Kamerat kurth në Parkun Kombëtar të Malit të Sharrit në Maqedoninë e Veriut kanë kapur dy rrëqebuj të rinj ballkanikë.
Ata janë vërejtur gjatë monitorimit të rregullt në zonën që administrativisht i përket Komunës së Vrapçishtit. Me këtë zbulim, numri i individëve të identifikuar është rritur nga 3 në 5.
“Në kamerat tona kurth në territorin e Parkut, së fundmi janë regjistruar dy individë të rinj të rrëqebullit Ballkanik. Të njëjtit janë vërejtur gjatë realizimit të monitorimit të rregullt, në pjesën e territorit që administrativisht i përket Komunës së Vrapçishtit. Me këtë, numri i individëve të identifikuar të rrëqebullit rritet nga 3 në 5. Të dy individët janë në gjendje të mirë shëndetësore, gjë që paraqet tregues për stabilizimin dhe rikuperimin e popullatës së këtij lloji të rrallë në Malin Sharr”, thuhet në postimin në Facebook.
Dy individët e rinj janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa autoritetet e parkut theksojnë se do të vijojnë të jenë të përkushtuar në ruajtjen e botës së egër dhe përmirësimit të ekosistemit.
Rrëqebulli i Ballkanit është grabitqari i tretë më i madh në Europë, rajonin e Ballkanit dhe në Shqipëri pas ariut të murrmë dhe ujkut.
Me më pak se 40 individë të mbetur kësaj specie, rrëqebulli ka habitat malet e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Që nga viti 2015, ai është listuar si i rrezikuar në mënyrë kritike, një kategori përpara zhdukjes. Arsyeja kryesore e rrezikimit të tij është gjuetia e paligjshme dhe shkatërrimi i habitatit nga shpyllëzimi.
Komente









