Tre mjekë shqiptarë që kanë ndërtuar karrierën e tyre jashtë vendit janë rikthyer në Shqipëri për t’iu bashkuar sistemit shëndetësor, përmes Platformës “Mjekë nga Diaspora”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, tre profesionistët kanë përvojë në institucione shëndetësore dhe akademike në Europë dhe Amerikën e Veriut dhe do të ushtrojnë profesionin në institucione shëndetësore në vend.

Ermelinda Bahollari, e specializuar në Mjekësi Interne dhe Kardiologji në Gjermani, i është bashkuar Spitalit Memorial Fier.

Ndërkohë, Mikel Kamami, i diplomuar në Itali dhe i specializuar pranë Spitalit Vita-Salute San Raffaele në Milano, është emëruar në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.

Në sistemin shëndetësor shqiptar rikthehet edhe Neritan Boriçi, i cili ka 25 vite përvojë profesionale dhe kërkimore dhe ka punuar së fundmi në institucione referente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se rikthimi i profesionistëve shqiptarë nga diaspora synon të sjellë në sistemin shëndetësor vendas dijet, eksperiencën dhe standardet e fituara gjatë karrierës së tyre jashtë vendit.

Platforma “Mjekë nga Diaspora” synon afrimin e profesionistëve shqiptarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre jashtë vendit me sistemin shëndetësor shqiptar.