TIRANË- Suel Çela, një personazh i shumëpërfolur në botën e krimit, ka ankimuar nga arratia masën arrest me burg që është caktuar ndaj tij në maj 2022 për dosjen ‘Plumbi i Artë’. Prej majit 2022, Çela u shpall në kërkim nga SPAK pas rrëfimeve të të penduarit të Drejtësisë Nuredin Dumani, i cili zbardhi disa ngjarje kriminale në vendin tonë.
Seanca për kërkesën e Suel Çelës do të mbahet ditën e sotme në orën 13:00 në Gjykatën e Posaçme, informon gazetarja Keti Banushi. Në dosjen ‘Plumbi i Artë’, Suel Çela akuzohet për porositjen e dy atentateve të dështuara ndaj Lulzim Mashës dhe Elton Kilës i njohur si ‘Oti i Elbasanit’. Ky i fundit deri më tani u ka shpëtuar 4 atentateve dhe Suel Çela donte kokën e tij.
Në dosjen ‘Plumbi i Artë’, SPAK akuzon Suel Çelën si porositësi i një prej atentateve ndaj 'Otit të Elbasanit' më 29 mars 2022. Atentati i dështuar ndaj tij u zbardh pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili ishte një nga personat e rekrutuar nga Suel Çela për të kryer ekzekutimin.
Njëjtë dështoi edhe atentati ndaj Lulzim Mashës më 18 janar 2022, administrator i shkollës private ‘Willson’ pranë Liqenit Artificial në Tiranë. Nuredin Dumani ka dëshmuar se porosia për vrasjen e tij i është dhënë nga Suel Çela, por në fakt vrasjen e Lulzim Mashës e kërkonte një mik i Çelës, emrin e të cilit Dumani nuk e ka bërë të ditur, pasi ka dëshmuar se i kishte vetëm numrin e celularit.
Emri i Suel Çelës doli në skenë sërish më 25 nëntor, kur SPAK i goditi organizatën kriminale të drejtuar prej tij me bazë në Elbasan. Ndaj tij është caktuar një tjetër masë sigurie arrest me burg, ndërsa SPAK përmes zbërthimit të bisedave në SkyEcc arriti që të zbulojë lidhjet e Çelës jo vetëm me personazhe të krimit, por edhe me njerëz të drejtësisë si ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu apo lidhjet me gazetarin Artan Hoxha.
Dosja 'Plumbi i Artë'
Për dosjen Plumbi i Artë, në të cilën akuzohet edhe Suel Çela, në total janë marrë të pandehur 20 persona, mes tyre edhe vetë Nuredin Dumani që u kthye në të penduar të drejtësisë. Ndaj tyre rëndojnë vepra të rënda si grupi i strukturuar kriminal, vrasje me pagese, vrasje, trafik droge, vendosje tritoli në banesa, grabitje etj.
Rrëfimet tronditëse të Nuredin Dumani dhe personazheve të tjerë, pjesë të dosjes dhe jo vetëm, sollën zbardhjen e dhjetëra ngjarjeve të rënda të ndodhura në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Elbasan në 12 vitet e fundit. Në 27 ngjarje kriminale në total, SPAK arriti të zbardh vrasjet e Bujar Çelës, Emiljano Ramazanit, Regis Runaj, vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë, të gjitha këto ngjarje të regjistruara në Elbasan dhe Durrës përgjatë vitit 2020.
Në rrëfimin e tij Nuredin Dumani tronditi hetuesit kur deklaroi se Ervis Martinaj i kishte premtuar 500 mijë euro në këmbim të eliminimit të Indrit Dokles, punë të cilën i penduari e kishte konsideruar shumë të vështirë dhe nuk arriti ta kryej asnjëherë. Për këtë dosje në kërkim është edhe Martinaj, i zhdukur prej gushtit 2022.