Kur forcat amerikane kapën Nicolas Maduron në Karakas më 3 janar 2026, shumëkush mendoi se po shihte një film të njohur hollivudian
Në fakt, ishte një kapitull i ri i një historie të vjetër: ndërhyrjet amerikane për ndryshim regjimi, nga Lindja e Mesme në Amerikën Latine.
Operacioni në Venezuelë nuk erdhi nga hiçi. Sipas ekonomistit dhe akademikut Jeffrey Sachs, që nga viti 1947 Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përfshira në mbi 100 operacione për ndryshim regjimi, të justifikuara herë me sigurinë kombëtare, herë me demokracinë, e shpesh me stabilitetin global.
Forcat talebane në Afganistan
Shekulli XXI nisi me Afganistanin. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, SHBA pushtoi vendin për të rrëzuar Talibanët, të akuzuar për strehimin e Osama bin Ladenit. Regjimi u shemb për javë, por dy dekada më vonë, pas tërheqjes amerikane, Talibanët u rikthyen në pushtet, duke e kthyer ndërhyrjen në një rreth vicioz.
Në vitin 2003 erdhi Iraku. Ushtria amerikane rrëzoi regjimin e Saddam Hussein me pretendimin për armë të shkatërrimit në masë — armë që nuk u gjetën kurrë. Ndërsa Saddam u ekzekutua, Iraku u fut në një spirale dhune që ndryshoi përgjithmonë ekuilibrat e rajonit.
Saddam Hussein
Haiti në vitin 2004 ishte një ndërhyrje më e heshtur, por po aq e diskutueshme. Presidenti Jean-Bertrand Aristide u largua nga vendi mes trazirash dhe presioni ndërkombëtar. Ai e quajti largimin “të detyruar”, SHBA e mohoi, por episodi mbeti një plagë e hapur në historinë e vendit.
Jean-Bertrand Aristide
Libia në vitin 2011 shënoi një tjetër model: ndërhyrje ajrore, rrëzim lideri, por pa plan për paqen. Regjimi i Muammar Gaddafit u shkatërrua, vetë Gaddafi u vra, ndërsa vendi u copëtua në fraksione që edhe sot luftojnë për pushtet.
Muammar Gaddafi
Në të njëjtin vit, Egjipti pa rënien e Hosni Mubarak. Nën presionin e protestave masive dhe me tërheqjen e mbështetjes amerikane, ai dha dorëheqjen pas 30 vitesh. Nuk pati pushtim ushtarak, por diplomacia amerikane luajti rol kyç në tranzicion.
Protesta në Egjipt kundër Hosni Mubarak
Tani, rradha i erdhi Venezuelës. Më 3 janar 2026, SHBA kapën presidentin Nicolas Maduro dhe bashkëshorten e tij në një operacion ushtarak, duke e akuzuar për trafik droge dhe narco-terrorizëm. Është një nga veprimet më të drejtpërdrejta amerikane në Amerikën Latine në dekadat e fundit.
Nicolas Maduro
Nga Kabuli në Bagdad, nga Tripoli në Karakas, skenari ndryshon, por logjika mbetet e njëjtë: një regjim rrëzohet, një tjetër premtohet, ndërsa pasojat i paguajnë shoqëritë për vite — ose dekada.
Komente





