Përpara fillimit të kampionatit botëror të Brazilit, ka folur për mediat sulmuesi i talentuar i ‘Selecaos’ Neymar duke shpalosur objektivat personal, por edhe në nivel ekipor. Sulmuesi ka kërkuar mbështetje nga i gjithë Brazili për një event duke lënë pas protestat dhe situatën e agravuar që mbizotëron në ditët e fundit në të gjithë vendin. “Kur Brazili e fitoi për herë të fundit Kupën e Botës unë isha vetëm 10 vjeç.

Finalen e ndoqa në shtëpi dhe isha tifoz i Ronaldos dhe në fund festova me thirrjet jemi kampionë, jemi kampionë. Kupa e Botës ka qenë gjithmonë objektivi im. Jetoj prej kohësh me presionin mbi shpinë dhe nuk e kam humbur kurrë qetësinë. Jemi një skuadër e bashkuar, jam I lumtur për veten dhe për vendin tim. E di që fanella me numër 10 ka një vlerë të veçantë, do të bëj gjithçka të mundur për të mos e tradhtuar.

Përpara kemi rrugë shumë të gjatë dhe ndeshje shumë të vështira, por kam besim të plotë te grupi dhe publiku që e ftoj të na mbështesë. Ky është momenti ynë, duhet ta shfrytëzojmë” tha ai. Më pas Neymar ka folur edhe për idhujt e tij në fëmijë. “Idhujt e mi janë Ronaldinjo, Ronaldo, Messi dhe Kristiano Ronaldo. Kam parë shumë filmime me driblimet e tyre. Driblimi është një art më vetë, sepse duhet të dish si ta impostosh trupin për të mashtruar kundërshtarin” përfundoi ai.

Vidal në udhëkryq
Kur duhen edhe pak orë nga fillimi i kampionatit botëror të Brazilit, 32 ekipet pjesëmarrëse po u japin dorën e fundit përgatitjeve. Radha e dëmtimeve nuk ka lënë pa prekur edhe një tjetër yll si Arturo Vidal, i cili sipas stafit mjekësor të kombëtares së Kilit ende nuk është riaftësuar plotësisht dhe po shikohet mundësia e zëvendësimit.

Megjithatë mjekët janë duke bërë analizat e fundit për të parë që nëse mesfushori do të mund të rikuperohet pas ndeshjes së parë me Australinë. Nëse do të ndodhte një gjë e tillë, atëherë nuk do të largohej nga grupi, por nëse rezultatet dalin negative atëherë botërori do të humbasë një tjetër yll. Ditët e fundit Vidal është duke u stërvitur i vetëm nga grupi në pritje të përgjigjes përfundimtare të analizave për shkallën e dëmtimit në gju.
 

d.b/shqiptarja.com