Netanjahu, fjalim në Kongresin amerikan në përpjekje për të forcuar mbështetjen ndaj luftës së Izraelit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu mban të mërkurën një fjalim para Kongresit amerikan, gjatë të cilit do të përpiqet të forcojë mbështetjen për luftën e Izraelit kundër Hamasit.

Vizita e zotit Netanjahu vjen mes presionit në vendin e tij për të siguruar lirimin e pengjeve që ende mbahen nga Hamasi në Rripin e Gazës, si dhe pasigurive politike në Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i Izraelit, përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari po përpiqen prej disa muajsh të ndërmjetësojnë një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit, që do të parashikonte një pauzë në luftime, lirimin e pengjeve dhe rritjen e ndihmave humanitare në Gazë.

Por përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat deri tani, ndërsa luftimet vazhdojnë në Gazë dhe kërcënimi i një konflikti më të gjerë rajonal vazhdon të jetë i pranishëm. Zona përgjatë kufirit Izrael-Liban është e tensionuar dhe militantët Huthi të Jemenit vazhdojnë sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq.

Zoti Netanjahu ka thënë se do të kërkojë mbështetje dypartiake për Izraelin. Vizita e tij në Uashington është bërë një arsye më shumë për polemika mes demokratëve dhe republikanëve. Një numër demokratësh thonë se do të bojkotojnë fjalimin e zotit Netanjahu.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili e ftoi Kryeministrin Netanjahu të fliste, kritikoi mungesën e Nënpresidentes Kamala Harris në seancë si "të pafalshme".

Zonja Harris po udhëton në kuadër të fushatës, disa ditë pasi Presidenti Joe Biden njoftoi se po tërhiqej nga gara. Në seancë nuk do të jetë i pranishëm as senatori republikan J.D. Vance, kandidati republikan për nënpresident.

Senatori demokrat Bernie Sanders tha se nuk do të marrë pjesë në fjalim dhe kritikoi politikat e Kryeministrit Netanjahu në Bregun Perëndimor dhe Gazë. Senatori demokrat Dick Durban tha se megjithëse ai qëndron në krah të Izraelit, “unë nuk do të ngrihem në këmbë dhe të duartrokas kryeministrin e tij aktual".

Kritikët kanë fajësuar qeverinë e zotit Netanjahu për mënyrën se si po e ekzekuton luftën në Gazë, duke argumentuar veçanërisht se Izraeli nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur civilët palestinezë ose për të siguruar hyrjen e ndihmave humanitare.

Izraeli ka hedhur poshtë kritikat dhe ka fajësuar militantët e Hamasit, duke thënë se ata veprojnë në zona që vënë në rrezik civilët.

Fjalimi i zotit Netanjahu të mërkurën në Uashington pritet të shoqërohet me protesta të shumta, pas protestave të ngjashme të martën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe para hotelit ku po qëndron Kryeministri Netanjahu.

Po të martën u mbajt një demonstratë në qendër të Uashingtonit, ku familjet e disa prej pengjeve që ende mbahen në Gazë kërkuan që Kryeministri Netanjahu të pranojë një marrëveshje armëpushimi që do të sillte lirimin e tyre.

Lufta filloi me sulmin e Hamasit ndaj Izraelit në fillim të tetorit që shkaktoi vdekjen e 1200 vetëve. Izraeli u përgjigj me një fushatë sulmesh tokësore dhe ajrore që kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 39,000 personave, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës e cila kontrollohet nga Hamasi dhe nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve./ VOA

S.B/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Skandalozi: 24/07/2024 10:24

    Ky ndyresire qe po masakron nje popull te tere duhet te arrestohet dhe denohet nga gjykata nderkombetare per vepren e genocidit dhe krime te renda kundra njerezimit kurse amerikanet e presin si hero dhe ky eshte turpi me i madh ne histori . Kjo tregon qarte qe perendimoret nuk kane vlera demokratike por vetem duan te dominojne boten nepermjet shantazheve dhe luftrave te pafundme

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Përse Berisha iu gjunjëzua Damianit?

Mero Baze: Përse Berisha iu gjunjëzua Damianit?