Sot feston 99-vjetorin/ Nexhmije Hoxha: Drithërimat që na shkaktoi ekzekutimi i Çausheskut dhe jeta ime pa Enverin

Sot feston 99-vjetorin/ Nexhmije Hoxha: Drithërimat që na shkaktoi ekzekutimi i Çausheskut dhe jeta ime pa Enverin

Nexhmije Hoxha

Sot, më 8 shkurt 2020, Nexhmije Hoxha mbush 99 vjet të jetës së saj. Mbase 100 vjetori do të ishte më interesant për të shkruar, por gruaja e Enver Hoxhës këtë vit bëri të pabërën: Në këtë moshë të shtyrë, botoi një libër interesant, që i befasoi dhe  i sfidoi të gjithë, jo vetëm për nga vëllimi, rreth 530 faqe, por mbi të gjitha për kujtesën dhe konsekuencën në bindjet e saj.

Te ky interesim i jashtëzakonshëm për librin e Nexhmije Hoxhës përzihen të gjitha ndjesitë: që nga simpatia, dashuria, nostalgjia, kurioziteti e deri tek urrejtja. Sepse vetë regjimi ku autorja ka sunduar në krah të bashkëshortit të saj, i kishte të gjitha këto. Dhe më i çuditshëm është fakti thuajse të gjithë, e përshëndesin një botim të tillë.

Më kanë folur e treguar përshtypjet e tyre rreth këtij libri shumë njerëz dhe kam parë se libri ka zgjuar interesin e gjithë krahëve të politikës. E kanë lexuar librin të majtë e të djathtë, pasi autorja nuk është një njeri sidokudo: Është gruaja e Enver Hoxhës që flet! Është një histori më shumë se 70-vjeçare që shpaloset në faqet e atij libri. Të gjithë bashkohen në një pikë: te kthjellësia që ka treguar autorja, por edhe tek një përgjegjshmëri maksimale që tregon mbi të kaluarën, ku ajo ka qenë protagoniste në krah të Enverit.

Mos prisni që ajo të shajë apo kritikojë Enverin. Ajo është tërësisht konsekuente në mbrojtjen maksimalisht të figurës së të shoqit, të cilit nuk i njeh asnjë gabim. Ashtu sikurse bën edhe i biri, Ilir, apo Teuta, bashkëshortja e përkushtuar e Ilirit. Sepse po ra Enveri, bie dhe Nexhmija. Enveri dhe Nexhmija janë një. Në të mirat dhe ato anë të diskutueshme apo të errëta që përfliten për ta.

Ka shumë detaje domethënëse aty dhe ish komunistët përpiqen të kuptojnë pse dështoi regjimi i tyre gjysmë shekullor. Nga ana tjetër, po aq interes kanë edhe ish-kundërshtarët e atij regjimi…

Ishte e pamundur që Nexhmije Hoxha t’i kënaqte të gjitha palët me këtë libër. Mbase më të kënaqur, në këtë rast, janë historianët, të cilët tashmë kanë një libër preferencial në duar dhe kanë mundësi të bëjnë verifikimet e nevojshme, t’i referohen këtij libri dhe të arrijnë në konkluzione sa më të sakta.

Më duket absurde t’i uroj Nexhmije Hoxhës edhe 100 vite të tjera. Ajo vetë do të qeshte me të madhe me një shprehje të tillë hipokrite. Autorja më ka shkruar se ky është libri i fundit i jetës së saj. Por një komunist i paepur ka shprehur dëshirën që të lexojë libra të tjerë prej saj. Pra, le të shpresojmë t’u plotësohet dëshira komunistëve.

 

JETA IME POLITIKE DHE FAMILJARE PA ENVERIN

Që të nesërmen e 15 prillit, pas ceremonive të përcjelljes së Enverit, ne hapëm derën e shtëpisë, që, sipas zakoneve të popullit, të prisnim ngushëllimet në familje. Unë prita vetëm tri ditë, kurse motrat e Enverit, Sanoja, Haxhoja dhe familjarët e tjerë, kur ishin të lirë, pritën një javë.

