Nga dita e sotme, është hapur për përdoruesit faqja e "Fjalorit të madh të gjuhës shqipe", një nga tri projektet madhore në albanologji, bashkë me veprat "Historia e Shqiptarëve" dhe "Enciklopedia Shqiptare", projekte këto të ndërmarra nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për promovimin e identitetit, historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore mijëravjeçare.

Për "Fjalorin e madh të gjuhës shqipe" punoi një ekip i gjerë hartuesish, redaktorësh dhe korrektorësh, nën drejtimin e Akademik Jani Thomait si kryeredaktor dhe dy zëvendëskryeredaktorëve, Akademik Valter Memishaj dhe Prof. Dr. Shezai Rrokaj.

Drejtori i Institutit të Gjuhësisë, Valter Memisha, ka bërë me dije se për Report Tv se "fjalori ka rreth 125 mijë njësi leksikore, përfshirë mbi 105 mijë fjalë, 12 mijë e 500 njësi frazeologjike, shprehje të huaja të paasimiluara, si dhe mbi 1200 akronime. Është një vepër e mirëfilltë shkencore.”

Gjithashtu, Memisha ka deklaruar për Report Tv se “shqipja deri sot kanë përdorim fjalor të vëllimit të mesëm që shkojnë deri maksimumi 50 deri 55.000 njësi. Fjalori mi i mirë në përdorim deri tani është fjalori i gjuhës së sotme shqipe viti 1980 me 41.000 fjalë me rreth 150.000 kuptime dhe mbi 1 milion ca ilustrime.”

Hapi përfundimtar do të jetë shtypi i veprës në dhjetë vëllime vitin që vjen.

Platforma online është konceptuar në mënyrë që lexuesit të ndërveprojnë me fjalorin në të gjitha pajisjet digjitale.

Ky fjalor është domosdoshmëri për shkrimtarët e për publicistët, për shkollarët e për studentët, për mësuesit e për pedagogët, për studiuesit e për këdo që merret me përdorimin e kultivimin e gjuhës amtare.

Ai u vjen në ndihmë gjithë atyre që merren veçanërisht me gjuhën e shkruar, por edhe të folur, me krijime e me përkthime, me hartimin e fjalorëve të tipave të ndryshëm etj.