ANGLI - Braziliani Igor Thiago është duke përjetuar një sezon të jashtëzakonshëm në Premier League dhe rrugëtimi i tij drejt majës së futbollit anglez është po aq mbresëlënës sa statistikat e tij. Sulmuesi i Brentfordit, me 11 gola në 13 ndeshje, renditet aktualisht si golashënuesi i dytë më i mirë i kampionatit, pas Erling Haaland.
Por para se të bëhej një nga finalizuesit më të rrezikshëm në elitën e futbollit anglez, Thiago kishte një jetë krejt tjetër. I lindur në vitin 2001 në Gama të Brazilit, ai punonte në një supermarket si shpërndarës porosish dhe shpesh ndihmonte edhe në kantier si murator. Humbja e babait në moshën 14-vjeçare e detyroi të merrte përgjegjësi të mëdha për të ndihmuar familjen.
Deri në moshën 18-vjeçare, ai nuk kishte qenë kurrë pjesë e një akademie profesioniste. Luante vetëm me ekipin e tij lokal, duke mbajtur gjallë ëndrrën për t’u bërë futbollist. Kthesa erdhi në vitin 2019, kur Cruzeiro e vërejti dhe i dha mundësinë e parë të madhe. Aty spikati për forcën fizike, instinktin e golit dhe aftësitë e natyrshme në zonë.
Rruga drejt Evropës nisi në 2022. Fillimisht te Ludogorets, më pas te Club Brugge, ndërsa shpërthimi i vërtetë erdhi pas transferimit në Londër te Brentford, ku u shndërrua shpejt në një pikë referimi për sulmin.
Igor Thiago
Komente





