Teknologjia dhe mundësia që krimi i organizuar ta përdorë atë për t’iu fshehur ligjit është për autoritetet shqiptare sfida më e madhe me të cilën do të përballen institucionet ligjzbatuese në vitet në vijim.
Strategjia Kombëtare për Krimin e Organizuar për vitet 2026-2030, e sapohedhur në konsultim publik, evidenton rritjen e përdorimit të kriptomonedhave për pagesa në tregun e drogës, duke mundësuar fshehjen e gjurmëve financiare, si dhe përdorimin e rrjetit DarkWeb për ta shpërndarë lëndën narkotike, si 2 shqetësimet më të mëdha.
Për trafikun drogës, me përjashtim të kanabisit, ku Shqipëria është vend origjine, për heroinë dhe kokainë, rezulton vend tranzit, me destinacion vendet e BE-së. Sasitë e destinuara për tregun e brendshëm janë të vogla. Në vitet e fundit, është zgjeruar aktiviteti i trafikimit të kokainës, e prodhuar në Amerikës Latine, e transportuar në rrugë detare drejt Portit të Durrësit.
Pastrimi i parave është gjithashtu një element tjetër që shikohet se do të vijojë të krijojë dhimbje koke. Edhe këtu ndikon sërish teknologjia, e cila ka përshpejtuar transaksionet ndërkufitare. Format e pastrimit të parave lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike apo vjedhje të pasurisë, transportit ndërkufitar të parave cash, investimeve në pasuri të paluajtshme, mashtrim, mashtrim kompjuterik.
Në strategji theksohet se vëmendje në 5 vitet e ardhshme duhet përqendruar gjithashtu te: Pastrimi i pasurisë së përfituar nga aktiviteti kriminal që lidhen me fushën e tatimeve, fshehja e të ardhurave dhe mashtrimi i TVSH-së, duke mos deklaruar bilance dhe faturimet reale. Pastrimi i të ardhurave nga korrupsioni përmes përdorimit herë pas here të palëve të treta që shërbejnë për të kamufluar mekanizmin, integrimi i mëvonshëm në instrumente financiare, pasuri të paluajtshme brenda vendit, apo biznese. Në veçanti, strategjia identifikon kujdesin që duhet treguar te profesioni i noterit, i cili ka rezultuar si ndër më të cenueshmet krahasuar me të tjerët, për shkak se noteri në Shqipëri ka një rol qendror, si dhe kryen një gamë të gjerë të veprimeve juridike.
Objektivat për vitet 2025-2030
Qëllimi dhe objektivat specifike të strategjisë ndahen në 3 pjesë, parandalimi i krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, ndjekja penale e tyre dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Për parandalimin e krimit, strategjia parashikon fushata ndërgjegjësuese me institucione, shoqëri civile dhe media. Mbështetje për zona dhe komunitete vulnerabël mbi analizë rreziqesh, transferim asetesh të konfiskuara për qëllime sociale dhe trajnime për të burgosurit. Identifikim dhe mbrojtje për individë në rrezik, sidomos për dëshmitarët. Rritje të profesionalizmit në reformim strukturash policore dhe trajnime për hetime financiare dhe kontrolle risku për evazion fiskal.
Ndjekja penale synon ulje të përdorimit të drogës, goditje të trafiqeve të paligjshme dhe kontrolle kufitare për zbulimin e personave me rekorde kriminale. Luftë kundër krimit ekonomiko-financiar, pastrim parash, korrupsion, hetime financiare paralele dhe shkëmbim informacioni. Hetim të krime kibernetike, identifikim dhe konfiskim asetesh kriminale, përmes së cilave parashikohet procedura ripërdorimi social brenda 6 muajve. Hetim dhe dënim të drejtuesve të grupeve kriminale, luftë kundër krimeve mjedisore, kapje personave në kërkim ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me Europol, përfshirë përditësimin e listës së të kërkuarve.
Në bashkëpunimin ndërkombëtar, qëllimi, përveç shkëmbimit të informacionit me partnerët, është edhe në intensifikimin e operacioneve të përbashkëta, marrëdhënie në ekzekutime kërkesash gjyqësore e deri tek identifikimi i shqiptarëve të dënuar jashtë.
Komente











