Banorët e fshatit Rrjoll në Velipojë të Shkodrës kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme, kundër ndërtimit të resortit luksoz “Blu Borgo” të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj.

Ata janë zotuar të mbrojnë me çdo kusht tokën dhe të mos lejojnë grabitjen e pronës nga oligarku Ulaj, situatë që i ka çuar në përplasje të forta dhe me policinë.

Edhe gjatë të dielës së sotme, nuk kanë munguar tensionet mes banorëve dhe policëve në kantier.

Teksa deklarojnë se do të bëjnë gjithçka për mbrojtjen e pronës, banorët e fshatit Rrjoll i kanë bërë thirrje ministres së Brendshme, Albana Koçiu, që të mos dërgojë policinë në mbështetje të Bashkim Ulajt.

“Shihni kë ka prurë Albana Koçiu për të mbrojtur Bashkim Ulajn ndaj fshatarëve të shkretë. Ministrja ka sjellë gjithë policët këtu për të mbrojtur Bashkim Ulajn nga ne, që është duke na vjedhur tokat tona. Bashkim Ulaj me Isuf Çelën na kanë thënë në zyrë të vetë ‘nuk duam të vijmë si pushtues, por si zhvillues’. Çfarë je duke bërë sot Bashkim Ulaj, përveçse ke ardhur për të na pushtuar? A je duke bërë gjë tjetër? Shkjau stërgjyshit tem nuk ja ka bërë këtë që je duke bërë ti sot në tokën tonë. Serbi e turku nuk na e ka bërë këtë gjë, të na vjedhin tokën. Ti po e bën sepse ke shtetin mbrapa. Por edhe na nuk jena të pafortë, sepse jena me të drejtën e Zotit dhe e drejta gjithmonë triumfon. Dje kanë bërë shoqërime. Prekën e kemi ende të shoqëruar. Njërit prej demve që tentuan ta marrin me forcë i ra të fikët. U turrën tërë policat. Këta policat më kanë rrëzuar mua që jam femër. Kanë ardhur këta tani të mbrojnë Bashkim Ulajn dhe të na përdhunojnë ne në tokën tonë”, tha mes të tjerash një prej banorëve të fshatit Rrjoll.

Ndërkohë një tjetër banorë e fshatit Rrjoll, teksa ka shkuar me fëmijët në krahë në protestë, ka kërkuar drejtësi nga shteti për pronën që pretendojnë se po u grabitet.

“Policia fut kriminela, ne jemi në tokën tonë. Ça bëhet kështu more, ça bëhet në tokën tonë. Shikojeni sa Polici ka. As armë dhe asgjë nuk kemi. Jemi në tokën tonë dhe s’mundemi as me e shkel. Inshallah gjejmë drejtësi”, tha banorja, e cila gjatë intervistës kishte edhe fëmijët e saj në krahë.

Një tjetër banor i zonës, teksa e përshkoi situatën si alarmante, akuzoi ministren e pezulluar, Belinda Ballukun, si urdhëruesen e grabitjes së pronave të tyre.

“Nesër të sjellin këtu autoblindat, tanket, sepse këtu ka plasur lufta Serbi-Kosovë. I bëj thirrje Belinda Ballukut, që njihet si hiena apo pantera e zezë, që të tërhiqet nga toka jonë”, tha një tjetër banor i zonës.

Ndërkohë banorët e Rrjollit kanë marrë mbështetje edhe nga trevat e tjera të Shqipërisë, pasi ditën e sotme, dy persona, njëri nga Vlora dhe tjetri nga Mallakastra, i janë bashkuar protestës kundër Bashkim Ulajt.

“Ne rrimë në Tiranë, me origjinë nga Mallakastra dhe djali Vlonjat. Jemi njerëz që kërkojmë të mbështesim çdo grup, çdo fshat, çdo qytet, që kërkon të bie ndeshë me këtë klasë politike oligarkë, që po fillon t’u marrë tokat shqiptarëve, që nga Dukati, Durrësi dhe këtu në Rrjoll. Mjaft më, bëhuni bashkë! Jug-Veri të jemi një”, tha mes të tjerash mbështetësi nga Mallakastra i banorëve të Rrjollit.

“Kemi ardhur posaçërisht për ju që t’ju përkrahim. Ju mbështesim me shpirt ne patriotët me shpirt”, tha mbështetësi nga Vlora i banorëve të Rrjollit.

Më herët Policia njoftoi se ka arrestuar Prek Mollën, banor i fshati Baks-Rrjoll në Velipojë, pasi së bashku me 5 të tjerë kanë goditur një punonjës të firmës “Gener 2”, e cila po kryen punimet për ndërtimin e resortit të botuesit dhe biznesmenit Bashkim Ulaj, si dhe kanë kërcënuar një punonjëse policie.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:36
Protesta kundër resortit të Bashkim Ulajt në Rrjoll/ Arrestohet Prek Molla pas përplasjeve me policinë dhe punonjësit e kompanisë së ndërtimit! Në kërkim 5 të tjerë

Policia njofton se ka arrestuar Prek Mollën, banor i fshati Baks-Rrjoll në Velipojë, pasi së bashku me 5 të tjerë dyshohet kanë goditur një punonjës të firmës “Gener 2” të botuesit dhe biznesmenit Bashkim Ulaj, e cila po punon për ndërtimin e resortit të këtij të fundit. Prek Molla dhe 5 të tjerët të shpallur në kërkim dyshohet gjithashtu se kanë kërcënuar një punonjëse policie.

Banorët e Rrjollot akuzohen se kanë nxitur akte dhune, duke dëmtuar disa mjete pune (ekskavator, foristradë) të firmës “Gener 2” në pronësi të biznesmenit Ulaj, duke u thyer xhamat.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin P. M., 60 vjeç, banues në fshatin Rrjollë, si dhe shpallën në kërkim shtetasit L. K., 40 vjeç, banues në fshatin Torrovicë; M. K., 33 vjeç, banues në fshatin Malecaj; D. Sh., 20 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe; A. M., 30 vjeç, banues në fshatin Rrjollë dhe N. K., 35 vjeç, banues në fshatin Malecaj.

Këta shtetas dyshohen se dje, në fshatin Rrjollë, kanë goditur shtetasin L. A., 22 vjeç, banues në Tropojë, punonjës i firmës “Gener 2”, dhe kanë kanosur për shkak të detyrës shtetasen V. C., 30 vjeçe, banuese në qytetin Koplik, punonjëse policie e Komisariatit të Policisë Shkodër, si dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë nxitur akte dhune, duke dëmtuar disa mjete pune (ekskavator, foristradë) të firmës “Gener 2”, duke u thyer xhamat",- njofton policia.