Blerja e një banese po iu kushton gjithnjë e më shumë qytetarëve, pavarësisht se ritmi i shtrenjtimit duket se është ngadalësuar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit çmimi i pronave u rrit me 10% në krahasim me një vit më parë. Vrojtimi i kryer për pasuritë e paluajtshme tregon një rritje më të moderuar edhe për kryeqytetin me 9% në terma vjetor.

Për shkak të çmimit të lartë të pronave është rritur edhe koha mesatare për të realizuar një transaksion. Në rastin e Tiranës thuhet në vrojtim koha mesatare e shitjes u rrit në 9.7 nga 8.1 muaj vjet. Ndryshe situata në bregdet ku koha e shitblerjes u ul në 8.2 nga 9.9 muaj.

Kredia bankare vijon të jetë mjeti kryesor i financimit të blerjes së banesës. Sipas agjentëve, rreth 58% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë realizuar me hua bankare.

Banka qendrore thotë se shtrenjtimi po udhëhiqet nga kërkesa e lartë për prona në zonat bregdetare, të cilat po kushtojnë gjithnjë e më shumë. Ndikim në këtë shtrenjtim vijojnë të kenë të huajt, të cilët janë të përqendruar më shumë në prona me vlera të mëdha, kryesisht në zonat më të kushtueshme të Tiranës, dhe përgjatë vijës bregdetare. Afro 20% e pronave të shitura u blenë nga shtetas të huaj, lehtësisht në rënie nga 25 përqind që ishin gjatyëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Zhvillimi i pandalur i këtij sektori që ka shtuar volumin e kredisë, automatikisht rrit ekspozimin e bankave ndaj pasurive të paluajtshme. Një fenomen që po mbahet në monitorim nga banka qendrore. Një krizë në sektor do të rrezikonte direkt bankat.

Në fund të qershorit, stoku i të gjitha kredive të kolateralizuara me pasuri të paluajtshme ishte rreth 490 miliardë lekë ose 13% më i lartë në krahasim me nivelin e raportuar gjashtë muaj më parë.