Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të vendosë edhe disa pjesë të juglindjes dhe jugperëndimit të Anglisë në nivelin më të lartë të kufizimeve kundër koronavirusit duke nisur nga 26 Dhjetori, njoftoi sekretari i shëndetësisë Matt Hancock.
Hancock tha se varianti i ri i zbuluar në vend po shpërndahej shumë shpejt dhe se qeveria duhej të ndërhynte.
Ai u bëri thirrje qytetarëve në MB të kufizojnë kontaktet për Krishtlindje sa më shumë që të jetë e mundur.
Ai tha se Mbretëria e Bashkuar kishte mësuar se "Niveli 3" nuk ishte i mjaftueshëm për të parandaluar përhapjen e variantit të ri, i cili është më i transmetueshëm.
Nën Nivelin 3, njerëzit nuk lejohen të takohen me të tjerët brenda shtëpisë së tyre por mund të takohen jashtë në grupe me deri në 6 persona.
Hancock tha që Mbretëria e Bashkuar tani do të karantinojë rastet e një varianti tjetër të koronavirusit nga Afrika e Jugut pasi gjeti dy raste të konfirmuara të këtij varianti në vend.
Shkencëtarët thanë se ata ishin ende duke mësuar për atë variant dhe do të fusë në karantinë të gjithë personat që vijnë nga Afrika e Jugut.
Javën e kaluar Mbretëria e Bashkuar mori masa të reja kufizuese, pasi u zbulua që një variant i ri i COVID-19 po përhapej me shpejtësi.
Vende të shumta ndërprenë udhëtimet me Mbretërinë e Bashkuar, për t’u rihapur sot për banorët dhe ata me një "arsye të ligjshme" për të udhëtuar.
Komente










