Ura që lidh Qafë Shtamën me Krujën e, për pasojë, edhe me kryeqytetin e zona të tjera të vendit, është shembur. Edhe ura e Drojës po ashtu. Janë shembur edhe mjaft ura të tjera. Të vendosura në kontekstin e përmbytjeve masive, që kanë ndodhur në mbarë vendin, ato tingëllojnë si disa dëme më shumë në inventarin kombëtar të dëmeve. Mirëpo, krahasuar me dëmet në zona të tjera të vendit, që janë shkaktuar deri diku nga fatkeqësi natyrore, sikurse janë vërshimi i lumenjve Vjosë, Osum, Seman, Erzen etj, shembja e këtyre urave të vogla, por shumë të nevojshme për qytetarët, është dëshmi e një skandali të madh. Sepse këto ura janë rikonstruksione, për të cilët janë investuar miliona euro nga qeveria dhe ato nuk u bënë pre e ndonjë sulmi lumenjsh të tërbuar. 

Këto ura modeste shërbenin vetëm si mbikalim mbi përrenj modestë e, po qe se “egërsimi” i një përroi, apo edhe rrjedhjet e ujit nga faqet e malit, kanë statusin e një “fatkeqësie natyrore”, atëhere kjo do të thotë se asnjë rrugë në territorin malor të Shqipërisë nuk duhet ndërtuar. Por, në të vërtetë, egërsimi i përrenjve dhe rrjedhjet anësore të ujit nga skarpatetet e maleve thjesht ekspozojnë një punë të dobët të kryer gjatë rikonstruksionit të rrugës. Dhe tashmë që urat janë prishur vetëm pas tre viteve, u mbetet atyre që kanë patur nevojë për këto ura dhe këto rrugë të vuajnë pasojat. Dhe viktimat janë qytetarë të thjeshtë, të cilët, përveç halleve të zakonshme, duhet të përballojnë edhe halle specifike, biznese të këtyre zonave, të cilët kanë humbur mundësinë e kontaktit me tregjet për produktet e tyre etj etj.

Pavarësisht se, zakonisht, në raste të tilla, si ato të përmbytjeve të sivjetshme, por edhe viteve të tjera, dominon një atmosferë emotive solidariteti, ky fakt nuk ka pse të të bëjë të heqësh dorë nga të vështruarit kritik. Pasi, rituali i punëve të dobëta e pa cilësi ka vazhduar përgjatë gjithë viteve të tranzicionit shqiptar, ku gjysma e parave të fondeve të destinuara për investimeve publike kanë përfunduar padrejtësisht në xhepat privatë. Nëse korrupsioni në Shqipëri ka qenë në nivele kaq të larta, një “meritë” të madhe për këtë ka keqpërdorimi i fondeve për investime publike. Nëse i hedh një sy rrjetit rrugor shqiptar, që mbahet edhe si adresa kryesore, ku ka shkuar shumica e fondeve publike, gjen rrugë pa standarde, të pambaruara, por të raportuara si të tilla, rrugë që, edhe pse kanë pak vite që kanë përfunduar, në fakt duken sikur janë bërë para një shekulli. Në evidencat e zyrtarëve figurojnë qindra milionë euro të destinuara për rehabilitimin e infrastrukturës bujqësore, siç janë kanalet kulluese dhe ujitëse, mirëpo fakti është paradoksal: përmbytjet shtohen, në vend që të pakësohen.

Dhe, si për ta vërtetuar shkencërisht lidhjen korrelative të cilësisë së investimit me efektin pozitiv të tij, edhe në përmbytjet e këtyre ditëve u shfaqën raste pozitive. Për shembull Kavaja nuk u përmbyt, Tirana pati një përmirësim të ndjeshëm sa i takon këtij aspekti, pikërisht prej investimeve në pikat kritike, Divjaka po ashtu. Ndaj dhe situata është e tillë, dramatike, shpesh edhe tragjike, ku mjafton vetëm një trill i zakonshëm natyror dhe urat apo rrugët zhduken sikur të mos kenë ekzistuar kurrë.

Një raport i fundit i Bankës Botërore të pak kohëve më parë nënvizonte një kontradiktë rreth faktit që Shqipëria ka shpenzuar përgjatë viteve më shumë fonde nga të gjithë vendet e tjera në infrastrukturë (në përqindje ndaj PBB-së), por ka infrastrukturën më të prapambetur, me përjashtim të ndonjë vendi afrikan. Ky fakt kaloi pa zhurmë e debat, por, në të vërtetë, tek kjo kontradiktë fshihen edhe abuzimet gjigande, që janë bërë ndër vite me investimet publike. Tek kjo kontradiktë duhet gjetur shkaku dhe shpjegimi pse veprat publike shqiptare janë kaq jocilësore, kaq të ekspozuara karshi “presionit” më të vogël natyror, kaq pa standarde. Tek shumat e vjedhura sistematikisht ndër vite nga politikanë e kompani, që kanë punuar për konkretizimin e projekteve, duhet kërkuar arsyeja pse ne vuajmë kaq shpesh e kaq dramatikisht pasojat. Pse rrugët tona janë burim aksidentesh, pse veprat tona publike, pak pasi mbarohen, duken sikur kanë vite të tëra që janë ndërtuar, pasi janë të amortizuara moralisht, estetikisht dhe fizikisht.

Kjo e shpjegon faktin që, edhe pse janë shpenzuar miliarda euro, të financuara nga buxheti, apo të siguruara nga borxhi publik, sërish Shqipëria është një vend ku asnjë problem nuk është zgjidhur njëherë e mirë. Nuk ka të zgjidhur as rrjetin rrugor, as problemin e ujit dhe të energjisë, as sistemin e kanalizimeve dhe të ujitjes së bujqësisë, as turizmit etj. etj.

Këtu duhet kërkuar shpjegimi. Në të kundërt, nëse habitemi, atëhere kjo është thjesht një habi injoranti, që nuk shërben, por vetëm e justifikon realitetin dramatik.

d.c./shqiptarja.com