Nga baba Woody te Hillary
Clinton, pasioni i Ronan Farrow

Nga baba Woody te Hillary <br />Clinton, pasioni i Ronan Farrow
NEW YORK – “Po, gjithçka që nevojitet për të shkundur ndërgjegjet dhe për të rritur vetëdijen mbi padrejtësitë në botë është e mirëpritur”. Edhe ajo video, “Kony2012”, e parë nga 70 milionë njerëz para se autori i saj të kapej rrugëve, i dehur dhe në mbathje, ndërsa masturbohej? Rrugët e drejtësisë janë pafund njësoj si ato të padrejtësisë: dhe askush nuk mund ta dijë më mirë se Ronan Farrow – që disa skandale i ka jetuar personalisht. Në moshën 25-vjeçare ky djalë është asistenti special i sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, për temat e rinisë në të gjithë botën: Global Youth Issues. Por detyra prestigjioze do të zbehej ndaj famës që mund ta kishte shkatërruar që në fëmijëri: sepse Ronan është i vetmi fëmijë natyral i Woody Allen dhe Mia Farrow dhe që i vogël e ka përjetuar skandalin në shtëpi.

Sigurisht për këtë nuk flitet – në fund të fundit nuk ka lidhje fare – në takimin me diplomatin e ri në Foreign Press Center të New York-ut. Por Ronan në vend që të lëkundet i përgjigjet me vendosmëri videos mbi Kony2012: fenomeni që fton në mobilizimin për kapjen e kriminelit ugandez që skllavëron fëmijët duke i kthyer në ushtarë. “Po, edhe video që qarkullon në Internet është i përshtatshëm. E kam parë në rastin e motrës sime që është 16 vjeç dhe para asaj video nuk dinte asgjë se kush ishte ky Kony. Më pas shkoi në Internet, bëri kërkimet e saj, kërkoi OJQ-të e duhura”.

E si mos ta duartrokasë Ronan Internetin? Kur flet mbi mbi rolin e tij në Departamentin e Shtetit, për nevojën për t’i dhënë një përgjigje kërkesës për përfshirje që ngrihet nga të rinjtë e të gjithë botës, duket gati sikur dëgjon shefen e tij, Hillary Clinton, që pak më shumë se një vit më parë gjatë një udhëtimi në Azi i dha lamtumirën regjimit të Hosni Mubarak, duke çliruar SHBA-në nga mbështetja ndaj një aleati të sikletshëm.

Është e qartë se Hillary dhe Ronan flasin. Dhe shumë. Askush më mirë se ai që në moshën 15-vjeçare ishte në Yale, që në 20 punonte me OJQ-të në Afrikë e që më pas në Azi ishte krahu i djathtë i atij kampionit të demokracisë që ishte Richard Holbrooke, askush më mirë se ai mund të përfaqësojë në emër të SHBA-së konceptin e rinisë si shpresë. Dhe imazhi i ri i një vendi që pas shumë dekadash ka zbuluar fuqinë e “soft power”: fuqia e butë e joshjes kulturore. Dhe është Ronan ai që po çon përpara këtë proces diplomacie paralele.

Si gjendet djaloshi diplomat me një shefe femër? “Për mua që jam rritur në një shtëpi me gra është normale”, thotë me shaka. “Dhe është shumë e bukur të ndjehesh pjesë e një organizmi që vend në qendër gratë, të rinjtë”. Bën gati habi ta dëgjosh të flasësh kështu, veshur me ato ngjyrat gri të hapura ministeriale, thyer vetëm nga një këmishë rozë, kravata e kuqe dhe çorapet me viza që me siguri do tmerronin babanë e tij. Marrëdhëniet, dihet, janë ndërprerë nga gjyqtari, pasi Woody zgjodhi të martohej me vajzën që Mia kishte adoptuar si fëmijë. Satchel Allen praktikisht u “riemërua” Ronan Farrow: dhe lamtumirë baba.

Ai, Woody, natyrisht ndjek karrierën e tij nga larg: “Jam shumë i lumtur për të”, kishte thënë në një intervistë për gazetën italiane Repubblica: “Ka trurin e të ëmës”. Por edhe, mos u trembni, gjenialitetin e të atit. Sempse mes ndjekjes së Kony-t dhe një takimi mbi rininë globale, i riu Ronan nuk i ka mbyllur sytë përballë Hollywood-it. Përkundrazi, ishte pikërisht ai që e detyroi mama Mia-n që t’i rikthehej kinemasë përkrah Chistopher Walken: e ka pohuar vetëm regjisori i filmit që pritet të dalë së shpejti, titulluar “Dark Horse”. “Ronan është një fan i imi dhe arriti ta bindte”, ka thënë Todd Solondzs, autor i komedive të zeza që jo rastësisht kritika e ka emëruar “Woody Allen dark”. Kështu mbyllen nyjet e një jete: me diplomaci.

(Marrë me pjesë nga Repubblica.it)

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    6 muaj mungesë në Kuvend për shkak të arrestit, a duhet t'i hiqet mandati Berishës?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi heton për krime lufte ish-prokurorin special

Mali i Zi heton për krime lufte ish-prokurorin special