Pete Hegseth, ish-ushtar dhe ish-komentator i Fox News, sot drejton Pentagonin me një stil që shpesh ngjan më shumë me retorikë lufte sesa me diplomaci. Në Shtetet e Bashkuara ai është bërë edhe objekt satire, sidomos pas një skeçi në “Saturday Night Live”, ku u quajt me ironi sekretari i “Operation Kill Everybody”.
Shkaku ishte një episod i diskutuar shumë: forcat amerikane qëlluan mbi disa persona në det gjatë një operacioni kundër trafikantëve të drogës. Washington Post raportoi se urdhri për të hapur zjarr ishte dhënë nga vetë Hegseth, i cili më pas ia atribuoi vendimin një gjenerali.
Ky është, sipas kritikëve, “ethosi i luftëtarit” që ish-veterani i Irakut dhe Afganistanit ka premtuar të sjellë në Pentagon. Ai drejton institucionin më të madh të qeverisë amerikane, me rreth tre milionë punonjës dhe një buxhet prej 849 miliardë dollarësh.
Hegseth u bë edhe njeriu që vendosi emrin e operacionit kundër Iranit, “Epic Fury”. Emërimi i tij në krye të Pentagonit një vit më parë kaloi me shumë vështirësi në Kongres. Një pjesë e senatorëve votuan kundër për shkak të akuzave për dhunë seksuale dhe probleme me alkoolin të ngritura nga një ish-kunatë e tij. Emërimi u miratua vetëm pasi ndërhyri me votën e tij zëvendëspresidenti JD Vance.
Vetë Hegseth i ka mohuar akuzat. “Nuk jam perfekt, por ekziston shpengimi”, tha ai gjatë seancave të konfirmimit.
Megjithatë polemikat e kanë ndjekur edhe gjatë detyrës. Në mars ai shpërndau informacione të ndjeshme për një sulm të mundshëm ndaj Houthive në Jemen në një grup në aplikacionin Signal, një bisedë jo e mbrojtur ku përveç familjarëve përfundoi edhe një gazetar i revistës The Atlantic. Më vonë një raport i Pentagonit tha se ky veprim kishte vënë në rrezik ushtarët amerikanë.
Presidenti Donald Trump e qortoi publikisht, por nuk e shkarkoi. Hegseth vazhdoi të mbajë një linjë të ashpër, duke thënë se operacioni kundër Iranit nuk ka përfunduar ende, por nuk do të kthehet në një luftë të pafund si ajo në Irak pas vitit 2003.
Ndërkohë, ndërsa retorika e tij është ajo e një “luftëtari”, në Pentagon janë rritur edhe shpenzimet për luks. Një raport i organizatës “Open the Books” tregon se vetëm në pesë muaj janë shpenzuar rreth 9 milionë dollarë për vakte me karavidhe dhe gaforre nga Alaska, ndërsa 15 milionë të tjera për biftekë të klasit të parë.
Lista vazhdon: 124 mijë dollarë për makina akulloresh, 5.3 milionë për pajisje të reja Apple dhe 100 mijë dollarë për një piano Steinway për rezidencën e shefit të shtabit të Forcave Ajrore. Vetëm për mobilimin e zyrave në vitin 2025 janë shpenzuar 225 milionë dollarë.
Demokratët kujtojnë se një vit më parë Hegseth kishte premtuar se do të ulte shpenzimet e panevojshme në Pentagon. Kritikat vijnë edhe në një moment kur administrata Trump ka shkurtuar programet sociale dhe miliona amerikanë rrezikojnë të humbasin ndihmën ushqimore.
Me 45 vjet, Hegseth është një nga sekretarët më të rinj të Pentagonit në historinë amerikane, pas Donald Rumsfeld. Por kujtesa e luftës në Irak mbetet një paralajmërim. Atëherë amerikanët hynë në Bagdad duke menduar për një fitore të shpejtë, por përfunduan në një konflikt të gjatë dhe të përgjakshëm.
Shumë pyesin nëse historia mund të përsëritet edhe këtë herë./CorrieredellaSera
Komente









KY duket si playboy, i rritur ne ato haremet e Epstein,tip korrieri/shoqeres,neper koridore. Trump per vete seriozitetin e struktures duhet ti kishte gjetur nje pozicion teeter,Jo minister lufte.
Përgjigju