Ditën e diel, në kantonin e Bernit në Zvicër, janë mbajtur zgjedhjet parlamentare. Parlamenti kantonal ka 160 anëtarë, të cilët u zgjodhën në 9 zona zgjedhore.

Mes emrave të rinj është edhe ai i një shqiptareje nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, Shasime Osmanit, e cila është e para që zgjidhet deputete.

Shasime Osmani është anëtare e Partisë Socialdemokrate, e cila së bashku me Partinë Popullore Zvicerane, kanë arritur të rrisin numrat e deputetëve të tyre në parlament.

Pas fitores, ajo postoi një foto duke u përqafuar me një mikeshë, shoqëruar me shkrimin: “Po më rrjedhin vetëm lot.“

Gjyshi i saj është vendosur në Zvicër që prej vitit 1979. Babai i Shasimes emigroi në vitin 1993, ndërsa 6 vite më vonë, vetë ajo, asokohe 1 vjeçe dhe nëna e saj, shkuan pranë të atit.

Ajo është studente e drejtësisë në Universitetin e Bernit. Ka përfunduar kualifikimin në biznes dhe ka një diplomë profesionale. Është rritur në lagjen Bümplitz-Bethlehem të Bernës, një zonë ku fëmijët përballen shpesh me vështirësi arsimore dhe sociale.

Osmani është njëkohësisht këshilltare e qytetit të Bernit. Fokusi i saj është i qartë migracioni, arsimi, barazia sociale dhe barazia gjinore.

Mediat zvicerane e prezantuan deputete si “një zë për ata që nuk kanë zë”, dhe qytetarët e Bernës i dhanë besimin e tyre për t’i përfaqësuar.