Njerëz të thjeshtë nga i gjithë vendi vinin me autobusë e trena, për të bërë homazhe te varri i Enverit dhe, pas homazheve, me nisiativën e tyre, organizoheshin në grupe dhe vinin të vizitonin familjen e tij. M’u desh t’i kërkoja aparatit të KQ të Partisë të ndërhynte pranë komiteteve të partisë të rretheve që të përmbanin nisjen e grupeve të  njerëzve për në Tiranë, që nuk po reshtnin së ardhuri gati çdo ditë. Nuk mungonin as nxënësit e shkollave nga çdo cep i Shqipërisë, deri edhe pionierët e fatosat, që vinin me vjershat e tyre për “xhaxhi Enverin” dhe donin t’i recitonin para nesh. Pra, vendosa t’i ndërpresim këto vizita në grupe të njerëzve nga rrethet, me arsyetimin se Enverit iu bënë të gjitha nderet dhe nuk ishte më koha për vizita masive për të na ngushëlluar.

Pas kësaj, vinin, herë pas here, veç e veç, ndonjë veteran i Luftës Nacionalçlirimtare ose nënë dëshmori, apo të afërm të Enverit, të cilët i prisja edhe unë, pasdrekeve. Gjithashtu, vazhdonin të më vizitonin shokë të Byrosë Politike e të KQ, shoqe të mia, miq e bashkëpunëtorë të mi të punës, të cilët nuk më lanë vetëm në ato ditë të dhimbjes së madhe.

Pas ndërprerjes së vizitave, boshllëkun që ndjeja në shpirt u përpoqa ta mbushja me punë. Ngarkesa emocionale ishte e madhe, por më duhej të mblidhja të gjitha forcat për të mos e lëshuar veten në krahët e dëshpërimit. Ngushëllim i madh qe për ne, kur pamë dhe ndiem që Enveri rronte në zemrën e madhe të popullit.

Gjithashtu, ma lehtësuan dhimbjen sidomos fëmijët e mi, të cilët më qëndruan pranë dhe më ndihmuan të kapërceja vështirësinë e madhe që kisha sidomos kur kthehesha nga puna dhe nuk po mësohesha dot me vendin bosh në tryezën e bukës, në studio, në dhomën e gjumit. Ata nuk më lanë kurrë vetëm. Ilaç u bënë për mua ato ditë sidomos të shtatë nipërit e mbesat, me të cilët kaloja kohë, duke bërë çmos që t’u plotësoja atë boshllëk që u kishte lënë gjyshi.

Por një lehtësim i madh për mua ka qenë sidomos dalja ime nga shtëpia dhe vajtja në punë, në zyrë. Bashkëpunimi i pandërprerë me shokët e zyrës për redaktimin dhe botimin e vëllimeve të serisë së Veprave të Enverit, që vazhduan të botohen edhe në 4-5 vitet pasardhëse, më dha forcë dhe kënaqësi që nuk po lija në mes punën e nisur. Gjithashtu, me durim e këmbëngulje, e kam mbushur kohën duke u marrë me sistemimin e dokumenteve dhe të arkivit shtëpiak, si ditarët e Enverit, shënimet e tij, korrespondencën etj.

Kjo më jepte forcë, pasi, kur i kaloja nëpër duar ato fletore apo skeda me shkrimin e tij, më dukej sikur e kisha pranë Enverin tim të shtrenjtë dhe bisedoja me të. Kur kthehesha pas pune në shtëpi, nuk më rrihej pa hyrë në bibliotekën e Enverit, ku ai kishte të vetmen pasuri të tij, librat e shumtë, dhe kalonte një pjesë të mirë të kohës.

Shpeshherë fëmijët na gjenin të dy në bibliotekë. Futesha aty, prekja me dorë librat, që ai i kishte shfletuar herë pas here; rrija dhe lexoja aty gazetat dhe lajmet e agjencive të huaja të shtypit, që vlerësonin personalitetin e Enverit për çka bëri për Shqipërinë dhe për rolin e tij, si në politikën e brendshme, edhe në atë të jashtme. Njihesha me letrat dhe telegramet e shumta që erdhën nga shqiptarët e diasporës, nga shoqatat e shumta të shqiptarëve të SHBA, të Amerikës Latine e deri tek ata të Australisë, nga emigrantët kosovarë në vende të ndryshme të Europës e deri nga arbëreshët e Italisë, arvanitasit e Greqisë etj. Aty lexova edhe shumë letra të ngrohta, me vlerësime të larta për Enverin, që kishin dërguar edhe mjaft Shoqata të Miqësisë me Shqipërinë nga vende të ndryshme të Europës, Azisë, Afrikës etj.

Ditët dhe muajt pa Enverin kalonin, por në mendje dhe në zemër unë ndjeja praninë e tij në çdo hap. Kishim kaluar bashkë afro gjysmë shekulli, një jetë të tërë. Ndaj nuk mund ta largoja nga mendja për asnjë çast. Sidomos kur gjendesha vetëm në shtëpi, qëndroja pranë portreteve të tij, bisedoja me të, dëgjoja fjalët e tij, ndiqja mendimet e tij dhe kjo sikur ma hiqte vetminë. Kështu, duke jetuar me kujtimet e Enverit e ndjeja veten më të lehtësuar. Për këtë ndihmuan shumë edhe aktivitetet, që zhvillonin me nisiativën e tyre në përkujtim të Enverit masat e popullit, në qytete dhe fshatra. Organizatat e Frontit në lagje dhe në blloqe pallatesh, si dhe ato në fshatra, në një ditë të javës, siç e quajtën, “E shtuna e Enverit”, dilnin të organizuar vullnetarisht për pastrimin e ambientit përreth. Nëpër ndërmarrje, në fshatra a në qytete të vogla të vendit organizuan mbledhje përkujtimore për vizitat që kishte bërë Enveri në ato anë dhe nëpër familje atdhetarësh të shquar a dëshmorësh të Luftës Nacionalçlirimtare. Rinia, nga ana e saj, organizoi inkursione në rrugët e zonat malore ku kishte kaluar e qëndruar Enveri në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare etj. Për shumë nga këto takime dhe festime, unë mora shumë ftesa, që të vizitoja rrethet dhe të merrja pjesë, bashkë me fëmijët e mi në ato veprimtari. Por dashurinë dhe nderimin për prijësin e dashur, Enverin, populli e dëshmoi edhe në disa forma të tjera që linin mbresa. Me nisiativën e tyre, njerëz të thjeshtë ndërmorën veprime, që do t’i quaja thjesht njerëzore. Si, bie fjala, ato familje, që kishin caktuar datën e martesës së çifteve të reja në muajin prill të atij viti, nuk i shtynë ato, pasi, sipas zakonit, shtyrja nuk sjell mbarësi, por evituan muzikën në dasma etj.

Në atë periudhë shumë të vështirë për mua, ndjeva sikur Enveri më erdhi pranë edhe ngaqë u zhvilluan njëra pas tjetrës disa veprimtari në kujtim të jetës dhe të veprës së tij. Shtysë për këtë u bë edhe botimi i librit të Ramiz Alisë, “Enveri ynë”, i cili u prit mirë dhe rreth tij u organizuan biseda dhe konferenca.

Nga ana tjetër, që në fillimet e marrjes së përgjegjësisë nga Ramiz Alia, si Sekretar i Parë, Byroja Politike dhe Qeveria morën disa vendime për t’u vënë emrin e Enver Hoxhës disa qendrave pune dhe institucioneve arsimore, si Kombinati i Autotraktorëve, në Tiranë, Porti Detar i Durrësit, Kooperativa Bujqësore e tipit të lartë e Plasës, në rrethin e Korçës, dhe Universiteti Shtetëror i Tiranës. Kur kishin kaluar afro dy vjet pa Enverin, pas gjithë atyre shqetësimesh serioze fizike e shpirtërore, që më kishin nisur qysh me rëndimin e sëmundjes së Enverit, unë pata disa shqetësime serioze shëndetësore. Në konsultat me mjekët, m’u rekomandua dhe m’u dha mundësia të shkoja në Paris, për disa analiza më të specializuara. Ishte muaji maj i vitit 1987. E shoqëruar nga vajza ime, Pranvera, vajta dhe u shtrova, për 3-4 ditë, në spitalin e ri “Bichat”, emër ky i një mjeku të shquar autodidakt. Pasi më bënë kontrollet mjekësore për analizat, më thanë të prisja përgjigjet e tyre.

