TIRANË- Emërimi i Skënder Hitës si drejtuesi i ri i Policisë së Shtetit ka nxitur debate në seancën e Kuvendit. Partia Demokratike përmes deputetit Klevis Balliu hodhi akuza se emri i Hitës u zgjodh nga ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku.
“Zar i radhës i Ballukut. Që tre ditë më parë e dinim që Skënder Hita do emërohej, sot vetëm u zyrtarizua krimi i radhës. Në dosjen e Ballukut thuhet se ka pasur kërcënime me jetë ndaj dëshmitarëve nga eksponentë të krimit. Në dosjen e kësaj zonje, që sot emëron drejtorin e policisë, merr në dorë të gjithë Ministrinë e Brendshme. Se siç ka thënë Rama, ministrat e brendshëm do merren me adresat”, tha Klevis Balliu.
Përgjigjen e mori nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari i cili opozitës i kujtoi se Hita është një oficer karriere dhe emërimi i tij është bërë në bazë të meritës. Ministri theksoi se i gjithë procesi për përzgjedhjen e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit u monitorua nga partnerët ndërkombëtarë.
“Hita është oficer karriere, unë kam pasur rastin të bashkëpunoj me të prej 9 vitesh tashmë, qëkur unë pata nderin t’i bashkohem Ministrisë së Brendshme. Ka qenë drejtues në disa qarqe të vendit ku ka spikatur për profesionalizmin, integritetin, përkushtimin ndaj uniformës e organizatës dhe jam i lumtur që si një nga kandidatët më të vlerësuar të konkursit të mbikëqyrur edhe nga partnerët ndërkombëtarë, kryesisht ata të BE që kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë ditës, ka spikatur roli dhe kontributi i tij”, u shpreh ai.
Në seancën pas javës së gjelbër, deputetët ngritën edhe shqetësimin për çmimin e naftës. Socialisti Erion Braçe tha se Shqipëria ka çmimin më të lartë neto të hidrokarbureve në rajon. Braçe nënvizoi se Bordi i Transparencës duhet të përmbushë detyrën për të cilën është ngritur, transparencën, ndërsa tha se i sheh si “kartel” furnizuesit e naftës. Ai foli për kërcënimet e tyre lidhur me ndërprerjen e furnizimit me naftë, gjë për të cilën u shpreh se prek sigurinë kombëtare.
“Ajo që më bëri përshtypje ishin tonet kërcënuese të një shoqate që funksionon në treg si kartel, tone kërcënuese për të ndërprerë furnizimin, importin e me radhë, janë tone kriminale që kërcënojnë sigurinë kombëtare që duhet të marrin përgjigje duke shembur modelin e tregut të hidrokarbureve që garanton fitime, arrogancë dhe kërcënime nga operatorët në këtë treg”, tha Braçe.
Kritika për çmimin e naftës pati edhe nga radhët e opozitës.
“Çdo shqiptar ndien neveri teksa sheh këtë Kuvend që vjen era naftë për shkak se shumica prej jush nuk mbrojnë interesin publik, por të një karteli që në bashkëpunim me Edi Ramën ka shtuar sot kostot për çdo shqiptar, fermer e biznes”, tha Blushi.
Deputetja e PS në Shkodër, Marjana Koçeku, u ngjit në podium me dy shishe ujë. Në njërën gjendej ujë kristal, ndërsa në tjetrën, ngjyra e tij ishte e turbullt, e verdhë në kafe. Ajo shprehu shqetësimin për ndotjen e lumit Drin, gjendja e të cilit po sjell dëm ekonomik sepse i detyron turistët të largohen më herët ose të mos rikthehen. Ko♪eku nënvizoi nevojën për një marrëveshje ndërkufitare mes Shqipërisë e Kosovës.
"Zgjidhja ekziston dhe ekspertët e kanë thënë. Së pari, na duhet një marrëveshje ndërkufitare mes Shqipërisë e Kosovës dhe veprim konkret. Së dyti, rrjeta e barriera në rrjedhën e Drinit të Bardhë e të Zi për me dalë mbetjet para se të kalojë kufirin. Së treti, investim në impiante pastrimi të ujërave të zeza në komunat kosovare përgjatë Drinit me bashkëfinancim prej BE, i cili ka tashmë 50 milionë euro të alokuara për ujin në veri. Së katërti, monitorim të vazhdueshëm, jo 4 herë në vit, por çdo muaj dhe me raporte publike", tha deputetja.
Lajm në përditësim...
Ndërsa seanca plenare vijon, për ministrat duket të ketë përfunduar.
Deputetët po marrin njëri pas tjetrit fjalën për të sjellë në vëmendje shqetësimet e qytetarëve, por në sallë nuk ka asnjë ministër të pranishëm.
Më herët, ishte i pranishëm ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për përzgjedhjen e Skënder Hitës në krye të Policisë së Shtetit.
