Trajneri i kombëtares së Brazilit në futboll, Carlo Ancelotti, u shfaq i qetë dhe i bindur pas fitores dramatike 2-1 ndaj Japonisë në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026, duke theksuar se në asnjë moment nuk kishte humbur besimin te skuadra e tij dhe se 'Seleçao' po tregon progres të vazhdueshëm.
“Gjatë pjesës së parë u thashë lojtarëve të ishin të duruar, sepse herët a vonë do të shënonim. E rëndësishme ishte të ruanim strukturën tonë. E dimë që jemi në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojmë kështu”, deklaroi tekniku italian pas ndeshjes.
Brazili u gjend në disavantazh pas golit të Kaishu Sano në pjesën e parë, ndërsa paraqitja e dobët ngriti dyshime për eliminimin e mundshëm të pesë herë kampionëve të botës. Megjithatë, Casemiro riktheu baraspeshën, ndërsa Gabriel Martinelli, i aktivizuar nga stoli, realizoi golin e fitores në kohën shtesë.
Sipas Ancelottit, ndryshimet taktike në pushimin mes pjesëve ishin vendimtare për përmbysjen e rezultatit.
“Në fillim u përpoqëm të krijonim epërsi në mesfushë, por nuk funksionoi sepse ata mbronin shumë ngushtë. Në pjesën e dytë ndryshuam qasjen, luajtëm më shumë në thellësi dhe qarkulluam topin më mirë në fazën sulmuese. Në fillim e kishim të vështirë të gjenim hapësira, por më pas e zgjidhëm këtë problem shumë mirë”, u shpreh ai.
Trajneri zbuloi gjithashtu se kishte menduar të aktivizonte Neymarin nëse Brazili nuk do të arrinte të barazonte rezultatin.
“I thashë Neymarit se nëse nuk barazonim deri në një moment të caktuar, do ta fusja në fushë”, tha Ancelotti.
Megjithatë, 34-vjeçari vazhdon të ketë një rol të kufizuar në këtë Kupë Bote, pasi deri tani ka luajtur vetëm 15 minuta si zëvendësues në ndeshjen ndaj Skocisë, kur fitorja ishte siguruar tashmë.
Lajmi kryesor:
Botërori 2026/ Përmbysje me 'zemër në dorë' kundër Japonisë, Brazili kualifikohet në 1/8-t falë Martinelli-t





