Futbolli shpesh shkruan histori që i ngjajnë përrallave, por ajo e Anders Torstensson është një nga më të veçantat që sporti modern ka parë. Trajneri 59-vjeçar suedez, që u diagnostikua me leuçemi në gusht të vitit 2024, udhëhoqi skuadrën modeste Mjallby drejt një titulli historik kampioniSuedi, një arritje që ka bërë jehonë në gjithë Evropën.

Mjallby, një klub që vjen nga një qytet me vetëm 1 400 banorë, përmbylli një sezon të pabesueshëm në elitën e futbollit suedez, duke u shpallur kampion. Një sukses që shumë e kanë krahasuar me “mrekullinë e Leicesterit” në Premier League, por këtë herë në versionin nordik.

Një nga arkitektët kryesorë të këtij suksesi është pikërisht Torstensson, i cili, përveç betejës në fushë, ka luftuar një betejë shumë më të madhe jashtë saj, atë për jetën.

“Që nga diagnoza, jam ndjerë edhe më i fortë, sepse e kuptova rëndësinë e jetës dhe të çdo dite që jetoj. Në një farë mënyre, e lë diagnozën në spital. E kam pranuar dhe nuk dua që ajo të më ndikojë. Sot, nuk ndihem ndryshe nga para se ta dija se isha i sëmurë”, ka rrëfyer trajneri suedez.

Për Torstenssonin, sëmundja u kthye në një mësim jetësor që ndikoi drejtpërdrejt në filozofinë e tij si trajner.

“Nuk e marr asgjë si të mirëqenë dhe nuk i shtyj gjërat për nesër. Ndoshta kjo është arsyeja pse fituam. Të gjithë pyesin për sekretin tonë, por nuk ka një sekret të vetëm. Ka rreth 500 gjëra të vogla për të cilat punojmë çdo ditë, me përpikmëri të jashtëzakonshme. Dhe kurrë nuk kemi bërë kompromis për asgjë”, shtoi ai.

Nga spitali te stoli i kampionëve, rrugëtimi i tij tashmë është bërë një fabul moderne e sportit suedez.