Deputetja e PS në Shkodër, Marjana Koçeku, u ngjit në podiumin e Kuvendit me dy shishe ujë. Në njërën gjendej ujë kristal, ndërsa në tjetrën, ngjyra e tij ishte e turbullt, e verdhë në kafe.
“Kam ardhur sot jo me raporte, as me statistika, por me dy shishe me ujë. Ky është uji i Drinit siç e mban mend gjyshi im, i gjallë, i ftohtë, i pastër, siç ka qenë dikur. Ndërsa ky, është uji i Drinit sot siç e shohin mijëra vizitorë dhe mysafirë që vijnë nga të tëra anët e botës për të parë Shqipërinë”, tha Koçeku.
Deputetja tha se sot janë mbi 30 bujtinarë që nuk kanë një përgjigje për turistët që pyesin se ç’po ndodh me Drinin. Turistët largohen më herët ose nuk rikthehen duke sjellë një dëm të madh ekonomik, tha Koçeku. Ajo shtoi se cilësia e lumit tashmë është e dobët dhe pavarësisht një përpjekjeje vullnetare për të larguar 30 ton plastikë, gjendja është drastike.
Koçeku u shpreh se për Drinin s’është fajtore as Shqipëria e as Kosova, por të dyja vendet duhet të nënshkruajnë një marrëveshje ndërkufitare për të zgjidhur problemin.
“Është pasojë e dy shteteve shqiptare që ende nuk kanë mundur të zgjidhin bashkë një problem të përbashkët. Unë sot po kërkoj pikërisht këtë: ta zgjidhim bashkë. Zgjidhja ekziston dhe ekspertët e kanë thënë. Së pari, na duhet një marrëveshje ndërkufitare mes Shqipërisë e Kosovës dhe veprim konkret. Së dyti, rrjeta e barriera në rrjedhën e Drinit të Bardhë e të Zi për me dalë mbetjet para se të kalojë kufirin. Së treti, investim në impiante pastrimi të ujërave të zeza në komunat kosovare përgjatë Drinit me bashkëfinancim prej BE, i cili ka tashmë 50 milionë euro të alokuara për ujin në veri. Së katërti, monitorim të vazhdueshëm, jo 4 herë në vit, por çdo muaj dhe me raporte publike”, tha Koçeku.
“Kjo shishe nuk ka ngjyrën e Shqipërisë, as të Kosovës. Ka ngjyrën e dështimit të dy shteteve për të mbrojtur atë që është më e rëndësishmja: natyrën, ujin, të ardhmen tonë”, shtoi ajo.
“Lumi as nuk pret, as nuk bën politikë”, përmbylli Koçeku ndërsa nënvizoi sërish urgjencën për të nënshkruar marrëveshjen mes dy vendeve.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, foli në seancën plenare për çmimin e naftës duke thënë se Kuvendi sot vjen erë naftë.
“Çdo shqiptar ndien neveri teksa sheh këtë Kuvend që vjen era naftë për shkak se shumica prej jush nuk mbrojnë interesin publik, por të një karteli që në bashkëpunim me Edi Ramën ka shtuar sot kostot për çdo shqiptar, fermer e biznes”, tha Blushi.
Blushi tha se nuk ka krim më të madh sesa heshtja për krizën që nuk ka marrë zgjidhje, ndërsa Bordin e Transparencës e quajti “zhvatës” pasi ka rënduar shqiptarët.
“Kjo seancë duhet të dilte me një vendimmarrje sa i përket një krize që rëndon sot në xhepin e çdo shqiptari. Unë e di se ju nuk fusni dorën në xhep për të mbushur makinën me naftë sepse ua mbushin shqiptarët Mercedes-in tuaj luksoz. Unë e di që shumica e deputetëve rimbursohen me taksat e shqiptarëve, por nuk ka krim më të madh sesa heshtja e kujtdo sot për një krizë që duhet të marrë zgjidhje, jo nga një Bord zhvatës, i vetmi Bord në historinë e një vendi demokratik që mblidhet për të rënduar barrën fiskale ndaj shqiptarëve”, përfundoi Blushi.
Në seancën plenare në Kuvend, deputeti i PD, Klevis Balliu, bëri një deklaratë për drejtorin e sapoemëruar të Policisë së Shtetit, Skënder Hitën. Ai tha se ai është “zar i radhës i Ballukut” dhe emërimi i tij dihej që para tri ditësh.
“Zar i radhës i Ballukut. Që tre ditë më parë e dinim që Skënder Hita do të emërohej sot vetëm u zyrtarizua krim i radhës. Në dosjen e Ballukut thuhet se ka pasur kërcënime me jetë ndaj dëshmitarëve nga eksponentë të krimit. Në dosjen e kësaj zonje, që sot emëron drejtorin e Policisë, merr në dorë të gjithë Ministrinë e Brendshme. Se siç ka thënë Rama, ministrat e Brendshëm do të merren me adresat”, tha Balliu.
