Miliona dollarë cash të fshehura pas mureve të shtëpive. Shufra floriri të futura në shishe plastike e të groposura katër metra nën tokë. Para të fshehura edhe në rezervuarë për mbledhjen e ujërave të shiut.

Këto nuk janë skena nga një film aksion, por zbulimet e bëra nga autoritetet irakiane gjatë operacioneve të fundit kundër korrupsionit. Vetëm këtë fundjavë, hetuesit sekuestruan edhe 26 milionë dollarë cash dhe 60 kilogramë flori, duke e çuar në një tjetër nivel atë që tashmë konsiderohet si një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në historinë e Irakut.

Në qendër të dosjes ndodhet Adnan Al Jumaili, ish-zëvendësministër i Naftës për rafineritë, i arrestuar në fund të majit në kuadër të fushatës kombëtare kundër korrupsionit. Ministri i Komunikimeve, Mustafa Sanad, e quajti publikisht "balena e Ministrisë së Naftës", duke e akuzuar si njeriun që për vite me radhë financoi partitë politike përmes një sistemi të organizuar përvetësimi të fondeve publike.

Para se të emërohej zëvendësministër, Al Jumaili kishte drejtuar Kompaninë e Rafinerive Veriore dhe rafinerinë e Baijit. Sipas hetimeve, pikërisht nga këto poste ai ngriti një rrjet ryshfetesh dhe manipulimi kontratash, duke devijuar fonde publike nga katër rafineritë më të rëndësishme të Irakut: Baiji, Doura, Maysan dhe Shuaiba.

Gjatë marrjes në pyetje, ai pranoi se kishte manipuluar shpërndarjen e karburanteve dhe kontratat e projekteve për të gjeneruar para, të cilat më pas përdoreshin për financimin e fraksioneve politike dhe kandidatëve në zgjedhje.

Ajo që i habiti edhe vetë hetuesit ishte mënyra se si ishte fshehur pasuria. Bastisjet zbuluan qindra milionë dollarë dhe shufra floriri të futura pas mureve të banesave, të fshehura në shishe plastike të groposura katër metra nën tokë dhe madje edhe në rezervuarë për mbledhjen e ujërave të shiut.

Operacioni i sotëm solli sekuestrimin e 20 milionë dollarëve cash, 60 kilogramëve flori dhe shtatë automjeteve të lidhura me Al Jumailin. Hetimi u zgjerua edhe te Khalid Khazaie Attiyah, zëvendësministër i Energjisë për transportin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike. Në banesën e tij u gjetën rreth 5.84 milionë dollarë, 1.175 miliardë dinarë irakianë dhe shufra floriri, ndërsa edhe ai përfundoi në pranga.Totali i fundjavës: plot 26 milionë dollarë.

Por këto janë vetëm një pjesë e pasurive të zbuluara deri tani. Bilanci i përgjithshëm i operacionit ka kaluar 125 milionë dollarë cash, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar edhe 438 kilogramë flori, 70 prona banimi dhe komerciale në Bagdad, Erbil dhe Salaheddin, 28 automjete luksoze, si edhe një arsenal me rreth 85 armë zjarri dhe dhjetëra arka me municione.

Ndërkohë, hetimi ka marrë edhe përmasa politike. Dëshmitë e Al Jumailit kanë çuar te emrat e dhjetëra deputetëve dhe zyrtarëve të lartë, duke shkaktuar një valë arrestimesh në Zonën e Gjelbër të Bagdadit, në kuadër të një operacioni gjyqësor të njohur si "Sulmi i Agimit". Kryeministri Ali Al Zaidi deklaroi gjithashtu se Al Jumaili tentoi të siguronte lirimin e tij duke ofruar, përmes një ndërmjetësi, një ryshfet prej 200 milionë dollarësh.

Fushata kundër korrupsionit, e nisur menjëherë pas marrjes së detyrës nga Ali Al Zaidi, po konsiderohet si operacioni më i madh kundër korrupsionit që ka parë Iraku në vitet e fundit. Dhe ndërsa bastisjet vazhdojnë, autoritetet besojnë se miliona të tjera dhe emra të rinj mund të dalin në dritë.