Neymar vijon të bëjë zhurmë jashtë fushave të blerta. Ylli brazilian i PSG-së është filmuar në një nga hotelet luksoze të Parisit duke luajtur poker. Ka qenë vetë faqja e “Poker Stars” që ka publikuar fotot e sulmuesit duke luajtur, teksa Neymar është vendosur në qendrën e një cikloni komentesh.
Fansat e PSG-së kanë reaguar keq për sulmuesin e tyre në kanalet e komunikimit, me veprimin që vjen një ditë pas humbjes së PSG-së në Champions League me Bayern Munich, aty ku Neymar me shokë nuk mundi të lërë gjurmë.
Pritet që PSG të marrë masa për sulmuesin, teksa edhe një javë më parë ai ishte në qendër të vëmendjes për festat private në vilën e tij. I denoncuar disa herë nga fqinjët, ka qenë policia që ka ndërhyrë për të vendosur qetësinë në një nga zonat më të shtrenjta të Parisit.
Duket se aktivitetet jashtë fushës së futbollit kanë bërë që Neymar mos japë më të mirën me PSG-në, teksa priten masa nga kampionët në fuqi të Francës.