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari nuk u druajt të kundërpërgjigjej duke thënë se Hita është një oficer karriere dhe ka spikatur edhe si kandidat në konkurs.
“Në fakt, Policia ose shtetit shqiptar i duhet dhënë mbështetje, besim dhe le ta provojë me punë dhe me përkushtim që i shërben shtetit shqiptar, qytetarëve dhe integrimit të vendit. Z. Hita është oficer karriere, unë kam pasur rastin të bashkëpunoj me të prej 9 vitesh tashmë, qëkur unë pata nderint’i bashkohem Ministrisë së Brendshme. Ka qenë drejtues në disa qarqe të vendit ku ka spikatur për profesionalizmin, integritetin, përkushtimin ndaj uniformës e organizatës dhe jam i lumtur që si një nga kandidatët më të vlerësuar të konkursit të mbikëqyrur edhe nga partnerët ndërkombëtarë, kryesisht ata të BE që kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë ditës, ka spikatur roli dhe kontributi i tij. Besoj që Hita, paraardhësit dhe ata që do të vijnë më pas janë mësuar që gjithçka bëhet politike, por për fat të keq, edhe Policia e Shtetit politizohet dhe çfarëdo që të bëjnë do të kenë mallkimin e pashmangshëm të një opozite që vetëm hedh baltë mbi çdokënd, institucionalizon dhunën duke e bërë instrument politik”, u shpreh ai.
Lamallari tha se drejtorin e ri duhet vetëm ta urojnë, ndërsa i kujtoi opozitës se policia garanton rendin e sigurinë edhe gjatë protestave të saj të dhunshme, ku më 22 mars përdhosi edhe flamurin kombëtar.
“I vetmi faj që ka çdo përfaqësues i Policisë së Shtetit, deputetit në fjalë qëkur iu thirr bukurosh i është bërë obsesion dhe tani nuk i ndahet këtij muhabeti, anatemon çdokënd dhe e përdor për politikë bajate e ordinere. Drejtorit të ri duhet t’i urojmë mbarësi e suksese në misionin e shenjtë për garantimin e rendit dhe sigurisë, edhe gjatë protestave që ju bëni dhe molotovëve që hidhni duke mbajtur në njërën dorë flamujt e vendeve të BE dhe hidhni përtokë e shkelni flamurin kombëtar . Turpi qoftë me ju! Turpi qoftë me ju dhe prisni deri në interpelancën e radhës se përgjigjen do ta merrni aty", tha ministri.
"Nëse nuk e kuptove, thashë që atë që ti mësove sot, unë e dija para 3 ditësh. Ti s’je ministër i brendshëm, je mbajtës i një karrigeje, se s’di nga lidhet gomari. Sa i përket dhunës së policisë, Mziu është goditur nga përfaqësues të karteleve me uniformë, dhe ti duhej të ishte i pari që duhej të flisje. Ti nuk flet dot, se ha kur të thonë, kërcen kur të thonë dhe ikën kur të thonë", iu përgjigj Klevis Balliu.
Gjatë seancës në Kuvend, deputeti socialist Erion Braçe ngriti si çështje modelin e tregut të hidrokarbureve që po ndikon në çmimin e naftës, e cila shihet të ketë tendencë rritjeje.
“Duhet të kthejmë vëmendjen nga modeli i tregut që kemi në këtë sektor. Është shumë e rëndësishme që narrativa që synon të fshehë elementë të posaçëm dhe modeli që kemi në tregun e hidrokarbureve të mos gjejë hapësirë të mjaftueshme për të zhurmuar ose fshehur e tërhequr vëmendjen në drejtime të tjera”, tha Braçe.
Deputeti tha se Shqipëria ka çmimin neto më të lartë të hidrokarbureve në rajon.
“Me tregun dhe çmimet e sotme në bursë, ne kemi çmimin neto të hidrokarbureve më të lartë në të gjithë rajonin. Po flas për çmimin neto, pa taksa fare që është më i larti se në Greqi, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi e Serbi”, u shpreh Braçe.
Ai adresoi edhe shqetësimin për reagimin e furnizuesve të hidrokarbureve, një shoqatë që tha se funksionon si kartel dhe kërcënimet për ndërprerjen e furnizimit cenojnë sigurinë kombëtare.
“Ajo që më bëri përshtypje ishin tonet kërcënuese të një shoqate që funksionon në treg si kartel, tone kërcënuese për të ndërprerë furnizimin, importin e me radhë, janë tone kriminale që kërcënojnë sigurinë kombëtare që duhet të marrin përgjigje duke shembur modelin e tregut të hidrokarbureve që garanton fitime, arrogancë dhe kërcënime nga operatorët në këtë treg”, përfundoi Braçe.
Komente











