Nga fushat e përgjakura të Lindjes së Afërt te zgjedhjet në Zvicër

Nga fushat e përgjakura të Lindjes së Afërt te zgjedhjet në Zvicër

Nga Enver Robelli

1.

Kjo kolumne fillon me një hyrje të pazakonshme, por të pazakonshme janë edhe kohët. Sidoqoftë, ky është apeli im: të dielën, më 22 tetor, mbahet zgjedhjet parlamentare në Zvicër. Secili qytetar dhe qytetare i këtij vendi i ka marrë me postë para disa ditësh fletëvotimin dhe materialet përcjellëse. Sot, e martë, është dita e fundit kur fletëvotimet duhet të dërgohen me postë! Lutja ime është shumë e shkurtër: kush nuk e ka plotësuar fletëvotimin, këtë mund ta bëjë EDHE SOT gjatë ditës dhe ta dorëzojë PO ASHTU SOT në postë. Pjesëmarrja në zgjedhje është tejet e rëndësishme, në mënyrë që të dëgjohet zëri i çdo qytetari dhe i komuniteteve të margjinalizuara. Në të kaluarën pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhje në Zvicër ka qenë turpshëm e ulët. Të shpresojmë se kësaj radhe do të jetë ndryshe. Ata që harrojnë të votojnë deri sot (e martë), këtë mund ta bëjnë edhe të dielën, duke shkuar në vendvotime, por në shumë qytete e fshatra të Zvicrës vendvotimet janë vetëm për disa orë të hapura, sepse shumica edhe ashtu voton përmes postës. Nuk është me rëndësi vetëm pjesëmarrja, por edhe përkrahja e partive që kanë qasje korrekte dhe e përkrahëse ndaj komunitetit shqiptar, siç ka edhe parti që mobilizojnë elektoratin prej vitesh me agjenda raciste dhe antishqiptare. Dallimin nuk është vështirë ta bëni. Votoni! Për veten tuaj, së pari, por edhe për interesat e komunitetit shqiptar dhe të shoqërisë së gjerë. Demokracia është forma më e mirë e organizimit të jetës publike!

2.

Të hënën një gazetë e Zürichut portretizoi dy politikanë me origjinë të huaj. Të dy kandidojnë, secili dëshiron të bëhet deputet në Bernë, në Parlamentin federal. Kandidati me emër sllav dhe me origjinë nga Bosnja i është bashkuar partisë SVP, e cila qe gati tri dekada i ka vënë në shënjestër shqiptarët. Fushatat e SVP-së kundër komunitetit shqiptar janë paushalle, të padrejta, përgjithësuese. Disa krerë të kësaj partie janë dënuar nga drejtësia zvicerane për aktivitete raciste ndaj shqiptarëve. Kandidati i SVP-së e prezantonte veten si njeri që është skeptik sa i përket vaksinimit kundër koronës dhe tregonte se si fëmijë vërtet e ka pasur vështirë. Tingëllonte i besueshëm, por kundërthënëse duket se ai tani politizon në një parti që të huajve synon t’u hedhë sa më shumë gurë në rrugë. Kandidatja tjetër e portretizuar është shqiptare, me origjinë nga Maqedonia. Ajo, nëse flasim me vokabular futbolli, i mbron ngjyrat e Partisë Socialdemokrate. Më mbeti në kujtesë sidomos kjo fjali e fuqishme e saj: “Po të isha anëtare e (partisë populliste) SVP-së nuk do të mund t’i shikoja prindërit e mi në sy”.

3.

Nuk është vetëm perceptim fushata e SVP-së ndaj komunitetit shqiptar. Studimet e politologut Oliver Strijbis kanë treguar se kush është me origjinë nga Ballkani, e hedh poshtë këtë parti më shumë se grupe të tjera emigrantësh. Për këtë ka arsye. Kandidati me emrin sllav thotë: “SVP nuk është parti raciste”. Për ta demantuar veten me pahir kur thotë: “Por parë nga jashtë duket ashtu”. Ka edhe një problem tjetër me demokracinë në Zvicër: kandidatët me emra të huaj votohen më pak dhe nga partitë e tyre “parkohen” në pjesët e poshtme të listave me kandidatë. Politologia Lea Portmann e quan këtë “diskriminim”. 40 për qind e popullsisë së Zvicrës dhe 15 për qind e qytetarëve të Zvicrës kanë origjinë të huaj. Në Parlamentin e Zvicrës vetëm 6 për qind e deputetëve kanë prejardhje të huaj.

4.

Andaj në fund të kësaj kolumne edhe një herë: këtë të diel mbahen zgjedhjet parlamentare në Zvicër. Duke pasur parasysh aq shumë kriza e luftëra - nga Ukraina në Lindjen e Afërt - pjesëmarrja në këto zgjedhje fiton një rëndësi edhe më të madhe. Duke përkrahur politikanë demokratikë dhe me agjendë integruese, komuniteti shqiptar në Zvicër mund të japë një kontribut të rëndësishëm. Për veten. Për shoqërinë. Për ambientin demokratik. Fushat e përgjakura të Lindjes së Afërt na treguan sidomos ditëve të fundit se sa e rëndësishme është të jetosh në një shtet të sigurt, me institucione funksionale dhe me politikanë që kanë parasysh interesat e përgjithshme dhe jo vetëm partikulare. Të jetosh në një shtet ku nuk duhet të kesh frikë nga represioni, ku gëzon shansin për të krijuar mirëqenie dhe ku je i barabartë para ligjit dhe në botën e punës - ky është një privilegj i madh. Asnjë vend nuk është i përsosur, as Zvicra. Por, siç e kam theksuar me një rast tjetër: shqiptarët më të lumtur, sipas të gjitha gjasave, jetojnë në Zvicër. Natyrisht kjo nuk është e vërteta e plotë: me mijëra e mijëra presin shansin e barazisë. Ky shans fillon me pjesëmarrjen në zgjedhje.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille