DURRËS- Zyrat e gjendjes civile nga dita e hënë do të qëndrojnë të hapura, ku do të shërbejnë për të dhënë të gjitha kartat e Identitet ose pasaportave, por sipas një skeme të përcaktuar për të shmangur grumbullimet e njerëzve. Nga qyteti i Durrësit, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka bërë me dije se me mijëra karta janë prodhuar, e për pasojë do të duhet të nisë shpërndarja e tyre. Qytetarët do të njoftohen nga zyrat përkatëse, ku do të lihet orari për të marrë kartën e ID ose pasaportë.
"Dihet që për arsye të pandemisë, janë ndaluar veprimtaritë e zyrave të aplikimit për pasaporta dhe karta identiteti, por ndërkohë një numër i madh kartash ID dhe pasaportash janë prodhuar dhe ne do të marrim masa që sipas një skeme të caktuar dhe shumë të sigurt, të mundësojmë që këto të shpërndahen. Për këtë arsye zyrat përkatëse që janë përgjegjëse për shpërndarjen e kartave ID dhe pasaportave dhe bëhet fjalë për disa mijëra syresh, do të fillojmë nga nesër që të thërrasim qytetarët nominalisht, për të lënë takime për të marrë në dorëzim kartat apo pasaportat", tha Lleshaj.
Ndërkohë, Lleshaj ka theksuar se kartat e identitetit që kanë skaduar, janë të vlefshme për të kryer shërbime derisa sa të përfundoi epidemia në Shqipëri. Madje për këtë, Lleshaj, ka sqaruar se po përgatiten akte ligjore që njeh vlefshmërinë e tyre. Megjithatë, edhe pa u formalizuar i gjithë procesi i njohjes, kartat e ID njohen nga bankat dhe çdo qytetarë mund të marrë pagesat në këtë kohë.
"Ndërkohë për të gjithë qytetarët e tjerë, të cilët nuk kanë pasur mundësi të paraqiten për t’i rinovuar kartat apo pasaportat e tyre, theksoj që të gjitha kartat apo pasaportat, të cilave u ka mbaruar afati i vlefshmërisë gjatë periudhës së epidemisë, ky afat vlefshmërie nuk do të njihet, pra ato do të konsiderohen të vlefshme për aq kohë sa pandemia do të zgjasë në Shqipëri apo më tej. Për këtë arsye ne do ta formalizojmë së shpejti me aktet përkatëse ligjore, të cilat do të mundësojnë njohjen e vlefshmërisë së çdo pasaporte apo karte identiteti, në të gjithë territorin e vendit, për aq kohë sa zgjat epidemia. Ndërkohë që për bankat, është komunikuar zyrtarisht me të gjithë drejtuesit e bankave të cilëve u është kërkuar nga Ministria e Brendshme që t’i njohin ndërkohë, edhe pa u formalizuar i gjithë procesi i njohjes, të njohin vlefshmërinë e të gjitha kartave dhe pasaportave të cilave u ka përfunduar vlefshmëria zyrtare gjatë kohës së epidemisë", tha Lleshaj.
Pasaporta dhe ID ime kanë skaduar por nuk do bej kerkese derisa të dalin të reja me format të ri dizenjimi dhe cilesi të lartë . Nqse u tregoj pasaporten time qe në kopertine nuk ka me shkronja dhe shqiponje ngaqe janë fshire prej cilesise së dobet, do me jepni të drejtë qe nuk aplikoj.
Përgjigju