Anija e Administratës Detare amerikane “Cape Ray”, pritet të zhvendoset në një vend ende të paidentifikuar në Mesdhe, bashkë me ekuipazhin që do të kryejë sistemin e hidrolizës, i projektuar nga Departamenti i Mbrojtjes për neutralizimin e komponentëve të armëve kimike me ujë dhe detergjentë.
 
Në bordin e kësaj anije, do të vendosen dy njësi dhe një njësi e tretë do të vendoset në një tjetër vend.
 
Sistemi i hidrolizës, është projektuar nga ushtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të qenë i zhvendosshëm nga një vend në tjetrin, në mënyrë që të shpërndahet, për të filluar operacionin në të gjithë botën, brenda 10 ditësh.
 
Autoritetet janë shprehur se pritet që dy njësi të përballen me 700 ton material toksik, për një periudhë prej 90 ditësh dhe se është hera e parë që një proces i tillë po kryhet në det.
 
Nëse gjithçka do të shkojë sipas planeve, pas degradimit të substancave kimike, “Cape Ray” do t`i dorëzojë ato në një vend ende të paidentifikuar.

impiantet e asgjesimit toksik
(Në foto: Impiantet e asgjesimit të materialeve toksike)
 
“Cape Ray” nuk mund t`i marrë këto armë drejtpërdrejt nga Siria, pasi anijet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk mund të hyjnë në ujërat siriane, për shkak të raporteve të tensionuara mes dy vendeve.
 
Por do të jetë një “derë” e paidentifikuar në Mesdhe, nga ku këto lëndë kimike, do të transportohen më pas për në Shtete e Bashkuara të Amerikës.
 
Sipas autoriteteve përkatëse që po merren me këtë proces, çdo njësi ka kushtuar 5 milionë dollarë.
 
Në një artikull të saj pak kohë më parë, agjencia “Reuters” zbardhi lajmin se armët kimike do të mund të shkatërrohen në det dhe po në këtë artikull, sipas një specialisti të pavarur në këtë fushë, Ralf Trapp, thuhej se një operacion i tillë është teknikisht i mundshëm dhe faktikisht një operacion i tillë në është kryer edhe më parë. Japonia, ka shkatërruar qindra bomba kimike në një impiant “offshore”, apo në det të hapur, disa kohë më parë.
 
Trapp, u shpreh se krijimi i një impianti i shkatërrimit të armëve, mbi një platformë lundruese, nuk mund të jetë më i ndryshëm se ai që u vendos në Detin Paqësor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u shkatërruan një pjesë e mirë e arsenalit kimik deri në vitin 1990.
 
Trapp deklaroi se arsenali i Sirisë, kërkon një trajtim më kompleks, se ai i dy bombave të Luftës së Dytë Botërore, që u gjetën në Japoni, për t’u ç’aktivizuar më pas në Kanada në 2004-2006.
 
Ai u shpreh gjithashtu se arsenali sirian përbëhet nga lëndë kimike, të destinuara për fabrikim të armëve, në një fazë pasardhëse.
 
Që do të thotë se neutralizimi i tyre me produkte të tjerë kimikë, në një proces të quajtur hidrolizë, do të prodhonte sasi të mëdha të lëngjeve toksikë.
 
Sipas Trapp, nëse do të përdoret procesi i hidrolizës, nuk do të kishte mbeturina toksike, por do të kemi probleme të tjera përsa i përket ndotjes ambientale.

impiantet e asgjesimit toksik
(Në foto: Anija “Cape Ray” ku do të bëhet asgjesimi i materialeve toksike)
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)