Champions League rezervon sonte një tjetër natë magjike për lllogari të ndeshjeve të kthimit për fazën e 1/8. Arsyeja për këtë është se Reali i Madridit do tentojë të përmbysë humbjen 0-1 të pësuar kundër Paris SG në Francë.
Për t’ia dalë galaktikët duhet t’ia bëjnë pa Casemiron në mesfushë, ndërsa edhe Toni Kross pavarësisht se është kthyer në stërvitje mund ta nisë nga stoli. Mungesë tjetër e të besuarve të Ancelotti-t është Ferlan Mendy, ndërsa nga ana tjetër në dyshim janë Paredes dhe mbi të gjitha Mbappe, autori i golit në ndeshjen e parë.
Nga minuta e parë sonte pritet Neymar, i cili ka lënë pas dëmtimin dhe për herë të parë që nga 2015 nuk është i dëmtuar në këtë fazë të kampionatit. Braziliani është akuzuar se dëmtohej qëllimisht për të marrë pjesë në ditëlindjen e motrës së tij Rafaello Santos më 11 mars. 3 sezonet e fundit Neymar në këtë fazë të kampionatit vuante gjithmonë nga një dëmtim i rëndë.
Ndërkohë në prag të sfidës në Champions trajneri i Real Madrid Ancelotti është shprehur: “Ne besojmë se mund t’ia dalim. Por, pas fitores me Sociedadin kam krijuar përshtypjen se dhe tifozët tanë kanë nisur të besojnë se ne mund t’ia dalim. Pas kësaj ndeshjeje ata kanë një arsye më shumë për të na mbështetur. Ne premtojmë se do të bëjmë gjithçka, lojtarët do të japin gjithçka në këtë takim.
Por, të mërkurën më shumë se kurrë na nevojitet edhe një dorë nga tifozët tanë. Ndihma e tyre është e domosdoshme për ne”, ka thënë trajneri i Realit të Madridit.
Ndërkohë po sonte Manchester City do të presë Sporting Lisbonën, një skuadër që ndeshjen e parë e mposhti me shifrat 0-5.