Ndërsa Berisha ka nisë dialogjet me 16 vjeçarët, tue sfidue akuzën e mundshme për mashtrim të minorenëve, dhe nji atmosferë përmallimi paralizues ka kapë të djathtën, tashma të shkatërrueme brinjsh prej këtyne zgjedhjeve, në krye të Republikës lëngon i trumhasun prej ngjarjeve të fundit figura ma kote që ka ba ndonjiherë hije n’atë vend: Bujar Nishani.

Para pak ditësh nji shkrim analitik i A. Doçit (http://www.sot.com.al/politike/shkeljet-kushtetuese-t%C3%AB-bujar-nishanit-presidenti-rrezikon-t%C3%AB-shkarkohet-nga-kuvendi-i-ri)nënvizonte të gjitha shkeljet e kushtetutës që qytetari Bujar Nishani ka ba në këtë vit në krye të Shtetit.

Vetë qenja e Nishanit, njeri pa merita dhe pa cilsina të veçanta, në atë post të naltë u profilue para nji viti si nji akt i pashembullt arrogance i Sali Berishës ndaj opozitës, ndaj ndërkombëtarve dhe ndaj gjithë shqiptarëve. Ndërhymjeve të përsërituna të kryediplomatëve të huej, sidomos atij amerikan dhe atij të BE-së, për nji zgjedhje ma konforme me shpirtin e kushtetutës, Berisha i kundërvuni prepotencën e njohun të atij që përbuzë popullin e vet, ligjet dhe partitë politike opozitare.

Ky vendim i tiji prej ish partiaku të PPSH-së e shndërroi presidencën në nji zyrë ku firmosen letra, pa pasë madje nevojë as me u lexue ndopak. Nji reformim i të gjithë makinës shtetnore kërkon së pari në vjeshtën e ardhshme ndrrimin e këtij kreu të Shtetit dhe zevëndësimin e tij me nji person super partes e mbi të gjitha me nji person me vlera të njohuna e të padiskutueshme, nji njeri të palidhun si me kulisat e regjimit komunist si me ato të pushtetit berishian.

Nishani asht tregue gjatë këtij viti nji kamerier lepe-peqe i familjes Berisha e asgja ma shumë. Shkeljet e tija janë plateale e tregojnë paaftësinë e tij për me i shërbye Republikës. Siç vërente A. Doçi në shkrimin e tij, shkeljet përfshijnë edhe shkatrrimin e Forcave të Armatosuna me lirimin e pamotivuem ligjërisht të shumë ushtarakëve të naltë që nuk i shkonin për shtat klanit Berisha, ato vijojnë me shkarkimin e kreut të Shërbimit informativ Bahri Shaqiri dhe zëvendsimin e tij me nji shërbëtor të Berishës, me zgjedhjen pa konsensus të Prokurorit të Përgjithshëm, me emnimin në Gjykatën e Naltë të njerzve të Berishës, kryesisht individë që kanë veprue haptas dhe vijimisht në kundërshtim me ligjet.

Në gjithë këto akte vihet re bashkëpunimi i tij aktiv në shpërbamjen e vetë sistemit të drejtësisë dhe të shërbimit diplomatik. Tek veprimtaria e Nishanit, përballë tragjikes qëndron pjesa e pandashme komike. Kulmi i qesharakes asht arritë prej Nishanit me emnimin e pretendentit të fronit, i cili mban edhe titullin “princ” si këshilltar të Republikës.

Por ndoshta princi, me praninë e vet të padukshme i shpëton kritikave dhe asht figura ma pak qesharake mes disa këshilltarëve tjerë diletanta e autodidaktë të randuem me veleitete të kota që i shkruejnë fjalimet idiote me aviona, me autostrada, kamiona, makarona...

Nga ana tjetër Nishani ende, nji vit mbas votimit të tij si president, nuk ka ba publike kartelën e tij mjeksore, tue i msheh shqiptarëve entitetin dhe llojin e problemeve fizike që ka. Meqë ka marrë mundimin me drejtue Republikën, qytetarët e saj kanë të drejtë të njihen me kufizimet fizike të presidentit dhe eventualisht me peshën që ato mund të kenë në qëndrimet e tija dhe në ushtrimin e detyrës.

Mos ndoshta e ka ruejt kartelën mjeksore për me u mbrojtë nji të nesërme me të prej akuzave për shkelje të randa kushtetuese?
Për të gjitha këto arsye e për të tjera që kanë të bajnë me dinjitetin e popullit shqiptar, qytetarët e Republikës meritojnë që të kenë ketë vit nji president tjetër, të vërtetë dhe mbi të gjitha nji roje besnike të institucioneve republikane.

Ndërkaq po përpiqemi të harrojmë doktorin ma të famshëm të politikës shqiptare, kardiologun që e ktheu Shqipninë për dy dekada në nji çmendinë, tue mbetë gjithnji të pa mbushun mendjet prej premtimeve të tija hipokrite për tërheqje nga skena politike por të sigurt se çdo hap mbrapa i tiji do të ndërshkohet edhe ma me forcë prej shqiptarëve.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)