TIRANË- Nga 1 janari 2021 qeveria do të japë 1.2 mld lekë për rimbursimin e ilaçeve COVID.  Lajmi u bë i ditur nga deputeti i PS-së, Anastas Angjeli në komisionin e Ekonomisë.

"Duke parë vijimin e pandemisë dhe përshpejtimin e saj, ne morëm në konsideratë një çështje jetike, që është futja e paketës së ilaçeve për kurimin nga COVID-19, në paketën e ilaçeve me rimbursim, nga përllogaritjet e bëra është e nevojshme shtimi i buxhetit me 1.2 miliardë lekë, për të rimbursuar ilaçet për çdo person që preket dhe kurohet me ilaçet", tha Angjeli.

Relatori i buxhetit, Anastas Angjeli tha qeveria pritet të dalë me një vendim ku do të përcaktojë listën dhe koston e barnave të rimbursueshme për të prekurit me COVID.

 “Në VKM e qeverisë të ilaçeve të rimbursuara do dalin numri i ilaçeve  të cilat janë të përdorshme dhe tani unë personalisht nuk i kam hyrë kësaj  sepse aty do dali një protokoll I caktuar ilaçesh por suoyojmë që një i sëmur me COVID do marrë një antivirus dhe një për imunitet dhe do përcaktohet ne kemi vënë fondin e plotë sa e kanë kërkuar ata” u shpreh Angjeli.

Po ashtu u miratua dhe një fond tjetër prej 10 milion dollarësh për shtresat në nevojë me pagese papunësie. Kërkesat e miratuara në Komisionin e Ekonomisë pritet të kalojnë të hënën në parlament.