Zëvendësimi i palmave me pisha të buta përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, ishte në fokus të debatit në emisionin "Repolitix" në Report Tv. 

Këshilltari socialist, Florian Pullazi, i cili një ditë më parë u emërua administrator i njësisë bashkiake nr.2, tha se projektvendimi u diskutua gjerësisht në grupin e këshilltarëve të majtë. Duke mbrojtur mbjelljen e pishave në vend të palmave, ai tha se Tirana duhet të ketë një hyrje dinjitoze nga pikëpamja vizuale.  

"Kërkohet një hyrje sa më dinjitoze, për t'i dhënë nga ana vizuale një sistemim tjetër të asaj hyrje të kryeqytetit. Kur je në grup, merret vendimi i të gjithëve. Këshilltarët e votuan dhe dhanë votën pro", tha Pullazi.

Por kundër këtij vendimi të Bashkisë së Tiranës, u shpreh këshilltari demokrat, Leonard Olli, i cili tha se e gjitha është në vazhdën e skandaleve dhe abuzimeve financiare. Sipas tij, palmat kanë kushtuar 5 milionë euro dhe askush nuk mban përgjegjësi për tharjen dhe nxjerrjen e tyre jashtë funksionit. Olli shtoi gjithashtu se me 2.5 milionë euro për mbjelljen e pishave, mund të ishin ndërtuar disa shkolla apo dhe qendra për fëmijët e rrugës e të moshuarit. 

Debati në "Repolitix"

Florian Pullazi: Ky projekt mund të hajë debat, pse palma dhe të mos ishin pisha, pse pisha dhe jo palma. Është një vendim i bashkisë për të ndryshuar hyrjen e Tiranës. Kërkohet një hyrje sa më dinjitoze, për t'i dhënë nga ana vizuale një sistemim tjetër të asaj hyrje të kryeqytetit. Kur je në grup, merret vendimi i të gjithëve. Këshilltarët e votuan dhe dhanë votën pro.  

Leonard Olli: Eshtë në vazhdën e skandaleve të shpërdorimit të parave publike. Kjo në injorim absolut të nevojave që ka Tirana dhe e gjithë pjesa tjetër e infrastrukturës. Eshtë një çështje që ka hapur debat brenda grupit socialist. Besoj se ka ende individë që kanë kurajo qytetare dhe jo vetëm politike. Përpara se të blejmë një kostum të ri, kujdesemi njëherë për shëndetin tonë, a jemi apo jo, apo do të blejmë kostum për t'u përcjellë njëherë e përgjithmonë nga kjo jetë. 2.5 mln euro, vlera e pishave, për të zëvendësuar palmat, që kushtuan mbi 5 milionë euro. Nuk kanë qenë 600 mijë euro, por më shumë. Nëse bëjnë pishat 2.5 milionë euro dhe paskan bërë 600 mijë euro palmat?! Nuk e dimë kush do paguajë për palmat e thara. Ka edhe probleme të juridiksionit, ajo është rrugë nacionale dhe nuk është kompetencë e bashkisë së Tiranës pjesa e ndërtimit, është drejtoria e përgjithshme rrugëve për këtë pjesë. Pse të shpenzohen 2.5 mln euro për pisha kur mund të ishin përfunduar disa shkolla? Të ndërtojmë një qendër për fëmijët e rrugës, për të moshuarit. Të vendoseshin disa shkurre dekorative. 

Florian Pullazi: Kjo është e njëjta filozofi si me sheshin "Skënderbej", "Pazarin e Ri". Ka institucione, ka një KLSH që mund të verifikojë nëse pishat kanë këtë vlerë apo jo. Sot kemi investime në Tiranë ku nuk ishte ndërhyrë për 27 vite. Kemi rritje të vlerës së pronës falë këtyre investimeve.  

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com