Sa të qëndroja e shtruar në spital, mendova që për një a dy ditë të shkoja, bashkë me Pranverën, në Montpelje, ku Enveri kishte jetuar dhe studiuar 3 vjet, si për t’u çmallur me të. Sa ishte gjallë Enveri, unë kisha qenë në Paris, në vitin 1963 dhe 1965, edhe atëherë vetëm për analiza shëndetësore. Mbaj mend që atëherë nuk lëviza jashtë Parisit, pashë kalimthi me makinë rrugët e Parisit dhe Tur Ejfelin. Munda t’i hedh një sy Luvrit, muzeut me famë botërore të pikturave dhe piktorëve me emër gjatë shekujve, të cilin unë e kisha parë në një album, që e kishte Enveri në bibliotekën e tij, bashkë me disa albume të muzeve të tjera më të shquara të Evropës.

Por këtë herë, kur Enverin nuk e kisha më, e ndieja të nevojshme të shikoja ku kishte jetuar e studiuar ai. Shkova atje, e shoqëruar nga një punonjës i ambasadës shqiptare. Në Montpelje, ambasada jonë kishte një mik francez, i quajtur, me sa më kujtohet, Jeamot, që kishte qenë disa herë në Shqipëri dhe kishte marrë përsipër të kujdesej për dhomën ku kishte banuar Enveri gjatë 3 viteve të studimeve në Montpelje. Ai mbante lidhje me zonjat e shtëpisë dhe shoqëronte vizitorët që rekomandonte ambasada. Jeamot na shoqëroi edhe ne kur vajtëm në atë shtëpi, si dhe në Rektoratin e Universitetit.

Natyrisht, zonjat e shtëpisë që gjetëm aty, ishin krejt të tjera dhe jo trashëgimtare të atyre që më kishte treguar Enveri. Ishin dy gra, nënë e bijë ose vjehërr e nuse, të cilat kujdeseshin për dhomën ku kishte fjetur e studiuar Enveri. Pashë që dhoma ishte e mobiluar thjeshtë, me gjërat e domosdoshme për një student dhe e veshur krejt me punime korçare, me qilim, me çull të kuq e me theka, me çarçafë e jastëkë të qëndisur nga vajzat dhe gratë korçare. E vështrova dhomën në çdo cep, preka çdo objekt dhe u ndjeva shumë e emocionuar, ngaqë më dukej se prekja gjurmët e gishtave të Enverit. Dola edhe në ballkonin që kishte dhoma, ku përfytyroja Enverin duke pirë cigare ose duke ndenjur pasdrekeve, duke vështruar rrugën, njerëzit dhe shtëpitë përballë, dhe, me siguri, kujtonte me mall shtëpinë dhe familjen e tij në Gjirokastër.

Pasi i përshëndetëm dhe i falënderuam dy zonjat e shtëpisë për pritjen e ngrohtë, shkuam në Rektoratin e Universitetit të Montpeljesë, ku na priti, me shumë xhentilesë, zëvendësrektori, me të cilin zhvilluam një bisedë me interes reciprok: ne për universitetin dhe ai për Shqipërinë e diçka më shumë për jetën e Enverit. I thashë se Enveri më kishte folur edhe për kopshtin botanik të Universitetit. Ai ndodhej aty pranë dhe zëvendësrektori na mundësoi ta vizitonim. Tek shikoja bimët dhe lulet, sillja ndër mend që kur shkonim me Enverin në Pogradec, ku kishte shumë lule, ai m’i thoshte të gjithë emrat e tyre në frëngjisht, një për një, ndërsa unë, shumë prej tyre nuk ua dija emrat as në shqip.

