Kandidatët e PS-së në 5 bashkitë që shkojnë në zgjedhje të pjesshme të dielën shprehen të bindur për fitoren bindëse. Parashikimit të tyre iu bashkohet edhe kryeministri Edi Rama. Brunilda Mersini, e cila kandidon në Vlorë, Gramoz Sako në Tepelenë, Ervin Ceca në Berat, Florenc Doka në Cërrik dhe Altin Bojni që kandidon në Mat, ishin të ftuar në podkastin “Flasim” të kryeministrit.
Ata do të përballen të dielën me kandidatët e pavarur të mbështetur nga opozita, por asnjë nuk ka dyshim te fitorja e thellë e PS-së. Parashikimet e tyre i shprehën edhe me përqindje. Mersini në Vlorë tha se parashikon që të marrë 80% të votave, Sako i Tepelenës shprehu bindjen se do të sigurojë 83%, kandidati Ervin Ceca i Beratit synon 75%, Altin Bojni në Mat pretendon 65% të votave, ndërsa Florenc Doka në Cërrik thotë mbi 70%.
“E diela do jetë ditë tjetër për qytetin tim, ka treguar që ka kulturë demokratike dhe këtë e ka treguar me fitoren e PS në zgjedhjet e 11 majit.”, tha Mersini që kandidon në Vlorë.
“Mendoj që do kemi një fitore të thellë të dielën, do votohet bindshëm PS”, shtoi Sako i Tepelenës.
“ Jam besim plotë që do kemi rezultat shumë të mirë", theksoi Ceca për Beratin.
“Mati do marrë një rezultat shumë të mirë.”, u shpreh Bojni.
“Do të jetë një votë përtej të majtës dhe të djathtës, do jetë votë qytetare”, deklaroi Doka i Cërrikut.
Kryeministri nuk kurseu ironinë ndaj PD-së, për të cilën tha se nuk ka guximin që të tregojë fytyrën e vërtetë në këtë sfidë, për shkak se po mbështet kandidatë të pavarur. Sipas kreut të qeverisë, kjo është një strategji e demokratëve për t’ia lënë humbjen në derë të kandidatëve të pavarur.
“Hall i madh që një parti ka siklet t'i vërë fytyrën e vet një sfide dhe përdor fytyrat e të tjerëve dhe ndërkohë që këta që ia japin fytyrën borxh kësaj partie dhe bëjnë sikur janë të pavarur dhe ata bëjnë që sikur e mbështesin.”, tha Rama, duke shtuar më pas: “Halli i PD është, ndjesë pastë, është kujt t’ia lëmë humbjen në derë.”
Teksa prezantuan vizionin e tyre për bashkitë, kreu i qeverisë iu kërkoi që të fokusohen te fshati.
“Kryetarët tanë të bashkive duhet të jenë shumë të vëmendshëm që ta ndajnë në dysh trurin qytet dhe fshat dhe jo të ndajnë gjithë kohës nga qyteti, qyteti është i rëndësishëm, por duhet ta mbajnë 50% të mendjes tek fshati, për të qenë aktiv, për të krijuar ndërmarrje në fshat...", tha ai.
Para të ftuarve, kryeministri Rama foli sërish për rritjen e pensioneve në bazë bonusi mujor si edhe për rritjen e pagës minimale nga 400 në 500 euro. Një koment bëri edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Veliajn, duke thënë se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë pasi qytetarët duan të zgjedhurin e tyre.
Kryeministri Edi Rama i kërkoi kandidates së Vlorë Brunilda Mersini, për të cilën shprehu bindjen se do të shënojë fitore të thellë, të presë “degët e pemës” së nepotizmit në këtë bashki brenda 100 ditësh. I kërkoi gjithashtu që të gjithë drejtorët e kësaj bashkie të mos bëjnë më sehir por të shkojnë që në orën 7 e gjysmë në punë.
Pjesë nga biseda:
Brunilda Mersini: Besoj fort te stafi që do të ngre dhe aftësitë e mua drejtuese diku edhe intuita në drejtim që të kemi një Vlorë më të pastër. Pavarësisht se duket vetëm një fjali, por përmban një strategji që i duhet qytetit turistik. Më pas do të shikoj rrugën e lagjes time, sepse lagjet kanë probleme të infrastrukturës së përditshme dhe të gjithë bashkëe kemi një moto që Vlora të jetojë 365 ditë që jeton gjatë sezonit turistik. Na pëlqen sezoni turistik në Vlorë që e ndjejmë Vlorën si kryeqytet përtej Shqipërisë, kështu që e duam edhe në dimër me të njëjtin intensitet.
