Tre grabitje me armë zjarri ka kryer 30-vjeçari Emiliano Nikolli alias Lleshi në zonën e Fushë-Krujës ditën e djeshme, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga policia.
Emiliano Nikolli fillimisht ndaloi një taksist dhe i kërkoi që ta shoqëronte drejt Fushë-Krujës. Nën kërcënimin e armës i ka marrë taksistit automjetin, celularin dhe një shumë parash e më pas e ka lënë në afërsi të Tapizës dhe është larguar. Të radhës 30-vjeçari ka grabitur dy pika karburanti, gjithashtu nën kërcënimin e armës ka arritur të marrë xhiron ditore nga të dy subjektet si dhe sende personale të punonjësve.
Automjeti taksi i grabitur është gjetur në afërsi të një xhamie në Fushë-Krujë dhe tashmë është sekuestruar. Sakaq, policia po vijon kërkimet për arrestimin e 30-vjeçarit.
Edhe më 10 maj të këtij viti Emiliano Nikolli ishte bashkëautor i grabitjes së një tjetër pike karburanti në fshatin Fushë Gjormë, ndërsa më 30 maj, nën kërcënimin e armës i vodhi një shumë të konsiderueshme parash një tjetër taksisti në fshatin Fushë Mamurras.
“Krujë/Zhvillohet operacioni policor i koduar “Ends”, për zbardhjen e 3 vjedhjeve të kryera dje.
Policia identifikon dhe shpall në kërkim 30-vjeçarin, si autor i dyshuar i 3 vjedhjeve me armë.
30-vjeçari, me precedentë të theksuar kriminal në disa fusha.
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale automjeti i vjedhur taxi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje me armë, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Ends”, është zbardhur ky rast vjedhjeje dhe është identifikuar autori i dyshuar, shtetasi E. N. (Ll.), 30 vjeç, banues në Mamurras.
Nga hetimet dyshohet se 30-vjeçari, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ka vjedhur automjetin taksi me të cilin lëvizte, pasi ka kanosur me armë zjarri, drejtuesin e saj.
Më pas, dyshohet se ka lëvizur me automjetin e vjedhur në drejtim të qytetit të Laçit, ku në dy karburante, iu ka marrë punonjësve, shuma parash dhe sende personale, duke i kanosur ata, me armë zjarri.
Punohet për kapjen e 30-vjeçarit, për dokumentimin e këtyre rasteve dhe të vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Komente







