Një maturante nga Shkodra ka arritur atë që shumëkush e mendon të pamundur. Dea Boriçi nga gjimnazi ’28 Nëntori’ është pranuar në Harvard University me bursë të plotë 100%, falë rezultateve të saj të shkëlqyera,  duke kthyer një ëndërr në realitet.

Gjatë një takimin me maturanten, Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, vlerësoi suksesin e saj dhe aftësinë për të kthyer një ëndërr në projekt. 

“Më vjen mirë që Dea e konfirmoi se për çdo vajzë dhe djalë që del nga shkollat tona, nga këta mësues, nga përkushtimi dhe pasioni për të lexuar, ekziston një mundësi e hapur. Është shumë e rëndësishme të ëndërrosh, por akoma më e rëndësishme të punosh për ta realizuar ëndrrën. Siç thoshte Walt Disney, ‘Midis ëndrrës dhe realitetit ndodhet projekti’. Ti ëndrrën e ktheve në projekt dhe sot e ke realitet” tha Kumbaro

Dea Boriçi që po përgatitet për të nisur studimet në Harvard, falenderoi  mësuesit dhe stafin e gjimnazit “28 Nëntori” për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre gjatë gjithë rrugëtimit të saj akademik.

“Janë shumë komponentë që ndikuan në pranimin në Harvard. Unë mendoj se potenciali ekziston te secili i ri shkodran dhe secili i ri shqiptar, dhe nëse investohet dhe nëse e dimë që mund ta arrijmë dicka të tillë, sepse ekziston stigma që këto universitete prestigjioze nuk mund të kapen, por ama nëse ekzistojnë shembujt, mbështetja edhe nga ana jonë si alumni të gjimnazit, mendoj se mund te ketë shumë më tepër se një nxënës që fiton në këto shkolla”, tha Dea Boriçi.

Universiteti i Harvardit është një nga universitetet më prestigjioze në botë, me standarde shumë të larta pranimi dhe konkurrencë globale, ku arrijnë të futen vetëm më të mirët dhe Dea Boriçi është pa dyshim njëra prej tyre.