Pasi u çmalla pak me Enverin në Montpelje, u larguam prej aty. Me të marrë përgjigjet e analizave mjekësore, u kthyem në atdhe, me mbresa të paharruara për atë copëz jete që Enveri kishte kaluar në Francën e revolucioneve, ku ai mësoi shumë nga historia dhe kultura e shkëlqyer e popullit të saj, gjuhën e të cilit e fliste në mënyrë të përkryer.

Në vitin 1988, me vendim të posaçëm, të propozuar nga kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, dhe nga Qeveria, u organizua përkujtimi i 80-vjetorit të ditëlindjes së Enverit. Gjatë këtij viti jubilar u planifikuan dhe u zhvilluan shumë veprimtari, politike, shoqërore e kulturore, në shumë prej të cilave kam asistuar edhe unë. Me interes qenë sidomos disa seminare dhe konferenca shkencore, biseda dhe mbledhje përkujtimore, kushtuar jetës, mendimit dhe veprës së Enver Hoxhës. Këto ma sollën edhe më pranë Enverin, pasi për të flitej jo vetëm në këto veprimtari, por edhe në radio dhe televizion, në shtyp dhe në botime të ndryshme. Atë vit u përgatitën dhe u botuan edhe dy libra me kujtime të bashkëluftëtarëve të Enverit në Luftën Nacionalçlirimtare dhe të disa personaliteteve të shkencës, letërsisë dhe të arteve, si prof. Aleks Buda, shkrimtari Ismail Kadare, Artisti i Popullit Odhise Paskali e shumë të tjerë. U botuan, gjithashtu, 3 vëllime me një pjesë të korrespondencës së Enverit me popullin dhe personalitete të ndryshme; u grumbulluan në Institutin e Kulturës Popullore vjershat e këngët popullore, kushtuar në vite Enverit, dhe u botuan 2-3 vëllime me to. Krahas këtyre, atë vit, në muajin tetor, përfundoi dhe u përurua Muzeu Enver Hoxha, në Tiranë, u vendos në Sheshin “Skënderbej” të Tiranës shtatorja e Enver Hoxhës, vepër e realizuar nga Skulptori i Popullit Shaban Hadëri dhe Piktori i Popullit Sali Shijaku, sipas mendimit tim, e arritur shumë bukur. Po ashtu, në një pikë soditjeje të mrekullueshme të të gjithë horizontit rreth Gjirokastrës, u vendos momumenti i Enver Hoxhës, realizuar nga Skulptori i Popullit Mumtaz Dhrami, dhe në Korçë shtatorja e Enverit në moshën e rinisë, vepër e skulptorit Hektor Dule. Përveç tyre u vendosën buste të udhëheqësit edhe në qendrat që morën emrin “Enver Hoxha”.

Të gjitha këto vepra skulpturore u përgatitën në një kohë rekord, pas konkurseve të shpallura me kohë për krijimin e tyre dhe u inauguruan njëra pas tjetrës, me mitingje masive popullore. Unë, personalisht, dhe me familjen time, morëm pjesë, me shumë emocion, në inaugurimin e Muzeut “Enver Hoxha”, vepër e shkëlqyer e arkitektit të talentuar, Klement Kolaneci, zbukuruar, në hollin e tij, nga statuja e mermertë e Enverit, realizuar nga skulptori i shquar Kristaq Rama.

Kujtoj këtu që, sa ishte gjallë, Enveri nuk lejoi të bëhen vepra arti, skulptura, piktura, romane dhe gjini të tjera letrare, emërtime sheshesh, ndërmarrjesh e institucionesh me emrin e tij dhe të tjera nisiativa që ngrinin kultin e individit. Por, pas vdekjes së tij, nën ndikimin e masave popullore, pati një shpërthim nisiativash, që u morën nga komunistët dhe nga rinia, në fshatra, në lagjet e qyteteve dhe që u mbështetën nga Partia dhe Qeveria.

Këtu dua të vë në dukje se shprehjen e nxehtë të nderimit dhe të dashurisë së pakufishme të popullit tonë ndaj Enver Hoxhës unë e përjetova personalisht, me emocione shumë të thella, jo vetëm në vitin e 80-vjetorit të lindjes së Enverit, por gjatë gjithë periudhës 1985-1989. Këto i shihja në sytë dhe në fjalët e njerëzve që takoja në çdo takim a tubim popullor. Po kështu, jam ndier shumë e emocionuar dhe krenare në Kongresin e 9-të të Partisë, në Kongresin e Rinisë (BRPSH), ku pati brohoritje dhe ovacione pa mbarim për Enver Hoxhën, sa të dukej se aty ishte prezent vetë ai… Dhe, në fakt, ai ishte i pranishëm në çdo fjalim, diskutim e përshëndetje.

Duke u kthyer në atë kohë, mund të them se për mua ka qenë shumë i papritur njoftimi, që më bëri R. Alia për propozimin e Byrosë Politike që unë të zgjidhesha Kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë, post shumë i nderuar ky, që e kishte pasur vetë Enver Hoxha dhe, më pas, Ramiz Alia. Këtë propozim e paraqiti vetë R. Alia në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit. Ai dha dorëheqjen nga ky post, për shkak të dy funksioneve të tjera të larta, që kishte në Parti dhe në Shtet. Këshilli i Përgjithshëm e miratoi njëzëri. Zgjedhja ime si Kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë u prit me kënaqësi nga organizatat e Frontit në bazë, nga veteranët e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë dhe nga anëtarët e FDSH, komunistë e pa parti, nga të cilët mora shumë telegrame e letra urimi.

Ky pozicion i ri politik, shumë i nderuar për mua, më angazhonte në detyra të reja. Ai nuk solli asnjë ndryshim në trajtimin tim material, si në rrogë etj. Unë e konsiderova këtë një detyrë me përgjegjësi dhe një preokupim të madh për mua, pasi tani, kisha një vend të ri në protokollin shtetëror, menjëherë pas Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Kryeministrit, dhe më duhej të isha sa më pranë organizatës më të madhe të masave, siç ishte Fronti Demokratik. Kjo detyrë më diktonte të ndërmerrja edhe udhëtime në rrethe të ndryshme të vendit, vizita në ndërmarrje ekonomike, institucione kulturore, artistike etj., për t’u takuar me strukturat e organizatës së Frontit në bazë, me popullin, me artistë, intelektualë etj.

Më kujtohet që, në këtë kohë, munda të bëja vizita në dy rrethe të vendit, në Sarandë dhe në Tropojë. Në këto dy raste, për shkak të shëndetit tim dhe të largësisë, m’u tha të përdorja helikopterin qeveritar, pasi kjo parashikohej në protokollin shtetëror.

Në Sarandë shkova në maj të vitit 1989. Kisha qenë atje disa herë me shërbim. Kisha kujtime të pashlyera nga vizita që bëri Enveri aty, në mars të vitit 1978, ku e shoqërova edhe unë. Por këtë herë, edhe pse isha pa Enverin, populli i këtij rrethi më la përshtypje të paharruara, më dha shumë emocione, sepse në çdo rast brohoritej dhe flitej për kujtimin dhe lavdinë e Enver Hoxhës. Presioni i papërmbajtur i njerëzve për të më takuar, për të qenë sa më afër meje, më mbushte me emocione, por edhe u krijoi vështirësi forcave të rendit, ngaqë turmat, nga entuziazmi i papërshkruar dhe, duke dashur të ishin sa më afër, vunë në rrezik edhe tribunën nga ku po i përshëndesja.

Një entuziazëm i tillë u pa edhe te populli i Tropojës, ku vajta me shumë dëshirë, pasi ishte i vetmi rreth i Shqipërisë ku nuk kisha qenë asnjëherë. Vizita ime atje plotësonte edhe një peng timin, për të qenë mes malësorëve tropojanë. Vajta në Tropojën e Bacë Bajramit vetëm pak muaj përpara turbullirave politike të viteve 1990-1991. Ajo ka qenë vizita e fundit, që unë bëra jashtë Tiranës. Edhe sot kujtoj me kënaqësi pritjen që m’u bë nga banorët e Malësisë së Gjakovës, atë entuziazëm të turmave popullore, shfaqjen masive të dashurisë dhe të besnikërisë ndaj Enver Hoxhës.

Duke i kujtuar këto dy vizita, duke kujtuar gjithë ato letra, që mora më pas nga njerëz dhe fshatra të këtyre dy rretheve dhe të krahinave të tjera të Shqipërisë, shpesh rri e mendoj dhe pyes veten: “Si dhe pse ndodhi ajo përmbysje e papritur? Në ç’bodrume, në ç’sallone e në ç’kancelari u përgatitën planet, skenarët dhe masat për përmbysjen e sistemit në Shqipëri, për shkatërrimin e gjithçkaje që vetë populli e kishte ngritur me gjakun e djersën e tij, nën udhëheqjen e Partisë dhe të shokut Enver?”.

…Në kancelaritë e fuqive të huaja, në shërbimet e tyre të fshehta nuk munguan preokupimet ndaj Shqipërisë së vogël socialiste. Nga fundi i këtij viti, ndodhën dy ngjarje të bujshme, që paralajmëruan se në Europën Qendrore dhe Lindore po afroheshin furtuna të rrezikshme për rendin socialist-komunist, duke mos lënë jashtë edhe Shqipërinë.

Në muajin nëntor, me marrëveshjen Kohl-Gorbaçov, u hap komunikimi me rrëzimin e Murit të Berlinit mes dy Gjermanive, asaj Perëndimore dhe Lindore, ngritja e të cilit, në vitin 1961, ishte quajtur nga Enveri një “marrëzi e Hrushovit”.  Në nëntor të atij viti, berlinezët e Gjermanisë Lindore e të asaj Perëndimore u sulën me një mllef të papërmbajtur dhe e rrëzuan gur pas guri Murin e Ndarjes.

Një muaj pas rënies së Murit të Berlinit, në krishtlindjet e dhjetorit të 1989-ës, një ngjarje tjetër, kësaj radhe e shëmtuar e makabre, ngjau në Rumani, ku u arrestuan presidenti Nikolae Çaushesku dhe e shoqja, Elena, dhe si në fshehtësi, pas një gjoja gjyqi, të sajuar aty për aty, i pamë në televizor të pushkatohen ballë për ballë, me shpatullat pas murit, në një ambient të mbyllur, në një qytezë a fshat larg Bukureshtit, me urdhër dhe me organizimin drejtpërdrejt të asaj pjese të udhëheqjes së PKR, karrieriste, të vënë në shërbim të sovjetikëve.

Një akt i tillë u kritikua shumë dhe u komentua keq nga shtypi dhe mediat vizive perëndimore. U tha, atëherë, se ky gjyq dhe ky fund i shëmtuar i Çausheskëve u nxit nga sovjetikët, të cilët, siç kisha dëgjuar edhe nga Enveri, nuk duronin që Çaushesku “guxonte të mburrej” si drejtues i Aleancës “Kinë, Rumani, Jugosllavi” (pas vdekjes së Titos) në Europë, aleancë që ishte kundër Bashkimit Sovjetik.

Po Shqipëria?! Më kujtohet që atëherë, kur e pyetën Ramiz Alinë lidhur me ato që po ndodhnin në kampin socialist, ai deklaronte: “Jo, në Shqipëri nuk do të ketë ndryshime si ato në vendet Euro-Lindore”. Kjo ishte në atë kohë bindja e udhëheqësve të lartë të Partisë së Punës e të Shtetit socialist të Shqipërisë e, natyrisht, edhe imi. Në fund, dua të theksoj se, për shkak të ngjarjeve, që ndodhën në fillim të viteve nëntëdhjetë, periudha 1985-1989, për të cilën fola më sipër, mund të konsiderohet si periudha përmbyllëse e 45-vjeçarit të pushtetit popullor, e sigurisë, e qetësisë së jetës së popullit shqiptar. Por, në njëfarë mënyre, unë mund ta quaj atë edhe si periudha përmbyllëse e atij roli dhe e asaj veprimtarie aktive, personale, në jetën politike-shoqërore, që unë kam zhvilluar gjatë 45 vjetëve të regjimit socialist./ Dita

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja