datë 9 nëntor, pra ditën e dielë, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për ruajtjen e objekteve zgjedhore si dhe shoqërimin e materialeve nëpër qendrat e votimit e më pas drejt qendrave të numërimit.

Për 5 bashkitë, Vlorë, Tepelenë, Cërrik Berat dhe Mat, janë marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe ditën e shtunë do të marrë në ruajtje 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi. Në terren janë angazhuar 612 forca policie dhe automjete.

“Policia e Shtetit

Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ruajtjen e objekteve zgjedhore (KZAZ, QV e VNV), si dhe parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për Policinë e Shtetit”, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit hartoi një plan të detajuar masash për zbatim nga strukturat vendore ku do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme.

Në 5 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet, Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe ditën e shtunë do të marrë në ruajtje 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi.

Lista me 612 punonjës policie dhe automjete policie, që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve, është dërguar në KQZ dhe është miratuar.

Shërbimet e Policisë që janë të planëzuara për ruajtjen e objekteve që do të shërbejnë si qendra votimi, do të instruktohen ditën e shtunë paradite dhe më pas do të shpërndahen në qendrat ku janë të planëzuara me shërbim.

Ditën e diel, që është dita finale, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.

Gjatë ditës së votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të ketë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.

Më datë 09.11.2025, në orën 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.

Janë marrë të gjitha masat që në çdo komisariat dhe drejtori, në territorin e të cilave do të ketë zgjedhje, të ketë grupe të gatshme për të vepruar në terren, në rast nevoje.

Të gjithë këta punonjës janë të trajnuar dhe të miratuar nga KQZ-ja, dhe do të jenë të pajisur me mjetet e identifikimit dhe me jelekë të Policisë. Strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, të ngritura për hetimin e krimeve zgjedhore, janë në terren, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, për të evidentuar dhe goditur çdo tentativë për të tjetërsuar votën nëpërmjet shitblerjes apo formave të tjera.

Gjithashtu, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i koordinimit dhe drejtimit për procesin zgjedhor.

Policia e Shtetit është e angazhuar për të siguruar deri në fund mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, në mënyrë që qytetarët e bashkive ku do të zhvillohen zgjedhje, ta ushtrojnë qetësisht dhe të sigurtë të drejtën kushtetuese për të votuar.

Apelojmë për qytetarët që të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar apo që synon të tjetërsojë votën e tyre.

Gjithashtu, apelojmë për të gjitha subjektet politike që të zbatojnë me korrektësi detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, për çdo rast të cenimit të ligjit”, njofton policia e shtetit.