TIRANE-Nesër do të zgjidhen gjashtë anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në garë për t’u bërë pjesë e këtij organi janë 11 kandidatë; Anila Leka, Antoneta Sevdari, Arben Dollapaj, Arta Marku, Besnik Cani, Besnik Muçi, Dritan Prenci, Gentjan Osmani, Kostaq Beluri, Vate Staka dhe Bujar Sheshi. Në votim nesër do të marrin pjesë të gjithë prokurorët e Republikës së Shqipërisë për të votuar gjashtë emrat për KLP-në, të cilët e kanë kaluar vettingun. Sipas nenit 149 të kushtetutës KLP përbëhet nga 11 anëtarë. Gjashtë prej tyre prokurorë dhe pesë anëtarët e tjerë do të jenë nga të zgjedhurit nga parlamenti. Anëtarët e kualifikuar me votim nga parlamenti janë Alfred Balla nga shoqëria civile, Nurihan (Meta) Seitaj, Tartar Bazaj nga avokatia, Genti Ibrahimi dhe Sandër Beci pedagog.
Kreu i KLP-s zgjidhet nga anëtarët jo prokurorë të listës prej 11 anëtarëve dhe ky këshill ushtron mandatin e tij për një afat 5 vjeçar dhe pritet që pas krijimit të propozojë emrin e kryeprokurorit të ri që më pas do të votohet në parlament po ashtu KLP emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon prokurorët e të gjitha niveleve; vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve; miraton rregullat për etikën e prokurorëve dhe mbikëqyr respektimin e tyre; propozon dhe administron buxhetin e tij; informon publikun dhe Kuvendin mbi gjendjen e prokurorisë.
Report Tv ka zbardhur axhendën e ditës së nesërme ku parashikohet që përpos kandidatëve të ketë një fjalë nga Prokurori i Përgjithshëm Arta Marku, e ngarkuara me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leyla Moses –Ones, ambasadori i BE, Luigi Soreca, ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Ndërkohë që një ditë përpara procesit zgjedhor për anëtarët e KLP, ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar përmes një statusi në Facebook. Ambasada kërkon që brenda kësaj jave të ngrihet KLP dhe KLGJ, ndërkohë që thekson se procesi duhet të jetë i lirë dhe transparent.
Deklarata e ambasadës së SHBA
Një gjyqësor i pavarur, i përgjegjshëm dhe profesional do të jetë në dobinë e qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme për reformën në sistemin e drejtësisë. Një sistem drejtësie tërësisht funksional është edhe në interesin e pastër të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Ne i bëjmë thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë që të sigurojnë një proces të lirë dhe transparent zgjedhor për magjistratët në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ngritja e vazhdueshme e institucioneve së reformës në drejtësi duhet ruajtur dhe konfirmuar këtë javë.
Kjo është mundësia që gjykatësit dhe prokurorët t’i japin kontribut dhe formë sistemit shqiptar të drejtësisë, për të ardhmen dhe shpresat e të gjithë shqiptarëve. Ne presim që ata të tregojnë se kanë zotërim dhe përgjegjësi në krijimin e këtyre institucioneve jetike. Ruajtja e këtij progresi, sidomos nëpërmjet krijimit të strukturave gjyqësore të pavarura të parashikuara në reformën Kushtetuese, është një hap thelbësor drejt rrugës së çeljes së negociatave me Bashkimin Europian në qershor 2019.
E kuptoni pse jane bere te gjitha palet kaq keq keto dite. Kane frike nga Reforma. Sot kryefjale duhet te ishte ngritja e KLP dhe KLGj, por Luli,Mona,Rama cnuk po bejne per te prish cdo gje. Cudi qe dhe Ngjela ska folur sot.
Përgjigju