Fatos Çoçoli: Borxhi publik më i ulët në 10 vjet

Fatos Çoçoli: Borxhi publik më i ulët në 10 vjet

Monedha

Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Financave, borxhi ynë publik është ulur në nivel rekord për 10 vitet e fundit. Në qershor 2024, ai zbriti në 55,7 përqind të prodhimit kombëtar, nga 58.9 përqind që ishte në dhjetor 2023, ose 60 milione euro me pak në gjashtë muaj. Borxhi publik do të vazhdojë te ulet edhe gjatë katër muajve të tjerë të këtij viti dhe në vitet e tjera në vazhdim.

Pse ulet borxhi publik?

Borxhi publik nisi të ulej, pavarësisht nga shpenzimet e jashtëzakonshme të rindërtimit nga shkatërrimet e tërmetit të 26 nëntorit 2019, që arritën në 1.2 miliardë euro, si dhe nga kostot e pandemisë se Covid-19, që përllogariten në mbi 1.9 miliardë euro humbje në vitet 2020-2021.

Nëse nuk do të kishte qenë tërmeti shkatërrimtar dhe lufta në Ukrainë, borxhin mund ta kishim ulur edhe me 2 miliardë euro, për të arritur sot në më pak se gjysma e prodhimit kombëtar borxh.

Në fund të vitit të kaluar 2023, për herë të parë që nga viti 2011, borxhi ynë publik zbriti në nivelet e para krizes së Covid-19 dhe të luftës në Ukrainë.

Qeveria arriti të përballonte “cunamin” e çmimeve të çmendura të energjisë elektrike në bursat evropiane në periudhën qershor-tetor 2022, pa ua rritur çmimin fundor të energjisë qytetarëve, i cili ngeli në nivelin 9.5 lekë për kilovat/orë.

Borxhi u ul sidomos në dy vitet e fundit, “i ushqyer” nga turizmi galopant 2023-verë 2024, nga leku i fortë, nga proceset thelbësore të fiskalizimit, të faturave online dhe të digjitalizimit të shërbimeve publike në 95 përqind të tyre, si dhe nga mirëmenaxhimin i shpenzimeve publike, duke ulur ato jo-prodhuese dhe duke rritur të ardhurat tatimore.

 

Shqipëria-ulja më e shpejtë e borxhit publik në rajon

Zbritja në nivelin nën 56 përqind te borxhit publik ne qershor 2024, e vendos Shqipërinë në vendin që ka ulur borxhin publik me ritmin më të shpejtë në rajon. E kemi patur borxhin publik në nivelin 74 përqind të prodhimit kombëtar në vitin 2020, në vitin Pandemisë nga Covid-19, vitin 2020. E patëm sërisht të lartë, mbi 72 përqind, në vitin e kufizimeve nga pandemia, vitin 2021. Arritëm ta merrnim veten në dy vitet e tjera, 2022-2023, të ndihmuar nga një bum i mirëfilltë në turizëm. E ulëm edhe më fort në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Burimihttps://www.worldbank.org/en/region/eca/publication/western-balkans-regular-economic-report

Do ulet borxhi më tej këtë vit?

Borxhi publik ka vijuar të ndjekë trajektore rënëse edhe përgjatë tremujorit të dytë të këtij viti.  Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, nga 1.362 trilionë lekë në fund të vitit 2023, borxhi publik ka rënë në 1.356 trilionë në fund të gjysmës së parë të vitit 2024. Ulja vihet re edhe në raport me tremujorin e parë të këtij viti. Sipas treguesve zyrtarë, kjo është vlera më e ulët e shënuar e stokut të borxhit publik në një dekadë.

Një rënie të konsiderueshme ka pësuar edhe shërbimi i borxhit, i paguar nga shteti shqiptar.  Shërbimi i borxhit në tremujorin e dytë të vitit 2024 ka arritur në 49.8 miliardë lekë, nga 100.8 miliardë që kushtonte në fund të vitit 2023. Praktikisht eshte pergjysmuar. Kontribut te forte në këtë pergjysmim ka dhënë edhe zhvlerësimi i euros në raport me lekun.

Treguesit e tjerë kryesorë makroekonomikë, si rritja ekonomike dhe inflacioni vjetor kanë shënuar edhe ato përmirësime të ndjeshme. Inflacioni shënoi një ulje të ndjeshme, duke kaluar nga 3.4 përqind në janar 2024 në 2.1 përqind në korrik 2024, ose një rënie me 61 përqind.

Kjo ecuri e borxhit publik, ekonomisë në tërësi dhe e inflacionit, nënkupton se ekonomia jonë i ka lënë pas përfundimisht pasojat e goditjes që pësuam nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë dy viteve 2022–2023, për shkak të luftës dhe agresionit të Putin në Ukrainë. Normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë arriti të vërë inflacionin nën kontroll. Ky kontroll as nuk ka frenuar, as edhe cënuar drejtimin pozitiv të zhvillimit të ekonomisë dhe qëndrueshmërinë financiare të vendit.

Jemi ndoshta në vitin më të mirë ekonomik që Shqipëria ka parë në 33 vite demokraci. Me investimet publike të forta dhe turizmin që vijon të sjellë të ardhura të shtuara ndjeshëm, borxhi publik mund të shkojë edhe nën 50 përqind të prodhimit kombëtar deri në dhjetor 2025.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar