E ardhmja e transportit ajror do të jetë edhe më ekologjike

E ardhmja e transportit ajror do të jetë edhe më ekologjike

Foto ilustruese

Dikur të udhëtoje me avion ishte jo vetëm një eksperiencë e rrallë, por edhe një shërbim që ofrohej elitave. Bileta ishin të shtrenjta, fluturimet ishin më pak frekuente dhe destinacionet më të centralizuara.

Liberalizimi i tregut, kompanitë me kosto të ulët dhe zhvillimet ekonomike që u mundësuan edhe më të varfërve akses në karta krediti dhe huamarrje e bënë transportin ajror, mediumin më popullor dhe masiv të trasportit.

Sot preferojmë transportin ajror, jo vetëm për shkak të shpejtësisë dhe leverdisë, por edhe prej kostos mjaft të ulët.

Në vendet e zhvilluara, udhëtimi me tren mes qyteteve kushton më shumë, sesa me avion. Transporti hekurudhor e ka bërë me kohë kthesën për të adaptuar teknologji më të gjelbra.

Trenat elektrikë janë mjetet më të pastra, ndaj po shihen gjithnjë më shumë si mjeti i preferuar i elitave konshiente për ndotjen individuale dhe kontributin e gjithësecilit për të ruajtur ambjentin. Trenat kushtojnë më shumë dhe mbërritja në destinacion kërkon më shumë kohë.

Masivizimi dhe ulja e kostos në transportin ajror ka ndikuar fuqishëm në zhvillimin e ekonomisë. Më shumë destinacione sot janë të lidhura në rrugë ajrore duke bërë të mundur shkëmbimet e mallrave dhe transportin e njerëzve.

Aq i shpejt u bë ky ndryshim sa sot nuk është çudi të dëgjosh për njerëz që jetojnë në Europën Lindore dhe punojnë 5 ditë të javës në Bruksel, Londër, apo Frankfurt.

Ndërtimi i aerporteve të reja është gjithmonë një lajm i pritur në dy mënyra të ndryshme. Lajm i jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik, por pak pesimist për ambjentalistët dhe politikbërjen rajonale.

Aeroportet e reja pa diskutim që krijojnë vende pune dhe ndikojnë shumë në rritjen e ekonomisë lokale. Por fluturimet frekuente mund të jenë një faktor ndotës për ambjentin argumentojnë ambjentalistët.

Politikbërësit rajonalë i gëzohen perspektivës së hapjes së vendeve të reja të punës, por nga ana tjetër shqetësohen se mos shkurtimi i distancave ajrore mund të sjellë një konkurencë më të fortë për tregun vendas të punës.

Krahu i punës në tregun liberal të konkurencës mund të vijë nga kudo dhe rajoni nuk mund të diskriminojë më të aftin.

Këto janë dilema që vetëm zbatimi në praktikë mund të zgjidhë. Shqetësimit të parë, atij të ambjentalistëve, Industria e Aviacionit i është përgjigjur fillmisht me strategji në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe përmes tarifave respektive për ndotjen.

Një ekonomi e zhvilluar duhet t’u krijojë mundësi shtetasve të zgjedhin. Sot nuk mundet që në mënyrë arbitrare të ndalosh vozitjen e makinave qoftë edhe për 1 km rrugë.

Informimi i vazhdueshëm lidhur me statistikat e ndotjes në qytete duhet të orientojë politikbërjen dhe të prekë në mënyrë vendimtare ndërgjegjjen qytetare.

Një nga aspektetet më të bukura të punës në Aviacion është njohja nga afër me mënyrën sesi po evoluon kjo industri. Sot nuk po punohet vetëm për të shtuar numrin e destinacioneve, por edhe për t’i bërë aeroportet qendra të fuqishme, punësimi, inovacioni, koneksioni, shërbimesh ekselente ku konsumatori mund ta shoh e prek nga afër të ardhmen.

E teksa prodhuesit e avionëve po punojnë për të gjetur mënyra më ekologjike për të fluturuar, si për shembull avionë elektrikë apo karburante që nuk ndotin, arkitektët nga ana tjetër punojnë për të ndërtuar aeroporte që janë më të favorshme për mjedisin.

Duket si një mision i pamundur, pasi aeroportet konsumojnë mjaft energji, por një kombinim i vendosmërisë dhe aftësive brilante inxhinierike kanë filluar ta bëjnë këtë një realitet.

