TIRANE - Kategoria Superiore në kampionatin shqiptar të futbollit rikthehet ditën e sotme me javën e 16-të. Në ditën e parë do të zhvillohen pesë ndeshje kryesore. Ndeshjet e sotme janë Kastrioti-Laçi, Kukësi-Apolonia, Luftëtari-Vllaznia, Flamurtari-Tomori dhe Tirana-Teuta.

Sfidat e ditës së sotme pritet që të dhurojnë shumë të papritura duke u nisur nga pozicionet në të cilat ndodhen ekipet në renditje, gjithmonë nëse nuk do të jenë të trukuara ashtu sikur ndodhi dy javë më parë. Vllaznia pas dy fitoreve spektakolare në Korcë dhe në shtëpi me Kukësin do të udhëtojë në Gjirokastër për tu ndeshur me Luftëtarin e zonës së ftohtë të renditjes.

Ndeshja do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, pasi vendasit janë dënuar. Kuotimet favorizojnë ndjeshëm ekipin e Vllaznisë, stimulin e rrit akoma më shumë edhe presidenca që ofron një tjetër premio në rast fitoreje. Presidenti Agron Çela ka vendosur një premio prej 5 milionë lekësh në rast fitoreje të ndeshjes me Luftëtarin, e cila do të ishte e treta në debutimin e presidencës së re.

Në Jug, Flamurtari ndeshet me Tomorin, të dy ekipet vijnë pas fitoreve dhe kërkojnë ecurinë pozitive. Vlonjatët i kënaq vetëm 3 pikëshi, ndërsa beratasit edhe me një pikë do të ishin ok. Në kryqeytet, Tirana do të përballet me Teutën në një ndeshje që përcakton shumë për ekipin që do të ndjekë më tej Skënderbeun.

Bardheblutë vijnë me një imazh të ri, pasi kanë bërë rokadë në staf. Trajneri Nevil Dede kërkon ta nisë me këmbën e mbarë, ndërsa Magani beson akoma te titulli kampion. Sfidat mes këtyre dy ekipeve gjithmonë kanë dhuruar emocione. Kukësi, pasi është ulur me këmbë në tokë në Shkodër pret Apoloninë që lufton për mbijetesë.