Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu do të udhëtojë për në Uashington javën e ardhshme , ku do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump.
Takimi mes dy liderëve do të zhvillohet të mërkurën.
Zyra e kryeministrit izraelit theksoi se në fokus të diskutimeve do të jetë Irani.
Më 6 shkurt, delegacione nga Teherani dhe Uashingtoni zhvilluan bisedime të ndërmjetësuara nga Omani. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se diskutimet ishin shumë të mira.
“Irani duket se dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje. Duhet të shohim se çfarë marrëveshjeje është ajo,” tha presidenti në bordin e Air Force One.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi tha se Irani dhe Uashingtoni besojnë se bisedimet për armët bërthamore duhet të rifillojnë së shpejti pas negociatave indirekte në Oman, edhe pse përjashton diskutimet për programin e tij raketor dhe pasurimin e uraniumit.
Bisedimet u zhvilluan ndërsa ushtria amerikane po forcon praninë e saj në Lindjen e Mesme, si reagim ndaj shtypjes së dhunshme nga Irani të protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë muajin e kaluar.
Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se nga këto përplasje janë vrarë mijëra persona.
Në javët e fundit, presidenti Trump ka kërcënuar se do ta bombardojë Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje. SHBA-ja ka dërguar mijëra trupa dhe atë që Trump e ka quajtur një “armadë” në rajon, përfshirë një aeroplanmbajtëse, anije luftarake dhe avionë luftarakë.
Komente









