Sabah Kerjota është një emër i panjohur për shumicën e sportdashësve në Shqipëri, por sulmuesi 24-vjeçar pret që të thyejë diktatin e Celtic dhe Rangers për t'u shpallur kampion i Skocisë me Heart of Midlothian. Kertoja deri në vitin 2018 është aktivizuar me moshat e Vllaznisë, si i lindur dhe rritur në Shkodër.
Në janarin e vitit 2018 ai vendosi të largohej në Itali dhe për disa muaj u shkëput nga futbolli, për ta rifilluar pas disa muajsh në ligat amatore e deri në Serie D. Disa nga klubet e tij kanë qenë Narnese, Clitunno, Ancona, Montefano, FC Senigallia dhe për një sezon me Sambenedettese.
Vera e vitit 2025 ishte e duhura për të, pasi skocezët e Heart of Midlothian paguan 150 mijë euro për ta afruar në ekip, duke i dhënë një kontratë deri në verën e vitit 2028. Në sezonin e tij të parë me skocezët, sulmuesi shqiptar ka zhvilluar 18 takime dhe është pranë titullit kampion me të tijtë, gjë që për Heart of Midlothian nuk ndodh prej sezonit 1959-60.
Prej 41 vitesh titullin në Skoci e fiton Celtic ose Rangers, ndaj Heart of Midlothian kërkon surprizën dhe është shumë pranë mrekullisë me një shqiptar si pjesë të tyre. Nga shtatori ata mbajnë kreun e renditjes dhe kanë bërë mirë edhe në play-off, duke qenë shumë pranë suksesit.
Klubi me bazë në Edinburgh kërkon t'i 'rrëmbejë' trofeun dy klubeve nga Glasgow dhe Sabah Kerjota do bëjë pjesë në historinë e Heart of Midlothian. Këta të fundit janë tre ndeshje larg historisë, ndërsa luajnë sot kundër Motherwellit, para se të përballen më 13 maj kundër Falkirk dhe më 16 maj në 'finalen' kundër Celtic. Hearts mbajnë kreun me 76 pikë, tre më shumë se Celtic dhe shtatë më shumë se Rangers.
Sabah Kerjota, Parma dhe shkëlqimi në Serie D
Në vitin 2020 Kertoja kishte mundësinë e parë të madhe. Parma ia vuri syrin. Drejtori Sportiv Daniele Faggiano vendosi ta mbante atë në kontratë, gati për të liruar vendin e një lojtari jo me pasaportë të BE-së. Megjithatë, me kalimin e kohës, klubi mori vendime të ndryshme dhe pavarësisht pritjes së Kerjotës, marrëveshja nuk u realizua kurrë.
Kthesa
Pika e vërtetë e kthesës erdhi dy vjet më vonë. Vigor Senigallia vendosi t’i jepte një shans në Serie D dhe brenda dy vitesh, Sabahu shënoi 19 gola dhe dhuroi 29 asiste në 71 paraqitje. Këto shifra mbresëlënëse tërhoqën vëmendjen e Sambenedettese, të cilët firmosën me të. Rezultati ishte emblematik, 37 paraqitje, 10 gola, 13 asiste dhe ngjitje në Serie C. Pastaj erdhi vëmendja nga jashtë që i ndryshoi jetën. Hearts i ofroi lojtarit një kontratë tre vjeçare, një mundësi që Kerjota vendosi ta shfrytëzonte.
Përshtatja me futbollin skocez nuk ishte gjëja më e lehtë. Por Derek McInnes, trajneri i Hearts, i dha menjëherë besim. Debutimi i tij ndodhi në korrik 2025 në ndeshjen e Kupës kundër Dumbarton , përpara 8,722 tifozëve në 'Tynecastle Park'.

Sabah Kerjota
Konkurrenca? Asnjë problem
Konkurrenca është e ashpër, nga Alexandros Kyziridis te Stephen Kingsley, nuk ka një vend të garantuar. Por këtu bëhen interesante statistikat. Që nga maji 2025, Kerjota ka bërë 18 paraqitje për një total prej 238 minutash të luajtura midis ligës dhe kupave. Megjithatë, me këtë sasi kohe loje, ai ka ndikuar si titullar. Më 4 tetor ai vendosi ndeshjen kundër Hibernian me një asist në minutën e 91-të, shtatë muaj më vonë kundër të njëjtit kundërshtar, ai krijoi golin për 1-1 dhe dha asistin për Blair Spittal për përmbysjen përfundimtare.
Një ndikim kaq vendimtar në vetëm pak minuta saqë ai me meritë fitoi çmimin e 'Lojtarit të Ndeshjes'. E vetmja gjë që mungon është një gol, të cilin ai pothuajse e shënoi në debutimin e tij në ligë kundër Dundee kur gjuajtja e tij me të djathtën nga skaji i zonës u bllokua nga Yevgeniy Kucherenko .
"Jemi të emocionuar me Kerjotën", tha McInnes në orët e fundit, "dhe jam i bindur se ai do të jetë edhe më vendimtar sezonin e ardhshëm."
Rruga është ende e gjatë për Kerjotën dhe Hearts. Ekipi renditet i pari me 76 pikë, tre pikë përpara Celtic me tre ndeshje të mbetura. Fati e deshi që të dyja ekipet të vendosen kundër njëra-tjetrës më 16 maj, në raundin e fundit të sezonit të ligës. Qëllimi i Kerjotës është të sigurojë titullin, duke përfunduar një udhëtim që, duke filluar në fushat e Shkodrës, në Italinë e ulët, e ka çuar atë të garojë për titullin në Skoci.
Megjithëse ka lënë shenjë në Skoci, Sabah Kerjota nuk e ka pasur kurrë një ftesë nga kombëtarja shqiptare e futbollit.
Komente







