Pas kritikave të vazhdueshme të Kryeministrit Edi Rama për çmimet e kripura që goditën turizmin kryesisht 2-3 vitet e fundit, qeveria ka vendosur të ndërhyjë me 'dorë të fortë'. Përmes një vendimi të ri, bashkitë marrin kompetencën për të caktuar çmimet maksimale për çdo stacion plazhi përpara nisjes së sezonit.
Nuk do të ketë më tarifa të vendosura në mënyrë arbitrare nga subjektet private. Çdo çmim do të jetë i diferencuar sipas zonës dhe standardit.
Me ndryshimin e rregullores, Këshillit Bashkiak i jepet e drejta përpara fillimit të çdo sezoni turistik, të miratojë me vendim çmimet maksimale për çdo zonë bregdetare brenda territorit të tij. Këto çmime shërbejnë si kufi maksimal i pakalueshëm për subjektet private gjatë negociimit dhe zbatimit të tarifave.
Në mungesë të këtij vendimi në zbatim hyjnë kontratat mes bashkive dhe subjekteve private me çmimet maksimale të përcaktuara.
Ata që abuzojnë duke tejkaluar këta kufij, do të rrezikojnë jo vetëm gjoba, por edhe humbjen e menjëhershme të së drejtës për të menaxhuar plazhin. Paralelisht, bashkitë do të krijojnë zona publike me pagesë të kontrolluar, duke garantuar që bregdeti të mbetet i aksesueshëm dhe me kosto të arsyeshme për të gjithë pushuesit. Në plazhet publike të menaxhuara nga vetë bashkitë ndalohet kontraktimi apo delegimi i stacionit të plazhit te subjektet private.
Bashkitë do të duhet të publikojnë gjithashtu një plan të detajuar për nivelin e lejuar të zhurmave për çdo plazh përpara sezonit turistik, kufi i detyruar për t’u zbatuar nga të gjitha subjektet private që operojnë në zonat bregdetare.
Për dy prej plazheve më të lakmuara të jugut të Shqipërisë, Ksamilit dhe Dhërmiut ku çmimet tejkaluan çdo normë, kryeministri Rama paralajmëroi se do të menaxhohen nga bashkitë respektive.
Komente











Pash zotin se kane dy vjet qe thone keshtu,dhe asgje nuk behet,fjale futja kot.
Përgjigju