Administrata Tatimore ka publikuar të enjten listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik në vazhdën e nismës se lajmëruar pak ditë më parë nga drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj për kontrolle tatimore në këtë sektor me risk të lartë.

Kjo listë vendos një standard reference për çdo profesion në këto sektorë. Kjo do të thotë se çdo biznes që deklaron paga më të ulëta se këto nivele, ose që ndryshon qëllimisht pozicionin e punonjësve për të ulur pagën në dokumente, do të konsiderohet automatikisht me risk dhe do të futet në lupën e autoriteteve

Sipas Tatimeve, të dhënat e deklaruara në listëpagesa do të krahasohen me pagat indikative përkatëse për të identifikuar rastet kur pagat reale nuk pasqyrohen saktë, një praktikë kjo e përhapur në sektorë të ndryshëm të ekonomisë ku është evidentuar një nivel i lartë informaliteti.

Lista tregon edhe diferencat e mëdha brenda vetë sektorit. Në mjekësi, pagat dysheme variojnë nga 80 mijë lekë për profilet mbështetëse deri në 215 mijë lekë për profesionet më të specializuara si kirurgjitë e avancuara dhe anesteziologjia. Specialitete si kardiologjia, neurologjia apo gastroenterologjia vendosen rreth 200 mijë lekë, ndërsa një mjek i përgjithshëm llogaritet me 163 mijë lekë.

Në të njëjtën kohë, në sektorin e kujdesit personal nivelet janë dukshëm më të ulëta. Pagat dysheme nisin nga 75 mijë lekë për berberët dhe parukierët dhe shkojnë deri në 120 mijë lekë për instruktorët personalë.

Më 30 mars, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, bëri të ditur se nisjen e kontrolleve të cilat do të përfshijnë rreth 10 mijë tatimpagues dhe afro 45 mijë të punësuar në këto sektorë.

Administrata Tatimore thekson se qëllimi i kësaj nisme është jo vetëm rritja e deklarimit të saktë të pagave por edhe e kontributeve të sigurimeve shoqërore që në fund të fundit lidhet drejtpërdrejt me garantimin e pensioneve më dinjitoze për punonjësit.