Shumica e aeroporteve në botë përpiqen të ofrojnë më të mirën e shërbimeve të tyre. Ato janë mini oaze që tregojnë për zhvillimin e një vendi. Adaptimi i politikave dhe teknologjive më të gjelbëra është pjesë e pandarë e kësaj industrie.

Vendet Skandinave kanë qënë gjithmonë në pararojën e standarteve të zhvillimit dhe nuk përbën çudi që aeroporti i vlerësuar si më ekologjiku në botë, ndodhet në Norvegji.

Terminal më i ri i Aeroportit të Oslos, të hapur pak kohë më parë, është modeli më brilant aktual. Ky terminal e ka rritur kapacitetin e aeroportit në 32 milion pasagjerë në vit.

Drejtuesit e këtij aeroporti kanë treguar për mediat, sesi Aeroporti i Oslos e realizoi këtë duke siguruar materiale ekologjike, zgjidhje inovatore të përdorimit të energjisë dhe menaxhimit të mbetjeve.

Firma që u ngarkua me projektin e terminalit të ri tregoi se objektivi ambicioz ishte që struktura e re ta përgjysmonte konsumin e energjisë.

Muret dhe xhamat e aeroportit thithin në maksimun dritën e djellit, ndërsa materialet e ndërtimit janë që të gjitha nga pyje të menaxhuara me qëllim ripërtëritjen e tyre. Çdo material ndërtimi, jo vetëm që vjen nga ekonomia vendase, por edhe nuk rrezikon shterimin e rezervave natyrore të Norvegjisë.

Një tjetër element që e bën unik këtë terminal, është fakti që përdorimi i materialeve vendase i jep aeroportit edhe një identitet karakteristik nordik, në një kohë kur aeroportet në mbarë botën i ngjasojnë njëri-tjetrit.

Një prej mekanizmave menaxhues tipik nordik, është sistemi i ftohjes. Në dimër, dëbora mblidhet dhe depozitohet në depo e mbuluar me tallash për izolacion.

Gjatë verës, uji nga dëbora e shkrirë përdoret për freskimin e ndërtesave të aeroportit. Në dimër ngrohja bëhet me energji termale natyrale.

Një tjetër element i jashtëzakonshëm i arkitekturës së këtij terminali, është fakti që megjithëse aerporti është më i madh, koha e mbërritjes më këmbë e pasagjerëve te Portat e Nisjes ka mbetur e njëjtë.

Edhe Finlanda fqinje ka të njëjtat objektiva ekologjike. Deri në vitin 2020 kompania që menaxhon 21 aeroportet e vendit, Finavia ka një program ambicioz për të qënë karbon neutrale. Autobusat dhe makinat e aeroportit do të jenë elektrike ose me karburante biologjike.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve, përshtatja e aeroporteve me nevojat e domosdoshme të kohës mbetet një përpjekje që kërkon shumë investime, vendosmëri dhe angazhim shumë të madh nga ana e qeverive.

India, një prej vendeve në zhvillim më ndotëse në botë, ka dhënë shembullin e saj me Terminalin 3 në aeroportin Indira Gandhi dhe aeroportin e ri ekologjik Galapagos.

Në aeroportin e Dehlit, energjia dhe uji konservohen duke shfrytëzuar në maksimum dritën e diellit përmes paneleve diellore, uji i shiut depozitohet për t’u shfrytëzuar për freskim, ndërsa mbetjet menaxhohen nga një uzinë përpunimi e ndërtuar ngjitur me aeroportin.

Aeroporti Galapagos, u ndërtua ne nje pjesë të madhe nga materiale të ricikluara dhe përdor 100 për qind energji diellore dhe nga turbina të erës.

Aeroportet janë porta ku jo vetëm prekim dhe ndjejmë zhvillimin e shoqërive tona, por edhe vendet ku mund të projektojmë me sukses modelet e jetesës që do të trashëgojnë brezat e ardhshëm.

Për një ekonomi më të fuqishme, kemi nevojë për më shumë rrugë dhe koneksione. Për më shumë vende pune na duhet një hapje më e madhe ndaj botës dhe aeroportet e reja e bëjnë këtë më së miri.

A mund t’i ndërtojmë ato më ekologjike? Sigurisht që po. Nëse të gjithë kemi motivacionin dhe vendosmërinë për ta bërë këtë me burime natyrore të ripërtëritshme vendase, energji djellore dhe nga era si dhe menaxhim dhe riciklim të mbetjeve.

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Pakistan/ 82 njerëz të vrarë në 3 ditë si pasojë e dhunës sektariane

Pakistan/ 82 njerëz të vrarë në 3 ditë si pasojë e dhunës sektariane