Berat, gjimnazi “Babë Dudë Karbunara” vazhdon aktivitetin edhe pasi mbaron mësimi. Këtë ka zgjedhur të nxjerrë në pah pasditen e së hënës kryeministri Edi Rama me një postim në Facebook.

Sipas tij, shkolla prej disa vitesh funksionon si qendër komunitare. Nxënësit mund të rrinë në bibliotekë me Klubin e Leximit, të punojnë në laboratorin e IT-së me Klubin e Inteligjencës Artificiale, ose të zbresin në palestër për aktivitete sportive.

Rama e përshkruan si një shkollë me standarde bashkëkohore, ku të rinjtë e Beratit kanë hapësirë të merren me libra, teknologji dhe sport edhe pas orarit zyrtar. Një model, sipas tij, i një shkolle të hapur për komunitetin.

"Gjimnazi "Babë Dudë Karbunara", prej disa vitesh tashmë si shkollë qendër komunitare, i mban dyert e hapura për nxënësit e Beratit edhe përtej orarit mësimor, duke u kthyer në një hapësirë zhvillimi dhe bashkëpunimi. Në bibliotekë, përmes Klubit të Leximit, fëmijët ushqejnë dashurinë për librin dhe fjalën e shkruar; në laboratorin e Teknologjisë së Informacionit, Klubi i Inteligjencës Artificiale nxit kureshtjen dhe mendimin inovativ;  ndërsa në palestrën e shkollës, Klubi i Sportit forcon disiplinën dhe frymën e ekipit. Me standarde bashkëkohore kjo shkollë qendër komunitare është një model i hapur dhe mikpritës, ku nxënësit gjejnë mbështetje, mundësi dhe hapësirë për të zhvilluar talentet e tyre edhe pas mësimit" shkruan Rama në Facebook.