Pas gjobave që morën për thyerje të rregullave kundër përhapjes së koronavirusit, tashmë për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi ka nisur edhe hetimi në gjendje të lirë, për pjesëmarrje në protestën e djeshme për Teatrin.

Së bashku me ta janë proceduar në gjendje të lirë edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe sekretari për çështjet ligjore Çlirim Gjata.

Burime për Report TV bëjnë të ditur se procedimet kanë nisur edhe për  artistët Robert Budinën, Neritan Liçajn, Adriana Kalaja, Artan Manushaqa dhe Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi. Ndërkohë që në një reagim për Report Tv, Robert Budina u shpreh se "U njohëm me procedimet penale. Cështja është e ndjeshme dhe ne kemi vendosur që të mos prononcohemi, deri në një moment të dytë".

"Procedimi ndaj tyre nisi pasi, më datë 18 maj 2020, rreth orës 16:30, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet", thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Ndërkohë një ditë më parë, policia arrestoi Arben Qyranin, i cili hodhi shashka në protestën e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Policia tha një ditë më parë se Qyrani është i proceduar edhe më herët për "Tubim të paligjshëm" në vitin 2018, në zonën e Unazës së Re, në Tiranë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:40
Në hetim për protestën! Stresi thirrje policisë: Unë po e heq, hiqni edhe ju kapelen (VIDEO)

Këngëtari Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi është proceduar penalisht së bashku me Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin, Fatmir Mediun, Robert Budinën dhe Neritan Liçajn për organizim proteste të paligjshme. Ai i është përgjigjur policisë me një mesazh ku shprehet se “I bëj thirrje të gjithë policisë së shtetit ne jemi qytetarë të thjeshtë dhe dalim në protestë për të drejtat tona, unë po e heq kapelen, hiqeni edhe ju bëhuni qytetarë dhe silluni mirë me popullin shqiptar edhe ne jemi në rregull me ju” thotë Stresi.