Sulmuesi brazilian, Neymar, ka zgjatur kontratën e tij me Santosin deri në fund të vitit 2026, ndërsa synon të fitojë një thirrje nga Ancelotti për Kupën e Botës 2026.

33-vjeçari, i cili u rikthye në klubin e fëmijërisë në janar 2025, nuk ka përfaqësuar Brazilin, fituesin e pesë Kupave të Botës, që nga viti 2023 për shkak të problemeve me lëndimet.

Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Paris Saint Germain luajti edhe pse kishte dhimbje nga dëmtimet për të ndihmuar Santosin të shmangte rënien nga liga e parë e Brazilit sezonin e kaluar, duke shënuar pesë herë në pesë ndeshjet e fundit.

Më pas ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në gjurin e majtë, për të riparuar një menisku të dëmtuar dhe për të rritur shpresat e tij për t’u përfshirë në planet e trajnerit të Brazilit, Carlo Ancelotti, këtë verë.

"Santos është vendi im, jam si në shtëpi", tha Neymar në një video të postuar në rrjetet sociale të klubit.

Ai u tha fansave: “Jam me ju që dua të arrij ëndrrat që ende mungojnë.”

Ancelotti tha në tetor se Neymar, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me Brazilin me 79 gola, duhet të jetë plotësisht i gatshëm për t'u rikthyer në ekip. Neymar qëndroi 12 muaj jashtë fushave pasi këputi ligamentin e kryqëzuar anterior (ACL) në tetor 2023. Ai duhej të rikthehej në ekipin kombëtar vitin e kaluar pas një mungese 17-mujore, por u detyrua të tërhiqej nga skuadra për shkak të një dëmtimi muskulor.

Brazili do të përballet me Skocinë, Marokun dhe Haitin në Grupin C në Kupën e Botës 2026, e cila fillon më 11 qershor në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.