Nga Moska në Gjermaninë Lindore si dështoi alternativa e socializmit totalitar

Nga Moska në Gjermaninë Lindore si dështoi alternativa e socializmit totalitar

(Vijon nga numri i kaluar)

Në literaturën historike e politike ka shumë autorë që vënë theksin te faktorët e jashtëm, ku para së gjithash kanë parasysh burimet financire, teknologjike e forcën ushtarake të Perëndimit, që në sfidën me Lindjen po triumfonte në çdo drejtim. Sidomos kjo u duk në vitet ’80 gjatë presidencës së R. Reganit, ku Bashkimi Sovjetik e kishte të pamundur të ndiqte garën ushtarake me SHBA-në në fushën e armatimit aerospacial dhe të krijimit të tipeve të reja të raketave.

Sidomos autorët rusë e kanë bërë traditë që të numërojnë gabimet në politikën e jashtme sovjetike ku ekspansionizmi pa fre i Hrushovit dhe i Brezhnjevit në Azi, në Afrikë e në Amerikën Latine shteroi burimet financiare dhe la pas Bashkimin Sovjetik. Natyrisht që të gjitha këto aspekte kishin rëndësi, por kurrsesi nuk përjashtojnë kryesoren se, socializmi si rend politik, si ekonomi, si standard jetese dështoi përballë shoqërive të lira e të hapura perëndimore.

Verdikti i historisë ishte i tillë që alternativa e socializmit totalitar dështoi kurse alternativa liberal-demokrate u reformua dhe mbijetoi, duke shprehur vlerat e saj për shoqërinë.

Duke e parë problemin në kuadrin e zhvillimit evropian dhe botëror në shek. XIX-XX, vihet re që Rusia ka fituar përkohësisht, por në fund të fundit ka dështuar në përpjekjet për të imponuar parimet dhe politikën ekspansioniste. Për herë të parë, në shek. XIX, pas triumfit mbi trupat napoleoniane, Rusia ishte një ndër gardianet kryesore të konservatorizmit dhe të parimeve të Lidhjes së Shenjtë. Arkitektura politike dhe nacionale e ideuar nga Meterniku dhe që u mbrojt me fanatizëm nga Vjena, Berlini dhe nga Petërburgu, u shemb nga revolucionet e shek. XIX dhe nga zhvillimi i vrullshëm i kapitalizmit në gjysmën e dytë të shek. XIX. Revolucioni industrial shënoi triumfiin e plotë të ekonomisë, të politikës dhe të ideologjisë liberale.

Dështimi i dytë i madh ishte ai i shek. XX që lidhet me sistemin socialist totalitar. Ky sistem që lindi dhe ekzistoi në periudhën e viteve 1917-1991, u mbrojt me fanatizëm nga Moska duke përdorur presionet politike, ideologjike dhe ushtarake. Rrjedha e ngjarjeve ishte e tillë që sistemi komunist u shemb nga lëvizjet demokratike të popujve. Parimet dhe sistemi demokratik në fund të shek. XX triumfuan mbi parimet dhe mbi sistemin totalitar sovjetik. Studiuesit perëndimorë kishin vënë në dukje kontradiktat e sistemit socialist dhe pashmangshmërinë e falimentimit të tij. Por këtë proces e shihnin disi të zgjatur në kohë dhe të lidhur me daljen e gjeneratave të reja që nuk do të pajtoheshin me realitetin sovjetik dhe do ta detyronin atë të reformohej, derisa në fund të demokratizohej dhe të njihte parimet e lirisë. Në dallim me këto pikëpamje, ecuria e ngjarjeve në dhjetor të vitit 1991 ishte e tillë, që shumë shpejt bota pa sesi falimentoi një sistem dhe si u shpërbë një superfuqi.

Falimentimi i sistemit sovjetik u përcaktua nga faktorë ekonomikë e socialë. Po qe se duam të përcaktojmë cilët janë primarët, përgjigjja që është dhënë ka qenë e ndryshme, sipas kohës dhe bindjeve të autorëve. Deri në vitet ’70 të shek. XX, shumica e historianëve dhe e sovjetologëve perëndimorë ishin të mendimit se rënia e Bashkimit Sovjetik do të përcaktohej nga kontradiktat nacionale. Por koha tregoi se faktorët ekonomikë ishin përcaktues në këtë proces. Ekonomia e komanduar socialiste nuk i përgjigjej kërkesave të vendit dhe prej vitesh ndodhej në stanjacion. Derisa doli në skenën politike M. Gorbaçovi, askush nga republikat e shtetit federal (me përjashtim të republikave baltike) nuk e kishte ëndërruar shkëputjen dhe krijimin e shteteve të pavarura. Krahas dhunës apo frikës nga përplasjet nacionale, gjendja ekonomike e shoqërore në republikat joruse ishte më e mirë se gjendja në Republikën Sovjetike Federative Ruse. “Duket sheshit, - thekson E. Hobsbawm, - se shpërbërja kombëtare e BRSS-së dhe e një pjese të republikave të saj, pothuajse të gjitha faktikisht shumëkombëshe, ka qenë më tepër një rrjedhojë e ngjarjeve të Moskës e jo shkaku i tyre”.

Studiuesi i njohur Ch. Tilly në veprën “Revolucionet evropiane 1492-1992” është ndalur veçanërisht në  revolucionet nacionale në ish-perandorinë sovjetike duke vënë në dukje se ato kishin dy veçori kryesore. Së pari, ato drejtoheshin kundër nomenklaturës komuniste dhe në këtë kuptim ato kishin drejtim klasor dhe së dyti, ato u ndalën në vitin 1992. Sipas C. Tillit, “në fakt kudo në hapësirat e Bashkimit Sovjetik, dirigjentët që në regjimin e vjetër kishin mbajtur pushtetin në saje të Partisë Komuniste, tani e ushtronin atë në emër të sovranitetit kombëtar ose përdornin talentin, marrëdhëniet dhe aksesin me të mirat materiale ose avantazhin e karrierës së re si sipërmarrës. Revolucionet e Rusisë akoma nuk kishin përfunduar”. Dëshmi për këtë kanë qenë lëvizjet në Gjeorgji apo revolucionet në Ukrainë në vitet 2004 dhe 2014, që drejtoheshin kundër grupeve drejtuese proruse dhe kërkonin zbatimin e parimeve demokratike.

Erudicioni dhe forca analitike e shkencëtarëve janë të njohura, por ata jo në çdo rast mund të zbulojnë enigmat e procesit historik. As manovrat politike të elitave brenda pallateve, as reformat kozmetike, as ndryshimet në udhëheqjen e lartë partiake e shtetërore nuk mund të ndalnin shembjen e të vjetrës. Krijohet një situatë e tillë që, sipas vlerësimit të R. Dahrendorfit: “Një regjim i vjetër kokëfortë kapet pas privilegjit dhe në kohën që fillon të reformohet i mungon njëherësh besueshmëria dhe efektiviteti. Njerëzit nuk e duan. Energjitë e konfliktit përftojnë një gjendje të tendosur konfrontimi. Kjo është fuçi baruti. Mjafton një shkëndijë e vetme, qoftë kjo shkëndijë shprese, zgjuar nga reforma politike të bëra me pahir, qoftë shkëndijë zemërimi, zgjuar nga ndonjë armë e shkrehur në çastin e papërshtatshëm, dhe ajo shpërthen dhe tërë ngrehina e vjetër fillon të shembet”.

 *(Titujt dhe nëntitujt janë redaksionalë. Përgatiti për botim Dhurata Hamzai)

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare