Ethet e Provimeve të Maturës Shtetërore kanë përfunduar për maturantët, por tani për ta nis një tjetër fazë e rëndësishme, ajo e përzgjedhjes së programeve të studimit në universitet. Nga 27 korriku deri më 1 gusht, të rinjtë do të kenë mundësi të plotësojnë formularin me deri në 10 preferenca për degët ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta.

“Janë gjithë këto ditë që maturantët të bëjnë zgjedhjen e tyre”, tha Arjan Xhelaj, drejtor i rrjetit akademik.

Fillimisht, maturantët duhet të paguajnë 2 mijë lekë në një bankë të nivelit të dytë për aplikimin. Për herë të parë, këtë vit fatura do të mund të ngarkohet online në platformën UALBANIA.

“Fatura do të paguhet online, një gjë që lehtëson edhe lëvizjen dhe maturantët nuk kanë nevojë të shkojnë në shkollat e tyre”, tha ai.

Deri më tani, universitetet kanë propozuar 60 programe të reja studimi, të cilat do të jenë pjesë e ofertës akademike për vitin e ri. Megjithatë për degët më të kërkuara konkurrenca mbetet e lartë dhe kuotat mund të plotësohen që në fazën e parë të pranimeve.

Pas kryerjes së regjistrimit në degën përkatëse, çdo maturant ka të drejtën e çregjistrimit për 2 ditë rresht në fund të çdo raundi.