Mesdheu është mes rajoneve që pritet të goditen më fort nga ndryshimet klimatike në dekadat e ardhshme. Një studim i publikuar në revistën shkencore Nature Climate Change paralajmëron se, nëse emetimet e gazeve serrë vijojnë në ritmet aktuale, deri në fund të shekullit orët me vapë ekstreme mund të katërfishohen, duke e zgjatur ndjeshëm kohën gjatë së cilës njerëzit do të ekspozohen ndaj temperaturave të rrezikshme.

Sipas studiuesve të Universitetit Sun Yat-sen në Kinë, problemi nuk është vetëm se ditët e nxehta do të bëhen më të shpeshta. Edhe ditët që sot nuk konsiderohen të nxehta mund të kenë disa orë me temperatura ekstreme, ndërsa netët tropikale, që nuk i japin organizmit mundësi të rikuperohet, pritet të bëhen gjithnjë e më të zakonshme.

Për të arritur në këto përfundime, ekipi analizoi temperaturat orë pas ore për periudhën 1981-2023, duke kombinuar të dhënat meteorologjike me modelet klimatike dhe parashikimet deri në vitin 2100. Rezultatet tregojnë se mbi 80% e sipërfaqes tokësore ka përjetuar rritje të kohëzgjatjes së vapës ekstreme, me mesatarisht 62 orë shtesë për çdo dekadë.

Një tjetër gjetje është se rreth 28% e episodeve të nxehtësisë ekstreme kanë ndodhur në ditë që, sipas temperaturës mesatare, nuk do të klasifikoheshin si ditë të nxehta. Kjo, sipas autorëve, tregon se matja vetëm e temperaturës maksimale apo mesatare nuk mjafton për të kuptuar ndikimin real të vapës në shëndetin e njerëzve.

Në skenarin me emetime të larta të gazeve serrë, gjatë periudhës 2070-2099 çdo ditë e nxehtë mund të ketë rreth katër orë më shumë vapë ekstreme krahasuar me sot. Edhe ditët më të freskëta mund të regjistrojnë mesatarisht rreth tre orë shtesë me temperatura shumë të larta.

Studimi paralajmëron gjithashtu se ekspozimi i popullsisë ndaj vapës ekstreme mund të rritet deri në gjashtë herë. Më të prekurit pritet të jenë brezat e rinj, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, pasi gjatë jetës së tyre do të përballen me shumë më tepër episode të nxehtësisë sesa brezat e mëparshëm.

Profesori i Fizikës Atmosferike dhe Klimës në Universitetin e Trentos, Dino Zardi, e cilëson studimin një sinjal serioz alarmi. Sipas tij, ndikimi i vapës nuk varet vetëm nga temperatura që shënon termometri, por edhe nga koha për të cilën trupi mbetet i ekspozuar ndaj saj. Kur temperaturat e larta zgjasin për orë të tëra, organizmi e ka gjithnjë e më të vështirë të rikuperohet dhe rritet stresi termik.

Ekspertët veçojnë pellgun e Mesdheut si një nga zonat që kërkon monitorim të vazhdueshëm, së bashku me zonat malore, akullnajat polare dhe qytetet, ku efekti i "ishujve urbanë të nxehtësisë" mund t'i përkeqësojë edhe më shumë temperaturat. Sipas tyre, sfida e dekadave të ardhshme nuk do të jetë vetëm numri i ditëve të nxehta, por edhe zgjatja e orëve gjatë të cilave nxehtësia ekstreme do të bëhet pjesë e përditshmërisë.