Qeveria ka propozuar një ligj të ri për tregun e kriptomonedhave në Shqipëri, që synon të vendosë rregulla më të qarta për kompanitë që ofrojnë këto shërbime dhe të mbrojë qytetarët që investojnë paratë e tyre në Bitcoin apo produkte të tjera digjitale.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo, gjatë prezantimit të projektligjit në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, shpjegoi se kompanitë do të duhet të informojnë klientët për produktet që ofrojnë, kostot dhe rreziqet që shoqërojnë investimin.

““Nëpërmjet kuadrit të ri rregullator, qytetari do të ketë mundësi të kuptojë çfarë produkti po blen, cilat janë kostot, çfarë të drejtash ka dhe cilat janë rreziqet që merr përsipër. Për këtë arsye projektligji vendos kërkesa për dokumentin informues të kriptoaseteve dhe për materialet promovuese. Informacioni duhet të jetë i qartë, i saktë dhe jo çorientues”, u shpreh Kajo 

Projektligji parashikon gjithashtu që kompanitë të marrin autorizim për të ushtruar aktivitetin dhe të respektojnë detyrimet ndaj klientëve.

“Përmes këtij projektligji synojmë të krijojmë një kuadër më të plotë dhe më të saktë të financave digjitale në Shqipëri, që mbështet zhvillimin e shërbimeve të reja, me përgjegjësi të përcaktuara për operatorët dhe mbrojtjen e qytetarëve”, deklaroi zëvendësministri.

Kajo shpjegoi se Shqipëria ka një ligj për këtë treg që prej vitit 2020, por zhvillimi i teknologjisë dhe ndryshimet në rregullat europiane kanë sjellë nevojën për një ligj të ri.

“Shqipëria ka tashmë një kuadër ligjor të miratuar në vitin 2020, ndërkohë tregu dhe standardet evropiane kanë evoluar. Janë zhvilluar shërbime dhe produkte që kërkojnë një trajtim më të plotë”, theksoi ai.

Ligji i propozuar synon të përafrojë rregullat shqiptare me ato të Bashkimit Europian, ndërsa sipas Kajos, zhvillimi i këtij tregu mund të krijojë mundësi të reja për biznese, investime dhe punësim të kualifikuar.

““Projektligji përafron legjislacionin shqiptar me rregulloren e Bashkimit Evropian për tregjet e kriptoaseteve dhe ky është një hap në adresimin e kërkesave të Kapitullit 9, për shërbimet financiare, si dhe në përgatitjen e institucioneve dhe operatorëve tanë për integrimin evropian. Projektligji kërkon që pjesëmarrja në këtë mjedis të shoqërohet me masa që ruajnë stabilitetin financiar, integritetin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit. Rregullat do t’i miratojmë me vendim të Këshillit të Ministrave”, tha Kajo.

Po çfarë janë kriptoasetet?

"Kriptoasetet janë përfaqësime digjitale të një vlere ose të një të drejte që mund të ruhet dhe transferohet elektronikisht përmes teknologjisë së regjistrave të shpërndarë, si blockchain. Në thelb bëhet fjalë për një regjistër transaksionesh që nuk e mban një bankë apo një institucion i vetëm, por e mbajnë njëkohësisht shumë kompjuterë të një rrjeti, të cilët verifikojnë çdo veprim”, shpjegoi zëvendësministri.