CNN ka hedhur dritë mbi operacionin e liderit të shumëkërkuar në vend të një prej karteleve më të rrezikshme të drogës, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si ‘El Mencho’.
Pas viteve të tëra në përndjekje të tij, më 20 shkurt forcat meksikane morën një informacion konkret për vendndodhjen e liderit të frikshëm të Cartel Jalisco Nueva Generacion.
Hetimi i tyre mbi rrjetin e Osegueras i kishte çuar te një person kyç që mund të ndihmonte për të hyrë në strehën e tij, një “njeri i besuar” i njërës prej të dashurave të tij, sipas sekretarit meksikan të Mbrojtjes, Ricardo Trevilla Trejo.
Të nesërmen, e dashura u largua nga kompleksi i kabinave të Osegueras në periferi të Tapalpës, por bosi i drogës mbeti në strehë me ekipin e tij të sigurisë.
Forcat speciale meksikane dhe Forca e Reagimit të Menjëhershëm Special e Gardës Kombëtare kaluan më pas në veprim, duke hartuar një plan dhe duke nisur një bastisje brenda 24 orëve të ardhshme.
Për të shmangur ngritjen e dyshimeve, misioni u krye kryesisht nga forcat tokësore me mbështetje të kufizuar ajrore nga helikopterët.
Sipas analizës së CNN mbi videot në rrjetet sociale, disa njësi të ushtrisë meksikane ishin të pranishme në qendër të Tapalpës të dielën në mëngjes.
Presidentja Claudia Sheinbaum tha se SHBA ndau informacione inteligjence që ndihmuan operacionin, por nuk dërgoi forca tokësore.
Trupat meksikane vendosën një perimetër rreth kompleksit dhe më pas u afruan. Ndërsa vepronin kështu, ata u qëlluan nga zëvendësit e Osegueras.
Duke përdorur video të dëshmitarëve të kapura gjatë operacionit, CNN identifikoi vendndodhjen e mundshme të El Menchos në një zonë pyjore që strehon disa komplekse të vogla të rrethuara me porta, pak më shumë se tre milje në jugperëndim të Tapalpës. Vendi, një strukturë pushimi me qira e njohur si Cabañas La Loma, ndodhet pranë Tapalpa Country Club, në fund të një rruge të gjatë dhe të izoluar.
Cabañas La Loma u sanksionua nga Departamenti i Thesarit i SHBA-ve në vitin 2015 dhe sërish në vitin 2017 për ofrimin e “ndihmës materiale për aktivitetet e trafikimit të drogës të (kartelit Jalisco)”.
Pamje të verifikuara nga CNN tregojnë persona me uniformë dhe automjete të blinduara që avancojnë në një shpat drejt Cabañas La Loma.
Pamjet e dëshmitarëve, të gjeolokalizuara fillimisht nga studiuesi online Halipon dhe të verifikuara nga CNN, tregojnë dhjetëra persona me uniformë dhe automjete të blinduara që ngjiten drejt vendit.
Në pamje të tjera, të filmuara më poshtë në rrugën hyrëse, dëgjohen të shtëna automatike, ndërsa një video e tretë e regjistruar në të njëjtën kohë tregon tym të zi të dendur që ngrihet nga zona.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë 8 anëtarë të kartelit dhe u plagosën 2 ushtarë.
Oseguera dhe disa nga zëvendësit e tij më pas u arratisën në një zonë pyjore aty pranë, duke lënë pas një grup “me një sasi të madhe armësh” që vazhdoi të luftonte.
Ndërsa disa nga trupat meksikane mbetën për t’u përballur me grupin në kabinë, një ekip i Forcave Speciale u shkëput në ndjekje të Osegueras, të cilin e gjetën të fshehur në një zonë me bimësi të dendur pyjore.
Pas një përplasjeje tjetër me armë, ekipi i Forcave Speciale arrestoi liderin e kartelit dhe dy truprojat e tij. Të tre ishin plagosur rëndë dhe u përcaktua se duhej të evakuoheshin për të mbijetuar.
Së bashku me një ushtar të plagosur, tre anëtarët e kartelit u vendosën në një helikopter që supozohej t’i çonte në një spital në qytetin e afërt të Guadalajara-s.
Megjithatë, kur të tre vdiqën gjatë fluturimit, autoritetet vendosën të ndryshonin destinacionin, nga frika e një reagimi të dhunshëm në Guadalajara, ku karteli ndikim të madh. Helikopteri u devijua drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Morelias, ku një avion i Forcave Ajrore po priste për t’i çuar në Mexico City.
Lajmi për vdekjen e Osegueras e zhyti një pjesë të madhe të Meksikës në kaos, ndërsa forcat e kartelit ndërmorën një valë dhune hakmarrëse.
Bandat ngritën barrikada të zjarrta në rrugë dhe u përfshinë në përplasje me ushtrinë.
Linjat ajrore pezulluan fluturimet drejt rajonit dhe SHBA u bëri thirrje shtetasve të saj të strehoheshin në vend gjatë trazirave.
Mes kaosit, u vranë 25 efektivë të policisë ushtarake të Gardës Kombëtare.
Operacioni ndodhi në një kohë me rëndësi të madhe për Meksikën. Me Trump që kërcënonte me ndërhyrje ndërkufitare, Sheinbaum padyshim dëshironte të tregonte se po godiste me forcë bandat e drogës.
Megjithatë, ai gjithashtu përfaqëson një rrezik të llogaritur, duke pasur parasysh afërsinë e Kupës së Botës me dhunën e nxitur nga vdekja e bosit të drogës. Guadalajara do të presë ndeshje këtë verë, në një ngjarje që pritet të sjellë përfitime ekonomike për Jaliscon, dhe Sheinbaum padyshim do të tregohej e kujdesshme që të mos trembte turistët.
Është e mundur që mundësia për të kapur Osegueran që SHBA e ka klasifikuar si terrorist global me përkatësi të veçantë dhe shpërblimi prej 15 milionë dollarësh, të mos humbiste.
Komente