Edi Rama: Në spitalin e Vlorës bëre gjënë e duhur. Kështu që shpresoj mirë që edhe ata drejtorët të vijnë atje rrjesht të gjithë atje të parët para fillimit të orarit zyrtar dhe të ikin në fund fare. E dyta, Bruna duhret të marrë gjithë listën e atyre që janë në punë dhe të fillojë me gërshërë dhe të presë degët e nepotizmit. E treta, s’ta kam merakun për të tjerat. Po të them që ta dëgjojnë edhe vlonjatët, drejtorët duhet të vinë rrjesht në bashki dhe në orën 7 e gjysmë të jenë e rrotull tryezës tënde. Dua që drejtorët e bashkisë Vlorë të shkojnë në punë në 7 e gjysmë në rresht. Përndryshe të ikë. 100 ditë duhet krasitur e gjithë pema e nepotizmit. Duke filluar nga kushëriri aty. Ke ndonjë kushëri aty?
Bruna Mersini: Jo
Edi Rama: Ta gjejnë vlonjatët.
Për bashkinë e Matit në garë janë tre kandidatë. Altin Bojni i PS do të përballet me Eduart Brahilikën, kandidat i pavarur që mbështetet nga PD, por përballë do të jetë edhe një kandidate që ka dalë nga radhët socialistëve. Suzana Pasha Hoti është kryetare e Forumit të Gruas së PS-së në Mat dhe kandidon si e pavarur.
Gjatë podkastit “Flasim”, kryeministri Rama, teksa po fliste me Bojnin, bëri një koment ironik ndaj saj.
Pjesë nga biseda:
Altin Bojni: Në Mat kemi dy të pavarur. Njërin që e mbështet PD, por është regjistruar i pavarur. Edhe tjetër kemi edhe një avokate që ka dalë e pavarur.
Edi Rama: Po mirë, ta provojë (qesh)
Kryeministri Edi Rama, në fund të podcastit “Flasim” i pyeti kandidatët socialistë se çfarë rezultati parashikojnë të marrin në zgjedhjet e pjessshme të dielën. Më herët, gjatë bisedës, ata shprehën bindjen se të dielën do të shënojnë një fitore të thellë. Ata folën edhe me përëindje.
Pjesa nga biseda:
Edi Rama: Në fund fare një parashikim.
Brunilda Mersini: Unë shpresoj të marr 80 përqind të votave.
Gramoz Sako: Po rreth 83% besoj.
Ervin Ceca: 75%.
Altin Bojni: 65%
Rama-Bojnit: Të isha në vendin tënd do të thosha 51%.
Florenc Doka: Po qëndroj te 70% plus 1 edhe prej faktit se ish kryetari i bashkisë ka dalë 72%.
Edi Rama: Hajde për hajër, suksese të gjithëve.
Të dielën do të zhvillohen zgjedhjet në 5 bashki, ndërsa kryeministri Rama iu dha porosi kandidatëve, por jo vetëm, të gjithë kryetarëve të bashkisë, që 50% të mendjes duhet ta mbajnë tek fshati dhe 50% tek qyteti.
“Kryetarët tanë të bashkive duhet të jenë shumë të vëmendshëm që ta ndajnë në dysh trurin qytet dhe fshat dhe jo të ndajnë gjithë kohës nga qyteti, qyteti është i rëndësishëm, por duhet ta mbajnë 50% të mendjes tek fshati, për të qebe aktiv, për të krijuar ndërmarrje në fshat, për të dhënë kontribut si bashki dhe për të përfituar nga skemat e financimit, por që kanë nevojë për ndryshim mentaliteti, në mënyrë që 200 mln euro që janë atje nga kreditimi i bankës së Shqipërisë apo fonde të tjera që krijohen nga kjo qasje sipërmarrje, të bëjmë lek për bashkinë, kjo është e rëndësishme”, tha Rama.
Në ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, kryesocialsiti Edi Rama u shfaq me 5 kandidatët në podcastin flasim. Kandidatët socialistë që të dielën do të përballen me kandidatët e pavarur të mbështetur nga opozita, nuk kanë asnjë dyshim tek fitorja e thellë për PS.
Brunilda Mersini në Vlorë: E mendoj që është një sfidë e kam parë veten të angazhuar në këtë besimin tuaj dhe e gjej veten të përgatitur sepse kam menduar që njerëzit që ëndërrojnë për ndryshime për mirë, duhen njerëz që duhet të sakrifikojnë diku komoditetin. E besoj që në këtë vend ndodhin gjëra për mirë apo për keq, por kjo varet nga ne, doja të isha pjesë e këtij ndryshimi për mirë në qytet. E diela do jete ditë tjetër për qytetin tim, qytet që ka treguar që ka kulturë demokratike dhe këtë e ka treguar me fitoren e PS, zgjedhjet e 11 majit.
Gramoz Sako në Tepelenë: Po shoh që nga takimet që kemi zhvilluar, nga njerëzit, investimet që ka bërë PS në të gjithë mandatet që ka drejtuar Tepelenën, mendoj që do kemi një fitore të thellë të dielën, do votohet bindshëm PS. Këtë e mbështes te opinionet, tek takimet që kemi bërë me njerëzit do marrim rezultat shumë pozitiv.
Ervin Ceca në Berat: Situata është pozitive, njerëzit vlerësojnë punën që është bërë në qytet, investimet projektet, çka u tregua edhe me votë më 11 maj, ku Berati nxori 5 mandate, pro edhe nga ana personale e shoh që e mirëpresin kandidaturën time jam besim plotë që do kemi rezultat shumë të mirë, vese rezultatit edhe pjesëmarrja do jetë e kënaqshme.
Altin Bojni në Mat: Për ditën e dielë, e shoh që do jetë rezultat i mirë se matjanët dinë ta vlerësojnë punë e vërë gjatë këtyre viteve. Mati do marrë një rezultat shumë të mirë.
Florenc Doka në Cerrik: Cërriku ka patur vëmendje të shtuar në zgjedhjet e pjesshme. Është rast histori që kryetari i bashkisë është bërë ministër. Qytetarët e Cërrik jo vetëm këtë rast, por edhe duke vlerësuar kandidimin tim, do jetë një votë përtej të majtës dhe të djathtës, do jetë votë qytetare, do jetë garë mbase duke ja marr edhe pak Tepelenës që ka qenë bashkia e parë zgjedhjet e fundit.
Kryeministri Edi Rama, teksa po flet me kandidatët socialistë për 5 bashkitë që shkojnë në zgjedhje të dielën, ironizoi edhe PD-në duke thënë se nuk di se kujt do t’ia lërë hallin në derë, referuar faktit se ajo po mbështet kandidatë të pavarur.
Pjesë nga biseda:
Bruna Mersini: PD ia dha firmat Dionisit (kandidatit të pavarur). Ndodhin këto. Ata nuk bëjnë fushatë se thonë se ne e mbështetëm por nuk është e PD. Dmth një i pavarur që nuk është as i varur.
Edi Rama: Hall i madh që një parti ka siklet t'i vërë fytyrën e vet një sfide dhe përdor fytyrat e të tjerëve dhe ndërkohë që këta që ia japin fytyrën borxh kësaj partie dhe bëjnë sikur janë të pavarur dhe ata bëjnë që sikur e mbështesin.
Ervin Ceca: Në Berat pak a shumë e njëjta historii. Kandidati i pavarur i mbështetur nga opozita, zotëri që është larguar prej 30 vitesh nga qyteti, jeton këtu në Tiranë. Ka kandiduar edhe herë të tjera si i pavarur.
Edi Rama: E mbështesin këta.
Ervin Ceca: E mbështesin në thonjëza. Por është shumë larg asaj, nuk ka lidhje me qytetin.
Edi Rama: Halli i PD është, ndjesë pastë, është kujt t’ia lëmë humbjen në derë.
Kryeministri Edi Rama komentoi edhe njëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e Erion Veliajt. Në podcastim Flasim, ku kishte ftuar 5 kandidatët për kryetar bashkie, shefi qeverisë tha se nëse Kushtetuesja ka vlerësuar se kryebashkiaku i Tiranës nuk mund të largohet veçse me zgjedhje, atëherë sipas tij mbajtja e Erion Veliajt në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave të tij, por edhe në dëm të popullit të Tiranës.
Kryeministri theksoi se ky është një ngërç absurd që duhet zgjidhur, duke shtuar se Tirana ka nevojë për të zgjedhurin e vet. Rama tha se ky është një skandal dhe se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë.
“Ka disa rrjedhime logjike nga ky vendim që dua ti ri nënvizoj, pasi e kam shprehur. Siç duket dhe nuk është hera e parë, unë nuk i paskam kapur të tëra pushtetet, është gjë e mirë që duhet ta pranojnë dhe ata që e kundërshtojnë jo mbi të vërtetat, por mbi të pavërtetat. Tirana nuk do ketë zgjedhje deri në 2027 dhe kushtetuesja mendon se dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë këtu jemi përballë një disproporcioni të dyfishtë, të mbajtjes së tij në qeli në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të tij si person dhe si i zgjedhur për të drejtuar qytetin, por edhe dispropozcioni në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo
Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, por një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo. Edhe kjo është gjeja më normale. E para dhe e dyta janë të sigurta, e treta mbetet për tu parë.
Çfarëdo është thënë, nuk ka thënë të vërtetën lidhur me arsyen e shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga qeveria, si rrjedhojë e vendimit të marrë nga PS në Këshillin Bashkiak. E vërteta është e thjeshtë, Tirana duhet drejtuar, Tirana nuk mund të jetë një trup pa kokë, kryeqyteti i Shqipërisë ka nevojë për të zgjedhurin e vet mbi krye. Kështu që kush ka në dorë të ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duhet të kujtohet se përtej teorive të konspiracioneve, kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë. Ky është një skandal, skandal për të cilin qytetarët e Tiranës paguajnë një kosto”, tha Rama.
Kushtetuesja i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Me një vendim 5 vota pro e 3 kundër, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Barjam Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë. Kushtetuesja argumentoi se Veliaj nuk u pyet duke iu mohuar një proces i rregullt ligjor. Ndërsa thekson se një kryebashkiak mund të shkarkohet vetëm sipas nenit 115 të ligjit themeltar për një shkelje të rëndë.
Komente











