Nga politika tek TikTok-u, shoqëria që po ‘vret’ bijtë e vet

Nga politika tek TikTok-u, shoqëria që po ‘vret’ bijtë e vet

Viktima Martin Cani

“Shoqëria tek ne nuk reagon sa duhet dhe nuk kthen gishtin nga vetja, por të gjithë shohin fajet diku tjetër, nga frika për tu përballur me veten dhe përgjegjësitë”. Me mire se cilido prej nesh, e ka përmbledhur ky prind i përgjegjshëm, i cili foli sot në Euroneës.

Dje unë bëra një video-koment për ngjarjen e tmerrshme të humbjes se jetës se një 14-vjeçari. Ndodhi çudia! Ushtarët politikë që nuk më kanë lenë kusur pa sharë dhe fyer, as nuk u ndien fare. Nga ana tjetër, nuk pati as solidaritet në komente, siç ndodh shpesh.

Gjasat janë që secili në mënyrën e vet, e ka kuptuar thellë në ndërgjegje, se fajtore janë e gjithë shoqëria! Prindërit po ashtu kanë fajet e tyre për ato që po shohim dhe dëgjojmë çdo ditë.

MODELI

Problemi i parë dhe sipas mendimit tim, me thelbësori, është modeli që i jepet sot fëmijëve! Cilat ka si pika referimi sot një adoleshent? Kush janë modelet e tij? Kush janë idhujt?

Për fat te keq, ato janë Interneti, nga media që në kohën që jetojmë janë kthyer në terren pjellor për dhunë, për konflikte, për përplasje. Larg prej dialogut, urtësisë, qetësisë. Po prindi, sa i është përshtatur me realitetet e reja?

Sa të ndërgjegjshëm jemi për ushqimin e përditshëm që fëmijët tanë marrin në rrjete sociale? Sa e kemi kuptuar se në këto rrjete, vlerat kanë humbur me kohë e me vakt dhe vendin e tyre e kanë zënë antivlerat?

Sa të angazhuar janë prindërit për t’i çuar fëmijët tek libri dhe jo tek kotësia, tek kultura dhe dija dhe jo tek zbrazëtia dhe varësia nga celulari? Për fat te keq, ngjarjet e kohëve të fundit na tregojnë se po ndodh e dyta. Prindërit i kanë lënë fëmijët në duart e pamëshirshme të internetit, dhunës në rrjete sociale, teknologjisë pa kontroll.

Problemi i dytë, janë shembujt. E themi shpesh që fëmijët dhe adoleshentët janë sfungjer, përthithin çdo gjë që u ofrohet. Ata formohen sipas shembullit që u jep familja, shembullit që u jep shoqëria, shembullit që u jep komuniteti. Dhe jo më pak e rëndësishme: Shembullit që në këtë vend u jep politika.

Çfarë shohin në shtëpi, në lagje, në televizor, në media sociale, ata i imitojnë në përditshmërinë e tyre, deri në akte makabre si ai i djeshmi. Ama, asnjë nga ne nuk duhet të bëjë të habiturin! Duhej ta kishim ditur.

Sepse, si mund të presësh që një 14-vjeçar të mos zgjedhë dhunën, kur TikTok sheh babanë e gjyshërit e tij që shajnë e kërcënojnë këdo që mendon ndryshe nga ata?

Shikoni pak lumin e fyerjeve dhe sharjeve nga më të ndyrat, që vërshojnë edhe këtu në këtë hapësirën time virtuale, çdo herë që shpreh një mendim që nuk u pëlqen ushtarëve politikë! Sharje dhe kërcënime!

Tani një pyetje kam: Cili është shembulli që do të marrë fëmija e tyre, kur i dëgjon apo lexon ato që shkruajnë? Sigurisht do mendojë që dhuna është zgjidhja për çdo gjë, që pistoleta apo thika mjaftojnë për ta heshtur tjetrin.

Dhe vijmë tek pika e tretë. Tek arena që amplifikon të gjitha këto. Politika! Pashë me trishtim një deputete, një grua, Ina Zhupën. E kapi tragjedinë që nuk kishte as pak minuta që kishte ndodhur, dhe nisi të lëshojë bataretë e veta politike. Kërkonte fajtorë. Kërkonte dorëheqje. Koka turku!

Çfarë gafe e rëndë publike! Edhe kush, pjesëtarja e një partie që në atë Kuvend ka zgjedhur dhunën. Djegie karrigesh. Sharje kundërshtarësh. Bllokim institucionesh. Dhunë! Dhunë! Dhunë!

I marrin adoleshentët, i cysin që të thyejnë dyqane, u vënë molotovët në duar e u thonë shkoni tani dhe digjeni qytetin. Një pyetje retorike: Po ky, çfarë u mëson atyre adoleshentëve në të gjithë Shqipërinë?

Që gjërat zgjidhen me dialog, apo me dhunë? Përgjigjen po jua lë ju të nderuar miq, qoftë edhe për të reflektuar pak mbi gjendjen ku ka shkuar kjo shoqëri.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë